Shoqata “Tropoja” ka organizuar një paraqitje të veçantë të veprave të Besnik Mustafajt, me temën “Marrëdhëniet e shkrimtarit me vendlindjen përmes veprës letrare”. Folës nga Tirana, Tropoja e diaspora, veçuan tipare të romane të shkrimtarit, ish-diplomatit e ish- ministrit.
Ndërsa botuesi i tij, Bujar Hudhri tha se letërsia e një shkrimtari, nuk i takon më vetëm vendit ku u krijua.
Studiuesi nga Kosova, Jusuf Buxhovi u ndal te gjeorgrafia shpirtërore e Mustafajt, ndërsa diplomati Mal Berisha foli për ngjarje të viteve të komunizmit.
Vetë Mustafaj, foli për Tropojën në veprën e tij si element identitar.
“Identiteti i një shkrimtari është kultura që ai mishëron, është emocionet që ai shpreh dhe janë shijet, që nga ato për kuzhinën deri tek ato për peizazhin dhe janë raportet me pushtetit. Tropoja është gjeografi në veprat e mia, diku shumë e dukshme e diku më pa. janë tri romane ku Tropoja është gjeografi: “Një sagë e Vogël”, “Autoportret me teleskop” dhe “Fati i marrë”.”-tha Mustafaj.
Karriera e Mustafajt ka prekur disa fusha duke lënë gjurmë në media, letërsia, diplomaci e politikë. Pas tërheqjes nga kjo e fundit, ai I është kthyer librave, si vendqetësie e prehjeje./E.T