Mandati i dytë i Presidentit Trump, analiza e VOA: Cilat janë pritshmëritë e Izraelit?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Udhëheqësit e Izraelit kanë pritje të mëdha nga mandati i dytë i Presidentit amerikan Donald Trump dhe analistët thonë se zyrtarët izraelitë shpresojnë se qasja e tij e pazakontë ndaj politikës së jashtme do t’u sjellë atyre rezultatet që dëshirojnë sa u përket përparësive të tyre kryesore në aspektin e sigurisë.

Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, Linda Gradstein, përpjekjet e Presidentit Trump për të siguruar një marrëveshje paqeje me Arabinë Saudite mund të shkaktojnë tensione me shtetin hebre.

Propozimi më i ri i Presidentit Trump për të menaxhuar konfliktin në Lindjen e Mesme duke dërguar palestinezë në Egjipt dhe Jordani është shembull tipik i asaj që shumë kush në Izrael e sheh si qasje e pazakontë ndaj politikës së jashtme, që mund të sjellë rezultate në favor të Izraelit, siç është qasja agresive ndaj Iranit, armikut kryesor të Izraelit.

Shumë izraelitë, sidomos përkrahësit e qeverisë së krahut të djathtë të Kryeministrit Benjamin Netanyahu, presin që Izraeli të përfitojë nga politika të tilla, siç ndodhi gjatë mandatit të parë presidencial të zotit Trump.

“Besoj që duke punuar bashkë sërish, do ta çojmë më tej aleancën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Kam besim që do ta mposhtim boshtin e terrorit të Iranit dhe do të sjellim një epokë të re të paqes dhe përparimit në rajonin tonë”, deklaroi Netanyahu.

Disa analistë izraelitë thonë se me përkrahjen e Presidentit Trump, Izraeli mund të angazhohet për shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit pas dobësimit të sistemeve mbrojtëse iraniane dhe grupeve militante të lidhura me të në Gazë dhe Liban nga sulmet izraelite.

“Izraelit i nevojitet përkrahja, bashkëpunimi dhe qartësia morale e administratës së re të Presidentit Trump në mënyrë që më në fund mbase të eliminojë regjimin iranian dhe programin e tij bërthamor”, thotë drejtori i Qendrës së Jeruzalemit për Sigurinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë, Dan Diker.

Analistë të tjerë thonë se nuk janë të sigurt nëse Presidenti Trump do të mbështeste veprimet e ushtrisë izraelite kundër Iranit.

Lexo edhe :  Filmi i Michael Jackson me vlerë 150 mln dollarë, shtyhet për shkak të pengesave ligjore

“Fillimisht, ai do të bëjë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje, natyrisht një marrëveshje ndryshe prej asaj nga e cila u tërhoq, por arritja e marrëveshjes do të jetë përparësia e tij e parë”, thotë Helit Barel, ish drejtore e Këshillit izraelit për Sigurinë Kombëtare.

Presidenti Trump thotë se ai dëshiron të zgjerojë Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat u negociuan nën administratën e tij të parë ndërmjet Izraelit dhe shteteve të Gjirit, duke sajuar një marrëveshje paqeje ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite.

“Ai dëshiron të jetë personi që arriti marrëveshjen e shekullit. Sa më shumë që Izraeli i normalizon marrëdhëniet me shtetet e Gjirit, aq më shumë ato mund të bashkëpunojnë me njëra tjetrën për t’u përballur me kërcënimet ndaj sigurisë siç janë Irani, apo grupe si Shteti Islamik – dhe aq më pak do të ketë punë për Amerikën. Nga pikëpamja e zotit Trump, sa i përket vizionit të tij, ai dëshiron që Amerika të angazhohet më pak”, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara pranë Universitetit Bar Illan, Jonathan Rynhold.

Arabia Saudite ka deklaruar se çdo marrëveshje paqeje me Izraelin do të jetë e kushtëzuar me përparimin drejt themelimit të shtetit palestinez, një zgjidhje që qeveria izraelite e krahut të djathtë e kundërshton.

Një qëndrim i tillë mund të bëhet burim i përplasjeve ndërmjet zotit Trump dhe udhëheqësve izraelitë.

“Ai do të përpiqet të arrijë marrëveshje për një lloj entiteti palestinez në Bregun Perëndimor për ta zgjidhur këtë çështje përfundimisht me Izraelin. Kjo sinjalizon që Izraeli duhet t’i paraprijë kësaj çështjeje dhe të ofrojë një sërë alternativash të ndryshme”, thotë analisti Diker.

Presidenti Trump është zotuar t’u japë fund të gjitha luftërave dhe në Izrael, menndimi dominues është se ishte meritë e tij arritja e armëpushimit të tanishëm me Hamasin si dhe marrëveshja për lirimin e pengjeve.

Por gjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme për konfliktet e Lindjes së Mesme mund të jetë një sfidë më e vështirë për presidentin e rikthyer amerikan./k.k

Të fundit

Mbyllet faza e parë e Ligë së Kampioneve, renditja dhe verdiktet përfundimtare

Liga e Kampionëve, uli siparin e fazës së grupeve, mbrëmjen e sotme, ku u luajtën edhe 18 duelet e...

Disa truke psikologjike për të përballuar më mirë problemet e përditshme

Nëse shpenzoni shumë kohë në internet, atëherë ju e dini se ka truke për çdo gjë të mundshme. Madje, disa truqe mund t’ju ndihmojnë...

Kurti nuk tregon pse ndryshoi mendje për Marrëveshjen e Uashingtonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të komentojë deklaratën e tij për marrëveshjen e Uashingtonit, dhënë në gazetën spanjolle “El Mundo”, për të...

Përmbytjet nga reshjet e shiut, shpërthejnë ujërat e zeza në burgun e Durrësit

Të burgosurit në burgun e Durrësit, kanë ngritur alarmin pas përmbytjeve që janë shënuar në qytet, pasi kanë shpërthyer ujërat e zeza në katin...

Zbuloni 5 çajrat bimorë që mund të ndërveprojnë me ilaçet tuaja

Nëse dëshironi një pije të shijshme, pa sheqer të shtuar ose me më pak kafeinë se kafeja, çaji është një zgjedhje e shkëlqyer. Krahas shijes,...

Lajme të tjera

Web TV