Një avion i Forcave Ajrore Kolumbiane u nis sot nga San Diego me 110 imigrantë kolumbianë të dëbuar. Një avion i dytë u nis nga Hjustoni, në Teksas.
Ky zhvillim vjen pas përplasjeve që u krijuan të dielën mes Uashingtonit dhe Bogotës, kur Presidenti kolumbian Gustavo Petro refuzoi që emigrantët kolumbianë të deportoheshin me avionë ushtarakë amerikanë.
Pas refuzimit të tij Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do t’i vendoste tarifa Kolumbisë, dhe presidenti kulumbian tha se do t’i kundërpërgjigjej me të njëjtën monedhë.
Por nuk vonoi dhe dy vendet të njoftonin se kishin arritur një marrëveshje për të qetësuar situatën.
Gustavo Petro tha se emigrantët kolumbianë do të udhëtojnë “pa pranga”, me avionët e Forcave Ajrore Kolumbiane.
“Kjo dispozitë, dinjitet për të dëbuarit do të zbatohet për të gjitha vendet që i dëbojnë ata”, tha ai.
Prej momentit që mori detyrën, Presidenti Trump ka vepruar me shpejtësi për të kryer deportime, një nga premtimet e fushatës së tij.
Ai tha të hënën se nëse vendet që nuk i pranojnë menjëherë emigrantët e tyre “do të paguajnë një çmim shumë të lartë ekonomik dhe ne do t’u vendosim menjëherë tarifa masive”.
Në ndryshim nga Kolumbia, Guatemala ka pranuar disa avionë të Forcave Ajrore amerikane që transportonin emigrantë të këtij vendi, të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara ditët e fundit.
Fluturimi i fundit u krye të hënën me kthimin e 64 emigrantëve nga Guatemala.
Dëbimet e imigrantëve nga Shtetet e Bashkuara nuk janë të reja. Agjencia e amerikane e Emigracionit dhe Doganave kryen me qindra fluturime çdo vit.
Por ajo çka është e re është përdorimi i avionëve ushtarakë. Agjencia më parë përdorte fluturime me avionë civilë për të dëbuar njerëzit që kishin hyrë në rrugë të paligjshme në territorin e Shteteve të Bashkuara./VOA