Skënder Minxhozi
Nëse futesh në faqen e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, një shifër bie në sy para shumë të tjerave. Nga 1.1 milion shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, deri më tani, kur na ndan edhe një muaj nga afati i mbylljes së aplikimeve (4 marsi), masa e atyre që kanë aplikuar e ka kaluar kuotën e 140 mijë personave. Shifrat vijnë në përditësim dhe ky numër mund të jetë tejkaluar tashmë.
Prej tyre, 57% e aplikantëve, ose 86 mijë shqiptarë jashtë vendit, kanë tashmë në xhep të drejtën për të votuar në distancë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas ekspertëve të zgjedhjeve në Tiranë, pritet që shifra e atyre që do të marrin dritën jeshile për të votuar nga jashtë vendit, do të shkojë afër numrit magjik 200 mijë, ose edhe mund ta kalojë këtë barrierë të pamenduar kur nisi procesi. Sipas specialistëve, kjo shifër e madhe pjesëmarrjeje ka qenë thjesht e paparashikuar kur nisi procesi i regjistrimit 22 ditë më parë, në 11 janar. Ata shprehen se pritshmëria ishte për jo më shumë se 50-60 mijë votues të aprovuar deri në 4 mars, kur është afati i fundit i regjistrimit.
Një skenar elektoral me mbi 200 vota të reja prurje nga jashtë vendit, është i komplikuar për t’u analizuar sipas qarqeve dhe sipas shpërndarjes së 140 mandateve parlamentare. Databaza e KQZ na tregon se 27 mijë vota të ardhura nga diaspora deri tani në Tiranë, përbëjnë një premisë të mjaftueshme që vota e shqiptarëve jashtë vendit të jetë përcaktuese për ndarjen finale të 37 mandateve në kryeqytet. Në qarqet më të vogla, disa mijëra vota të shqiptarëve jashtë vendit do të jenë edhe më përcaktuese sesa në “kazanin” e madh elektoral të Tiranës. Në vitin 2021 në Berat fjala vjen, mandati i pestë për PS u nda me 77 vota. Dhjetë mijë votues nga diaspora janë regjistruar deri tani në qytetin e një mbi një dritareve, çka e fut në një realitet të ri shifror garën, të paktën në një pjesë të saj. Kjo pritet të ndodhë kudo ku votimet do të jenë të ekuilibruara, siç rasti i vitit 2021 në Berat.
Nuk është e rastit se kjo peshë e papritur që ka marrë vota e diasporës, ka zgjuar të gjitha strukturat e partive kryesore. Të gjithë krerët kryesorë të pozitës dhe opozitës, pa harruar partitë e reja, kanë lënë makinat e kanë marrë avionët. Ka një “mësymje” të vërtetë të politikës shqiptare në qendrat e mëdha urbane të Greqisë, Italisë, Gjermanisë e Britanisë, për të joshur një votues i cili përbën parimisht një objekt të padeshifrueshëm për politikën e Tiranës në 11 maj.
Në këtë përballje të parë me votuesit nga diaspora, secila palë politike vjen me rezerva dhe mosbesim. Së pari vështirë se e kishin pritur kaq të shumtë në numër. Së dyti, ky grup votuesish del nga hija e influencës e partive të mëdha në Tiranë, të cilat janë mësuar që zgjedhësit t’i kenë fizikisht në Shqipëri. Qasja në distancë është në vetvete problematike. Për këtë arsye ndoshta edhe vota e emigracionit është shtyrë për 30 e kusur vite!
Që 200 mijë votues të mos jenë të influencueshëm me medotat klasike të joshjes, presionit apo edhe blerjes në 11 maj, kjo përbën një hije të errët tejet të rrezikshme në planet elektorale të partive politike.
Ky votues që vjen për herë të parë në zgjedhjet shqiptare, ka krijuar jetën e tij të pavarur në botë, një egzistencë e ndërtuar mbi punën dhe aftësinë e tij, e jo të influencueshme nga partitokracia e Tiranës. Më tej akoma, ky votues sheh dhe thith një tjetër ajër nga ai i zgjedhjeve shqiptare, aty ku jeton e punon.
Votuesit që jetojnë në vendet perëndimore janë të mësuar me përballjet e forta elektorale, rotacionet, krizat qeveritare dhe zgjedhjet e parakohshme apo edhe referendumet.
Në anën tjetër, duke e parë nga larg atdheun e tyre, këta votues kanë një perceptim të zhveshur nga emocionet, propoganda apo influencat e tjera, ndaj asaj që ndodh në Shqipëri, mënyrës sesi qeveriset, sesi bëhet politikë, sesi shkon ekonomia dhe jeta në përgjithësi. Kësisoj, përtej grupimit të votuesve që vijojnë të jenë të atashuar pas preferencave partiake që kanë lënë pas, të tjerët janë të ftohtë dhe logjikë në mënyrën sesi votojnë.
Këtu nis e panjohura dhe problemi i madh i partive në Tiranë. Rama ka frikë se mos kjo masë tashmë jo e vogël votuesish i kthehet kundër duke i prishur planet e mandateve nëpër qarqe, Berisha i tutet konsumit të tij të tejskajshëm dhe dëshirës eventuale të diasporës për një ndërrim kuajsh në krye të opozitës 33 vjeçare, partitë e vogla i shohin këta zgjedhës si terrenin e tyre të natyrshëm por i tremben faktit që për shumë prej votuesve në Evropë apo Amerikën e Veriut ata mbeten të panjohur dhe në hije.
Shkurt, politika në Tiranë do të donte të kishte më pak pjesëmarrje nga shqiptarët jashtë vendit, pasi ata janë një koeficient që mund të prishë të gjithë ekuacionin në 11 maj. Dyndjet e politikanëve e zyrtarëve partiakë që këto ditë kanë zbarkuar në qendrat e mëdha të emigracionit shqiptar, janë lakmuesi i shqetësimit që ka ngjallur në Tiranën politike fryrja graduale e listës së zgjedhësve nga diaspora.
Megjithatë këto janë llogaritë të vogla e meskine në krahasim me aktin e dhënies zë dhe figurë të mbi një milion votuesve që deri dje shihnin e dëgjonin (pasi kishin sjellë në atdhe remitancat e majme), sesi ndahej pushteti në vendin e tyre, pa pasur mundësi të influenconin sadopak në procesin politik. Në 11 maj kjo heshtje nis e thyhet. Shqiptarët më në fund po fillojnë të flasin jo përgjysëm, jo vetëm si një pjesë, por si një e të tërë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.