Kjo është pamja e çdo dite në tregun e veshjeve tekstile në qytetin e Peshkopisë. Rrugët e brendshme të këtij tregu dhe dyqanet janë të boshatisura, pasi fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm.
Tregtarët shprehen se prej kohësh në këtë treg ka më shumë shitës se blerës. Sipas tyre, shkak është largimi masiv jashtë vendit, i cili vijon të jetë një plagë e freskët shoqërisë tonë. Problem madhor mbetet largimi i rinisë, e cila dikur ka qenë fuqia më e madhe blerëse në këtë treg.
Nga ana tjetër tregtarët thonë se me këtë mungesë shitjeje, jo vetëm që dalin defiçit në fund të muajit, por po shkojnë drejt falimentit dhe do të detyrohen të mbyllin bizneset, pavarësisht se me të ardhurat që siguronin prej tij mbanin familjet.
Tregtarët e Peshkopisë shtojnë se nëse do të vazhdohet me këto largime masive kryesisht të të rinjve, atëherë, bizneset do të ulin qepenat përgjithmonë./k.k