Tema e programit këtë të shtunë, bëri që shumë prej nesh të hapnin sirtarët dhe të shfletonin albumet e fotografive. Si një katapultë që të hedh në një botë tjetër, përhumbemi para imazheve që mbajmë në duart dhe me gjitha forcat “shtrydhim” trurin për të rikujtuar ato momente lumturie. Tek e fundit kush nuk do të donte që të kthehej dhe një herë fëmijë, qoftë e vetëm për pak kohë.
Këtë bënë dhe të ftuarit në studion e “Rudina” në Tv Klan. Mjeku Artan Koni, i rritur në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, me nostalgji kujton netët e vona të fëmijërisë, ku së bashku me moshatarët e tij kalonin orë të tëra duke luajtur me njëri-tjetrin. Ata nuk njihnin orë, gjumë, e as lodhje për të shijuar çdo moment. Edhe pse nostalgjia e kthen pas në një kohë, nga ana tjetër e “përplas” fuqishëm në realitetin e sotëm. Mjeku shton se në ditët e sotme ai nuk mund të lërë vajzën e tij të luajë deri në orët e vona ashtu siç ai ka bërë dikur në moshën e saj.
“Ne jetonim në ato pallatet e vjetra parafabrikate, por në fakt ishim shumë të lumtur si fëmijë sepse e gjithë fëmijëria jonë kalonte tek kodra e Priftit, ku nuk kishte asnjë ndërtim dhe ne gjenim shumë hapësira të luanim. Ktheheshim në darkë pa na kërkuar njeri që ku jemi. Nuk ia kam ditur vlerën më parë, por tani kuptoj që unë nuk mund ta lë dot gocën time ashtu, thjesht të vijë në darkë në shtëpi vetëm se i hahet bukë, siç bënim të vegjël. Kjo për mua është një pjesë nostalgjike që t’i nuk e kupton dot kur je i ri. Mbase ka kaluar mosha, sepse nostalgjia vjen me moshën sepse unë mbaj mend që kur isha 20 vjeç nuk kisha nostalgji për moshën time 10-vjeçare. Po të më pyesësh tani që jam më moshën 45-vjeçare kam shumë nostalgji për kohën kur kam kaluar kur kam kaluar 10 vjeç ose 15 vjeç. Sa më shumë largohesh aq më shumë ia kupton rëndësinë”, tha Artan Koni./E.T