Njoftimi i policisë:
Lejuan ndërtime të paligjshme e shpërdoruan detyrën, pezullohen me kërkesë të Prokurorisë Fier kryeinspektori dhe inspektori IMT-së
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier u pezulluan nga detyra shtetasit në hetim, E.Ç, me detyrë Kryeinspektor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Roskovec, si dhe shtetasi S.M. me detyrë Inspektor pranë IMT-së Bashkia Bashkisë Roskovec. Ndaj tyre u caktua edhe masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.
Nga hetimet e kryera nga kjo prokurori, në kuadër të procedimit penal nr.1418, datë 16.09.2024, për veprat penale të dyshuara “Shkelja e rregullave te mbrojtjes në punë”, “Shpërdorimi i tokës”,“Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 289 pg.1 199, 199/a pg.4 dhe 248-25 i K.Penal, rezultoi se shtetasit e mësipërm kanë qenë në dihjeni të kryerjes së ndërtimeve të paligjshme.
Procedimi penal i mësipërm lidhet me ngjarjen e datës 14.09.2024, ku në fshatin Suk-1, Njësia Administrative Strum, Bashkia Roskovec, ka humbur jetën shtetasi S.B., gjatë kohës që ai kryente punime për llogari të shtetasit E.D. Ndaj shtetasit E.D, u caktua më parë masa e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave te mbrojtjes në punë”, “Shpërdorimi i tokës”. Krahas këtyre veprave, në dinamikë të hetimit u provua se shtetasi E.D, ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kompetente. Për këtë fakt të evidentuar është regjistruar ndaj tij si person nën hetim dhe vepra penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a pg.4.
Prokuroria gjithashtu, ka arritur të evidentojë faktin se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Roskovec, ka qënë në dijeni dhe ka lejuar kryerjen e punimeve pa leje, në një sipërfaqe rreth 320 m2, mbi tokë bujqësore, për qëllime ekonomike dhe pa lejen e organeve kompetente, në këtë rast Bashkia Roskovec./K.K