Vitet e fundit çmimet e pasurive të paluajtshme kanë pësuar një rritje të ndjeshme në vendin tonë. Tendencë kjo që duket se do të vazhdojë. Në vitin 2025 tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri parashikon një rritje të konsiderueshme të çmimeve të apartamenteve me 15%.
Gazetarja Erikleda Dorezi në studion e “Rudina” renditi faktorët që do të ndikojnë në këtë rritje.
“Do iu referohem dy shoqatave kryesore, shoqatës së ndërtuesve dhe shoqatës së ndërmjetësuesve të pasurive të paluajtshme të cilët në fakt kanë deklaruar që do të kemi sërish një rritje të çmimit të apartamenteve në kryeqytet, por dhe në të gjithë vendin.
Kjo vjen si pasojë e mos rivlerësimit të banesave të cilat kanë qenë. Dhe 15% në fakt do të reflektohet në çmimin e apartamenteve, por jo vetëm.
Duhet të themi që zhvillimi i infrastrukturës sigurisht që e ka rritur vlerën e pronës, po flasim për zona të cilat më parë kanë qenë me një çmim disi mesatar apo të ulët dhe ishte shumë e lehtë për të blerë për një familje të re.
Kurse tani për një familje të re është pak më e vështirë blerja e një apartamenti dhe sigurisht rivlerësimi i banesave për ato banesa të cilat kanë qenë të vjetra le të themi në infrastrukturë, sigurisht që do e shfrynte disi këtë çmimin e apartamente që pritet të jetë më 15%. Duke iu referuar dy shoqatave që unë thashë janë 4.2 milionë pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe është bërë rivlerësimi vetëm për 280 mijë.
Që do të thotë se ne do të kemi një rritje të çmimit të apartamenteve, një rritje që mund të jetë fiktive dhe jo reale për shkak të mos rivlerësimit. Por, sigurisht që ka ndikuar dhe rritja e çmimit për materialet e ndërtimit.
“Sigurisht infrastruktura e zhvillimit ka ndikuar në zona të caktuara. Po marr zonën e Astirit e cila para dy vitesh ka pasur një çmim rreth 900 Euro për metër katror, sot ka arritur në 1200 metër katror. Ndërkohë që zona të tjera që janë shumë të lakmuara nga qytetarët shqiptarë, por dhe investitorët e huaj.
Në fakt jo vetëm për qytetarët shqiptarë të cilët mesa duket janë shumë të interesuar të bëjnë blerje në pasuri të paluajtshme, por dhe investitorët apo qytetarët e huaj kanë shfaqur interes për të blerë në Shqipëri dhe kjo mesa duket lidhet edhe me integrimin europian të Shqipërisë i cili në fakt duket sikur i ndihmon më së shumti për të bërë blerje në Shqipëri. Por, janë dhe vetë qytetarët të cilët e shohin si një kontribut kryesor blerjen e një apartamenti i cili do të ketë një vlerë më të lartë në vitet më pas”, tha gazetarja./ S,M