Drejtuesi i Nismës Thurje Endri Shabani i përgjigjet zërave që thonë se është delfini i Ramës. I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV zoti Shabani rendit faktet që tregojnë se është kundër Ramës, ndërsa thotë se këto hipoteza i hedh Berisha.
“Në 26 janar të vitit 2021 unë bashkë me aktivistë të tjerë të Nismës Thurje kemi kallëzuar në SPAK, Erion Veliajn. Unë nuk di një delfin që kallëzon bashkëpunëtorin e vetë në SPAK. Në mars të vitit 2024 kallëzuam në SPAK Ramën, Ballukun dhe disa oligarkë që përfituan prona publike. Sot Ilir Beqaj është në burg për shkak të kallëzimit të Nismës Thurje.
Unë nuk shoh asnjë provë që mund të na bëjë ne të dukemi sikur po bëjmë lojën e Edi Ramës. Këto hipoteza hidhen nga Berisha që do t’u thotë njerëzve: “Mos u hutoni nga këta, opozita e vërtetë është Sali Berisha.” Ndërkohë që Berisha na akuzon pa fakte, ai merr leje ndërtimi. Pra Berisha që merr leje ndërtimi qenka kundër Edi Ramës, ne që e kallëzojmë në SPAK jemi pro tij”, tha ai.
Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama shmanget nga debatet televizive. Shabani ka thënë se Rama nuk i jep mundësinë të bëjë replika me të, duke shtuar se ai ka evituar të dalë në studio përballë tij.
“Është e qartë që Edi Rama nuk më jep mundësi të bëj replika me të, sepse nuk del në studio televizive përballë meje. Ishim të ftuar në Top Channel dhe ai e ndryshoi skenarin, donte të ishte pa panel në studio”, u shpreh Shabani.
Ai gjithashtu theksoi se do ta kishte bërë replikën me të, ashtu siç e bëri me Sali Berishën, nëse do t’i ishte dhënë mundësia./k.k