Shtëpia e Bardhë bën me dije se ka anuluar një urdhër që autorizon ngrirjen federale të qindra miliarda dollarëve në grante dhe kredi.
Ky vendim vjen pasi një gjyqtar ndaloi përkohësisht urdhrin të martën, në të njëjtën ditë që ai do të hynte në fuqi.
Është e paqartë se çfarë e ka nxitur kthesën e dukshme.
Ushtruesi i detyrës së kreut të zyrës së buxhetit të Shtëpisë së Bardhë kishte udhëzuar agjencitë që të ndalonin përkohësisht të gjitha aktivitetet që lidhen me detyrimet ose disbursimin e të gjithë ndihmës financiare federale.
Zyra tha se masa kishte për qëllim t’i jepte kohë administratës së re për të vlerësuar se cilat grante dhe kredi ishin në përputhje me axhendën e tyre.
Por urdhri shkaktoi konfuzion të gjerë se cilat agjenci dhe programe do të ndikoheshin./E.T