Kryepeshkopi, Anastas Janullatos ka ndërruar jetë këtë të shtunë pas disa ditësh shtrimi në spitalin “Evangelismos”, në Athinë ku ishte dërguar me urgjencë nga Tirana.
Kryepeshkopi i Shqipërisë, ndodhej i shtruar i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv, pas operacionit që iu nënshtrua pasditen e së premtes së 10 janarit.
Ai nuk ka mundur t’i mbijetojë orëve kritike pavarësisht tentativës për ta nxjerrë nga intubimi, dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.
Kryepeshkopi u shtrua në një spital të Tiranës më 30 dhjetor me simptoma të infeksionit të rëndë dhe më 3 janar, pasi u përkeqësua, u transferua në spitalin grek.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë lajmëron se Janullatos ndërroi jetë rreth orës 07:30 të 25 janarit 2025.
“Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë. Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet. I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij”, shkruan Kisha Orthodhokse Autoqefale./K.K