Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK ka reaguar pas akuzave të Partisë së Lirisë për ndalimin e eurodeputetit Fredi Beleri dhe kryetarit të PBDN, Vangjel Dule, nga takimi me Ilir Metën në burgun 313 në Tiranë.
Më herët sekretari i PL-së, Tedi Blushi, bëri një deklaratë në rrjetin e tij social ku tha se “në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, SPAK ka penguar sot dhunshëm deputetin dhe kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule dhe eurodeputetin, Fredi Beleri të takohen me Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në ambientet e burgut 313 në Tiranë”.
Lidhur me këtë akuzë, SPAK ka sqaruar për gazetaren e News 24 Kolidana Lala se “në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.
Dhe se në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
SPAK thotë se deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.
Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur./K.K