Deputeti i PD Luan Baçi tha se shumica dërrmuese e votave të diasporës janë për të Djathtën. Në një intervistë në News 24, ai tha se PS nuk e do votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Vota e diasporës është tepër e rëndësishme dhe ka qenë një iniciativë e PD-së. Ne duam që të votojnë edhe shtetasit shqiptarë, që nuk disponojnë pasaportë apo mjet identifikimi. Ka shumë shtetas shqiptarë që disponojnë një dokument të vendeve të huaja dhe janë në gjendjen civile të Shqipërisë. Të votojnë të gjithë shqiptarët që janë në regjistrat tanë. Maxhoranca nuk e donte fare votën e diasporës. Çdo shqiptar duhet ta ketë të drejtën e votës. Shqiptarët në diasporë janë larguar nga kjo qeveri, ndaj shumica e votave dërrmuese të diasporës janë për PD-në. PS kërkon dështimin e votës së diasporës. Ne do bëjmë denoncime për çdo rast, nëse ka abuzime në diasporë. PS përdor fondet e shtetit dhe institucionet për zgjedhjet. Ne e kemi “luftën” me PS, jemi përballë PS dhe jo PD përballë shtetit”, tha Baçi.
Duke u ndalur tek primaret, Baçi nënvizoi se ata janë forma më demokratike për të pasur listën më të mirë të kandidatëve nga ana e PD-së.
“Ky vendim është i institucioneve të partisë dhe jo kryetarit të partisë. Sa i përket primareve, ato vendosin kandidatët më të mirë në lista. Primaret janë dobiprurëse, pasi strukturat e PD kuptojnë se kush janë kandidatët më të mirë. Primaret janë forma më demokratike brenda një partie politike”, u shpreh ai.
Duke folur për protestën më 8 shkurt, Baçi deklaroi se ajo do të jetë madhështore dhe se në të ftohen të gjithë shqiptarët.
“Protesta më 8 shkurt do jetë protestë madhështore, ku ftohen në tubim të gjithë shqiptarët, mund të vijnë fermerët, qytetarët shqiptarë, të punësuar e të papunësuar, të gjithë të jenë pjesë e ndryshimit. PD nuk ka bërë protestë të dhunshme. Protesta është e gjithanshme, për të treguar se jemi maxhorancë dhe do bëjmë ndryshimin më 11 maj. Qytetarët kërkojnë sa më shumë protesta”, përfundoi Baçi./ S,M