“Kjo është Koda, një pastor gjerman. Koda është dy vjec, dhe është një nga dhjetëra qentë e institutit të përgatitjes së qenve të policisë së shtetit. Koda do të tregojë në demostrim aftësitë për zbulimin e armëve në një automjet të dyshuar nga ana e efektivëve të policisë.”
Operacioni demostrues nis. I mjaftuan vetëm pak çaste dhe pastori gjerman sinjalizoi efektivët ku ndodhet e fshehur arma e zjarrit brenda automjetit.
Në fund të dhjetorit të kaluar Zuri zbuloi kokainë në një automjet në pikën e kalimit kufitar në Muriqan. Ai së fundmi i është bashkuar institutit dhe po stërvitet intensivisht se bashku me shoqëruesin e tij, efektivin e policisë kufitare Ardit Dimnaku për t’u specializuar në të tjera zbulime, më të avancuara.
“Zuri është qeni më i mirë në Shqipëri. Po trajnohet për specializimin e dytë, zbulim kartëmonedhash.”, thotë inspektor Ardit Dimnaku nga policia kufitare Muriqan.
Remila Shegaj prej vitesh është punonjëse e burgut të Reçit. Ajo ëahtë e para grua që po trjanohet si shoqëruese e qenve të policisë. I është besuar Miki, dhe pas katër muajsh përfundojnë kursin. Miki do të jetë qeni i parë i stërvitur për zbulimin e gjurmëve në burgun e Reçit. Remila thotë se tregon se nuk ishte e lehtë që Miki të mësohej me të në fillim.
“Gjithmonë e kam pasur shumë qejf uniformën dhe pjesa e qenit është një nga ëndrrat e mia që u bë realitet pas shumë viteve. Miki do shërbejne për patrullime, kapjen e personave që tentojnë të arratisen. Fillimisht është njohja me shoqëruesin, ka qenë pak e veshtirë se ishte mësuar të trajnohet vetem me burra.”, u shpreh Remila Shegaj, punonjëse e policisë në burgun e Reçit.
Dika është 3 vjeçar, i specializuar për neutralizimin e personave që kryejnë vepra të ndryshme penale dhe përbëjnë rrezik.
“Bëjmë ushtrime të ndryshme, kapje personi, zbulim personi dhe kalim pengesash”, theksoi Fatjon Bregu, shoqërues qeni në DVP Tiranë.
Në institut trajnimi i qenve nis kur janë ende këlyshë.
“Sipas nevojave të çdo viti bëhet plani dhe mbarështohen, dalin këlyshët e vegjël nga 0 deri në 12 muajsh. Më pas bëhet testimi i këlyshëve të cilët futen në provim, ata që kalojnë futen në kurse të tjera sipas nevojave“, tha Komisar Petrit Bushati, shef i përgatitjes dhe mbarështimit.
Por çfarë ndodh me qentë qe nuk e kalojnë testin?
“Kalojnë në varësi të ministrisë së Financave për t’u shitur. Në rast se nuk shiten u takon punonjësve të policisë që me kërkesën e tyre, t’i adoptojnë. Në rast se nuk ka kërkesa shkojnë në bashki”.
Një qen i stërvitur shërben deri në moshën 8 ose 9 vjeç dhe më pas cilësohet në moshë pensioni.
“80% i kemi pastor gjerman, pastaj malinios belg, kemi edhe një qen që ka ardhur dhuratë për Aeroportin e Tiranës, është një kuger spanjoll.”
“Aktualisht në institut ne kemi 86 qen, ndërsa në strukturat vendore të policisë 95. Në institut trajnohen edhe shoqëruesit e qenve të burgjeve dhe gardës së republikës.“, tha Mirash Loci, shef i Institutit të Përgatitjes së Qenve të Policisë së Shtetit.
Qentë që përgatiten në institut shpërndahen më pas në struktura të ndryshme, sipas nevojave dhe kërkesave.
“Gjurmimit dhe patrullimit, kërkimit dhe zbulimin e armëve, lëndëve narkotike, eksploziv dhe kartëmonedhat. Risi është futja e specialitetit të drogës edhe kartëmonedhat. Qentë policorë janë të shpërndarë në strukturat vendore, në komisariatet e policisë, në pikat e kalimit kufitar, te forcat speciale RENEA dhe te njësia anti eksploziv”.
Vetëm gjatë vitit 2024 u çertifikuan 38 qen. Shefi i institutit të përgatitjes thekson rëndësinë e përmirësimit të cilësisë së racave dhe logjistikës.
“Sfidë për institutin është rritja e kapaciteteve të trajtimit dhe akomodimit të kursantëve. Së fundmi është bërë rikonstruksioni i vendstrehimit të qenve dhe gjithashtu kemi marrë edhe dy automjete për transportin e qenve.”
Instituti i Përgatitjes së qenve të Policisë së Shtetit u hap në vitin 1950, nga dy instruktorë çekë që dhuruan 20 qen dhe specialiteti i tyre ka qene gjurmimi. Pas viteve ‘90 krimi mori te tjera ngjyra, u bë e domosdoshme trajnimi i qenve në specialitete të tjera për armë, eksploziv dhe lëndë narkotike./k.k