Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka propozuar ndryshime në ligjin për nënshtetësinë, për shqiptarët që e kanë lënë nënshtetësinë shqiptare që të mundësohet që ta marrin me procedurë të përshpejtuar.
‘Është e vërtet që shumë qytetarë duke filluar nga viti 1990, kur iu desh të largohen nga vendi thyen muret e ambasadave dhe u larguan nga vendi, një pjesë e tyre bazuar në ligjin e vjetër gjerman iu desh që të linin shtetësinë shqiptare. Në qershor të vitit 2024 koalicioni i majtë në Gjermani bëri të mundur heqjen e këtij detyrimi në Gjermani dhe numrat në konsullatat tona në Mynih ishin të larta. Tani janë me mijëra ata që kanë aplikuar në këto muaj për të rimarr shtetësinë. Shqipëria nuk është më Shqipëria që ata lanë por i bënë të gjithë shqiptarët që të jenë krenar për vendin e tyre. E gjej me vend propozimin e një ndryshimi në ligjin e shtetësisë për të krijuar një procedurë të përshpejtuar për marrjen e shtetësisë për ata që kanë qenë të detyruar që ta lënë. Sapo ta konkretizojmë do zoti nuk vini prap dhe të thoni nuk vijmë që ta bëjmë tani para zgjedhje, sepse s’na lë kodi zgjedhor’, tha ai.
Ndërkohë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u shpreh kundër kësaj pasi sipas tij problemi nuk është tek ata që nuk e kanë nënshtetësinë shqiptare pasi, ata nuk mund të jenë në lista. Sipas tij, PD kërkon që t’i sigurohet votimi atyre që janë në lista zgjedhore dhe kanë dokument identifikimi të vendit ku jetojnë.
‘Këtu nuk është çështja për ata që se kanë shtetësinë shqiptare, sepse ai që se ka shtetësinë shqiptare nuk është në listat e zgjedhësve. Ne kemi raste të provuara sot që persona me shtetësi të lënë me dekret të presidentit të vendit i keni ende në listën e zgjedhësve në shkelje të ligjit. Problemi është për ata që janë shtetas shqiptar që kanë një dokument të vlefshëm të vendit ku jetojnë dhe është më i vlefshëm se ai dokumenti shqiptar që i ka skaduar’, tha ai./E.T