Për herë të tretë, Gjykata e Apelit e Romës ka vendosur të mos konfirmojë ndalimin e disa prej 43 migrantëve të mbajtur në qendrat e ndërtuara nga Italia në Shqipëri. Gjykata ka urdhëruar lirimin e tyre dhe kthimin në Itali, ndërsa ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
Për herë të tretë, Gjykata e Apelit e Romës ka vendosur të mos konfirmojë ndalimin e disa prej 43 migrantëve të mbajtur në qendrat e ndërtuara nga Italia në Shqipëri. Gjykata ka urdhëruar lirimin e tyre dhe kthimin në Itali, ndërsa ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
Vendimi gjyqësor
Në aktvendimin e gjykatës theksohet se procesi gjyqësor duhet të pezullohet derisa të vendosë Gjykata e Drejtësisë. Për shkak të kësaj pezullimi, nuk mund të respektohet afati 48-orësh për konfirmimin e ndalimit, ndaj të ndaluarit duhet të lirohen, siç ka vendosur më parë edhe Gjykata Kushtetuese në raste të ngjashme.
Seancat gjyqësore dhe refuzimi i azilit
Në qendrën e Gjaderit ndodheshin 43 migrantë, pasi gjashtë të tjerë ishin transferuar më parë në Itali për shkak se ishin të mitur ose në gjendje të cenueshme. Seancat për konfirmimin e ndalimit nisën mëngjesin e sotëm me pjesëmarrjen e azilkërkuesve përmes videokonferencës dhe me praninë e gjyqtarëve nga Gjykata e Apelit e Romës.
Një ditë më parë, Komisioni Territorial për Shqyrtimin e Kërkesave për Mbrojtje Ndërkombëtare kishte refuzuar të gjitha kërkesat e azilit, duke i konsideruar ato “qartësisht të pabazuara”. Migrantët tani kanë vetëm 7 ditë për të apeluar këtë vendim, afat i cili, sipas Shoqatës për Studime Ligjore mbi Imigracionin (ASGI), e bën praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës për mbrojtje ligjore, në kundërshtim me Kushtetutën Italiane, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe direktivat e BE-së.
Vendimet e mëparshme
Edhe në dy raste të mëparshme, në tetor dhe nëntor, gjykatat kishin pezulluar ndalimin e migrantëve, duke i kthyer ata në Itali.
- Rasti i parë (18 tetor): 12 azilkërkues nga Bangladeshi dhe Egjipti u transferuan në qendrën e Gjaderit. Gjykata argumentoi se shtetet e tyre të origjinës nuk mund të konsideroheshin “vende të sigurta”, ndaj procedura e përshpejtuar kufitare nuk mund të zbatohej, duke urdhëruar kthimin e tyre në Itali.
- Rasti i dytë (11 nëntor): 7 migrantë të tjerë, po ashtu nga Egjipti dhe Bangladeshi, u përballën me të njëjtin vendim gjyqësor, pavarësisht se qeveria italiane në ndërkohë kishte ndryshuar listën e “vendeve të sigurta”. Gjykata pezulloi procesin dhe ia kaloi çështjen Gjykatës së Drejtësisë së BE-së për vlerësim mbi përputhshmërinë e dekretit qeveritar me ligjet evropiane.
Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian pritet të japë një vendim mbi këtë çështje më 25 shkurt./k.k