Papa: Kryepiskopi Anastas ‘ndihmoi në rizbulimin e besimit pas vitesh ateizmi’

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në ditën e varrimit të kryepiskopit ortodoks Anastas Janullatos, Papa Françesku, në një letër, që u lexua gjatë funeralit nga kreu i delegacionit të Vatikanit, kujton takimin e tij me të ndjerin gjatë vizitës në Shqipëri, nënvizon impenimin e tij për të depërtuar në thellësitë e zemrave të atyre, që i ishin besuar, pa e humbur bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse, si edhe kontributin në dialogun e në bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera

U kremtua sot (30 janar), në orën 11.00, në Katedralen ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, shërbesa mortore e kryepiskopit Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë në Athinë, në moshën 95 vjeçare. Trupi i kryepiskopit u varros e do të prehet pikërisht në këtë Kishë. Të pranishëm, personalitete nga e gjithë bota fetare e politike, si Patriku Ekumenik Bartolomeu I, Patriku i Aleksandrisë Theodhoros II, Patriku i Jerusalemit Teofili III, kryepeshkopë nga Kisha ortodokse e Greqisë, ajo e SHBA-ve, e Qipros, përfaqësues nga Mali Athos, nga fe të tjera e, edhe një delegacion nga Vatikani, i kryesuar nga Sekretari i Dikasterit për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, imzot Flavio Pace.

Letra e Papës, lexuar gjatë funeralit

Pikërisht sot, Papa Françesku i shkruan mitropolitit të Korçës, Hirësisë së tij Joanit, i cili kryen aktualisht funksionet e nevojshme për të çuar përpara jetën e Kishës Ortodokse Shqiptare, derisa të mblidhet Sinodi i saj, i cili, 40 ditë pas vdekjes së kryepiskopit Anastas, do të zgjedhë kreun e ri. Atij, Sinodit, klerit dhe gjithë besimtarëve ortodoksë, Ati i Shenjtë Françesku u shpreh ngushëllimet për humbjen e kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke u siguruar lutjet që Zoti, Ati ynë i mëshirshëm, ta vlerësojë për punën e lodhjen.

“Feja e bashkësisë ortodokse shqiptare – shkruan Papa Françesku, në mesazhin e lexuar gjatë funeralit nga imzot Flavio Pace – sigurisht që u mishërua në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbimi baritor i zellshëm i të cilit i ndihmoi njerëzit ta rizbulonin pasurinë dhe bukurinë e saj, pas vitesh ateizmi të imponuar nga shteti dhe pas persekutimit. Për këtë, ruaj kujtime të bukura nga takimi im me Fortlumturinë e Tij, me rastin e udhëtimit tim të parë apostolik jashtë Italisë, si edhe janë të dashura për mua përqafimi vëllazëror dhe fjalët e shkëmbyera me atë rast.

Lexo edhe :  Diaspora, regjistrim dhe votim edhe me dokumente të skaduara

Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë dhe shërbesës së tij si prift dhe peshkop – vijon Ati i Shenjtë – ai tregoi gjithmonë një përkushtim të thellë ndaj Ungjillit, duke i shërbyer dhe duke e shpallur Zotin në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, në Greqi, Afrikë dhe Shqipëri. E bëri këtë, duke ndjekur shembullin e Shën Palit apostull, i cili iu përkushtua aq shumë Krishtit sa mundi të thoshte: “Për të gjithë u bëra gjithçka, që, të kushtojë sa të kushtojë, por ta shpëtoj ndonjërin” (1 Kor 9, 22).

Duke marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së Kishës Ortodokse Shqiptare, deshi të depërtonte në thellësitë e zemrave të atyre, që i ishin besuar, veçanërisht në traditën dhe identitetin e tyre, pa e humbur asnjëherë bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse. Njëkohësisht, u impenjua me vullnet të mirë në dialog dhe promovoi bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera.

Kur mbërriti në Shqipëri – thuhet në mesazhin e Atit të Shenjtë  – disa priftërinj e pritën me urimin e Pashkëve në greqisht “Christos Anesti!”. Ai u përgjigj shqip, duke shprehur dëshirën e tij të zjarrtë për të jetuar me popullin dhe për të dëshmuar dashurinë e Zotit, e cila mposht çdo errësirë​​ dhe shtypje, mes atyre që kishin vuajtur shumë.

Tani që jeta e tij tokësore arriti në fundin e saj – e mbyll Papa letrën, që mban datën e 27 janarit – lutem që, me mëshirën e Zotit, Atit të Gjithëpushtetshëm, Fortlumturia e Tij ta lëvdojë në amshim Trininë Shenjte, së bashku me të gjithë dëshmitarët e fesë dhe barinjtë, që u kanë shpallur fjalën e shpëtimit popujve, kudo dhe në çdo kohë”./ Vatican News/k.k

Të fundit

Barcelona shkatërron sërish Valencian, katalanasit e eliminojnë edhe nga Kupa e Mbretit

Barcelona e ka shkatërruar sërish Valencian, pasi në La Liga triumfuan 7-1, ndërsa tani 5-0 në Kupën e Mbretit. Pas...

Përmbysje komode në “Anfield”, Liverpool mposht Tottenham dhe siguron finalen e kupës

Spektakël me 4 gola, Liverpool i jep “leksion” Tottenham dhe kalon në finalen e Carabao Cup ku do të ndeshen me Newcastle.  Të kuqtë e...

Basha sfidon trekëndëshin e Bermudës: Nuk janë vetëm tre individë, por një oligarki

I ftuar në një studio televizive, Lulzim Basha kryetari i Demokratëve Euroatlantikë tha se politikisht është përballë trekëndëshit të Bermudës. Basha: Politikisht është përballë trekëndëshit...

Gazetari pyet ChatGpt sa mandate merr PD, PS dhe partitë e reja? Ja rezultatet

Gazetari Bledian Koka ishte këtë të enjte i ftuar në një emision televiziv ku ka folur rreth zgjedhjeve që do të mbahen në Shqipëri...

Fiorentina ul me “kembë në tokë” Interin, zikaltërit shkojnë në -3 pikë nga Napoli

Fiorentina tronditur Interin në ndeshjen e prapambetur të javës së 14-të të Serisë A. Skuadra “vjollcë”, triumfoi me rezultatin 3 me 0, duke i...

Lajme të tjera

Web TV