Në një periudhë kur Evropa kishte hyrë në errësirën e Mesjetës, bota islame kalonte një epokë të artë zbulimesh dhe njohurive intelektuale. Një ndër figurat kryesore të këtij zhvillimi ishte Abu Rayhan Biruni (973–1048), një dijetar i jashtëzakonshëm, i cili realizoi arritje që formësuan shumë nga shkencat moderne. Nga hipoteza e tij mbi rrotullimin e Tokës deri te matjet e diametrit të saj, puna e tij u bë një urë lidhëse mes trashëgimisë antike dhe inovacioneve që do të shfaqeshin më vonë, përfshirë ato që shpërthyen në Rilindjen Evropiane.
Abu Rayhan Biruni lindi në Khwarezm, në veri-perëndim të Uzbekistanit të sotëm, dhe ishte një njeri me njohuri të jashtëzakonshme, deri në atë masë sa që një qytet i sotëm mban emrin e tij — Beruniy. Ai ishte një poliglot, duke zotëruar gjuhët arabe, greke, persiane dhe sanskrite, gjë që i dha mundësinë të përvetësonte dijet e qytetërimeve të ndryshme të antikitetit. Puna e tij ishte tepër e gjerë dhe përfshinte alkiminë, astronominë, gjeografinë, gjeologjinë, filozofinë islame dhe teologjinë.
Një ndër kontributet më të mëdha të Birunit ishte në fushën e astronomisë. Ai ishte një ndër të parët që bëri llogaritjet e rrezes dhe rrotullimit të Tokës dhe zhvilloi një kuadrant të përmirësuar për matjen e lartësisë së Diellit. Po ashtu, ai zhvilloi një metodë për të përcaktuar densitetin e substancave përmes raportit mes masës dhe volumit. Këto zbulime shërbyen si bazë për punën e dijetarëve të mëvonshëm, si Galileo Galilei dhe Isaac Newton.
Puna e tij gjithashtu frymëzoi astronomin Richard Dunthorne, i cili përdori studimet e fazave të Hënës dhe të dhënat mbi ekuinokset dhe eklipset për të përcaktuar përshpejtimin e Hënës, një kontribut që shërbeu si pikënisje për brezat e ardhshëm të hulumtuesve.
Biruni ishte gjithashtu një pionier i studimeve indologjike. Ai shërbeu si astrolog në oborrin e Mahmud Ghaznit, sulltanit të Perandorisë Ghaznavide. Gjatë ekspeditave të tij në Indi, ai regjistroi vëzhgimet e tij për këtë vend të panjohur dhe misterioz, duke krijuar një nga veprat e tij më të rëndësishme, një punim enciklopedik që përbën një pasuri të madhe të njohurive mbi kulturën indiane.
Gjatë jetës së tij, Biruni krijoi një sërë veprash të tjera, përfshirë “Kronologjinë e Kombeve të Lashta”, një përmbledhje universale e kulturave të ndryshme dhe një dëshmi e interesit të thellë të tij për njerëzit dhe vendet rreth tij. Trashëgimia e tij shkencore është e gjerë dhe vazhdon të influencojë deri në ditët e sotme.
Sot, nën iniciativën e Presidentit të Republikës së Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, trashëgimia e figurave të shquara si Al-Biruni po studiohet dhe promovohet aktivisht në Qendrën për Civilizimin Islam në Uzbekistan. Kjo qendër është një ndërtesë madhështore në zemër të Tashkentit, e krijuar për të rrëfyer historinë e këtyre intelektualëve uzbekë dhe për të ruajtur veprat e tyre transformuese për brezat që do të vijnë.
Emri i Al-Birunit mbetet sinonim i mençurisë, kërkimit të dijes dhe frymëzimit, duke motivuar brezat e ardhshëm të kërkojnë të vërtetën dhe të bëjnë zbulime të reja shkencore. Ai ka qenë një burim frymëzimi për shkencëtarë dhe matematikanë për më shumë se një mijë vjet, dhe ndikimi i tij është ende i pranishëm sot. Përveçse ka një qytet me emrin e tij, tani Al-Biruni ka edhe një çmim të dedikuar për trashëgiminë e tij.
Në sesionin e 220-të të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, që u mbajt në tetor 2024, u njoftua se Çmimi Ndërkombëtar UNESCO-Uzbekistan do të mbajë emrin e Al-Birunit, në nderim të arritjeve të tij shkencore. Ky çmim do të jepet çdo dy vjet dhe do të nderojë projekte të jashtëzakonshme që avancojnë etikën, përfshirjen dhe zhvillimin në fushën e Inteligjencës Artificiale. /E.T