Kryeministri Edi Rama u shpreh se bonuset për pensionistët do të vazhdojnë dhe ata do të marrin pjesë në shpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike. Gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, zhvilluar dje në Tiranë, Rama solli në vëmendje faktin se tashmë pensionistët marrin dy bonuse në vit. “Do të ecim paralelisht, nga njëra anë me bonuset të cilat janë rritur në mënyrë të ndjeshme, janë rritur në aspektin sasior, janë rritur dhe në aspektin e kohës së dhënies së tyre. Pra, nga një bonus të fundvitit ne kemi kaluar në dy bonuse, një në fundvit dhe një në pranverë, dhe i kemi lidhur këto bonuse me rritjen ekonomike dhe performancën e ekonomisë,” tha Rama.
Përfitimet
Lidhur me bonusin që pensionistët do të përfitojnë në javët në vijim, eksperti i Ekonomisë Fatos Çoçoli tha se janë rreth 206 mijë pensionistë që do të marrin 5 mijë lekë të reja. Ai u shpreh se janë rreth 524 mijë pensionistë që kanë pension nën 200 mijë lekë të vjetra që do të marrin 10 mijë lekë të reja bonus. “Bonusi i dhjetorit 2023 ka qenë 20 mln euro, bonusi i dhjetorit 2024 ka qenë 100 mln euro dhe bonusi i pranverës 2025 është 64 mln euro. Janë 206 mijë pensionistët që do të përfitojnë nga 1 marsi 5 mijë lekë të reja, ndërsa 524 mijë pensionistë që janë nën 200 mijë lekë të vjetra pension mujor 10 mijë lekë të reja, pra këto për bonusin e pranverës”, tha ai. Eksperti i Ekonomisë bëri me dije se sa do të rritet pensioni minimal, mesatar dhe pensioni për ata pensionistë që marrin mbi 200 mijë lekë të vjetra në muaj “Pensioni minimal rritet me 2 800 lekë të reja, po aq do të rritet edhe pensioni mestar deri në 200 mijë lekë, kurse ato pensione që janë më të larta se 200 mijë lekë marrin 12 500 lekë të tjetra në muaj shtesë deri në nëntor të këtij viti, në dhjetor ka bonus tjetër”, tha ai.
Lidhur me njohjen e periudhave të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore para vitit 1994, edhe kur qytetarët nuk kanë dokumentet e nevojshme, ai tha se nga kjo amnisti pritet të përfitojnë rreth 30 mijë persona. “Ata që kanë punuar para vitit ‘94 që kanë qenë në kooperativa bujqësore edhe pse s’kanë dokumente sepse janë humbur i përfiton ato si vite pune. Edhe ata që kanë dal në pension i përfitojnë. Qytetarët shkonin në gjykata harxhonin lekë derisa ti njiheshin. Do të përfitojnë rreth 30 mijë persona”, tha ai i ftuar në një studio televizive.
Skema e re
Nga ana tjetër Banka Botërore, vlerëson se në kushtet kur në dekadat e ardhshme projektohet një dyfishim i numrit të atyre që përfitojnë pension dhe përgjysmim i punonjësve, propozohen disa ndërhyrje thelbësore. “Çfarë mund të bëhet për përmirësimin e rezultateve të sistemit te pensioneve? Kohëzgjatja e viteve të shërbimit. Kjo nuk do të thotë që rritet mosha e daljes në pension. Por mund të bëhen mekanizma fleksibël dhe kombinime të ndryshme të elementëve. Përmirësimi i përputhshmërisë dhe rritja e mbulesës së kontribuuesve në sistem. Këtu ka implikime direkte juridike por dhe indirekte. Përmirësimi i barazisë dhe stimujve për të kontribuuar. I pari ka të bëjë me barazinë e formulës së pensioneve në 50 vite shërbim ku futet dhe pensioni social, mund të ketë raste kur ka individë që kanë vite më të pakta pune për tu futur dhe për të marrë pjesë në sistemin e pensionin social dhe mund të mos jenë të interesuar për këtë arsye dhe së dyti është fusha e daljes para kohe në pension, dhe për profesionet e posaçme. Rritja e pensioneve sistemike sesa ad hoc, do të thotë kontribute më të larta dhe për pensionistët aktual në sistem ajo që mund merret parasysh mund të jetë një indeksim suplementar në kuadrin e disa kushteve specifike. Forcimi i kuadrit për pensione të financuara në mënyrë individuale”, tha Zoran Anusic, Ekonomist i Lartë i Bankës Botërore.
Detajet
Ndërsa zv/ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, u shpreh dje se përballë këtyre sfidave do të diskutohet edhe nëse është e nevojshme përfshirja e kolonës së dytë të detyrueshme në skemë. “Sfidat me të cilat përballemi janë mbulimi; mjaftueshmëria; qëndrueshmëria; Barazia. Reformë parametrike apo sistemike? Do diskutohet nëse a ka nevojë të ketë kolonë të dytë. Do merren parasysh të gjithë këto faktorë. Një element tjetër i rëndësishëm është çfarë do ndryshojë në pensionet ekzistuese? Kemi një stok të madh pensionesh 720 mijë që përfitohen aktualisht. Duhet të kemi parasysh jo vetëm faktorët demografikë por dhe tendencat në tregun e punës”, tha ajo./ SM