Sondazhi/ Partia Demokratike rezultat më të keq se në vitin 1997

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

“Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot: 40.5% e qytetarëve thonë se do të votonin Partinë Socialiste dhe vetëm 24.9% e tyre tregojnë se do të votonin Partinë Demokratike”, janë të dhënat e sondazhit të publikuar nga Euronews për zgjedhjet e 11 majit. Ky rezultat që sipas analizës së vetë demokratëve, rezulton të jetë shumë afër të vërtetës, tregon pikën më të ulët të besimit të PD-së tek qytetarët prej kohës kur kjo parti është themeluar. Në zgjedhjet e 29 qershorit të vitit 1997, Partia Demokratike mundi të merrte 25.7 për qind të votave. Sondazhi na tregon se PD do të paraqitet në këto zgjedhje më keq se në ato të vitit 1997, kur PD kishte kaluar në një proces shkatërrimi, pasi akuzohej përgjegjëse për trazirat e vitit 1997, kur Shqipëria ishte në kaos total, pasi kishin rënë institucionet dhe për pasojë u vranë rreth 3 mijë shqiptarë.

Tema sjell procesverbalin e rezultateve të zgjedhjeve të 29 qershorit 1997, ku shfaqen të dhënat zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve për të gjitha partitë.

“Dokumentacioni që disponohet, i arkivuar në Arkivin e aparatit të Kryesisë së Kuvendit Popullor, si procesverbalet e komisioneve të zgjedhjeve të zonave, njoftimet dhe vendimet e KQZ-së vërtetojnë se: Në 115 zona të zgjedhjeve janë regjistruar 2.301.341 zgjedhës. Nga këto kanë votuar 1.308.023 zgjedhës, ose 72.96 për qind e tyre. Sipas të dhënave del se: 52.75 për qind votuan për Partinë Socialiste; 25.70 për qind votuan për Partinë Demokratike; 3.25 për qind votuan për Partinë Lëvizja e Legalitetit; 2.49 për qind votuan për Partinë Socialdemokrate; 2.75 për qind votuan për Partinë Aleanca Demokratike; 2.84 për qind votuan për Partinë e Bashkimit të Drejtave të Njeriut; 2.41 për qind votuan për Partinë Republikane dhe 2.35 për qind votuan për Partinë e Ballit Kombëtar. Nga 115 vendet për deputetë që ka Kuvendi Popullor, rezulton se: 80 vende ose 51.61 për qind i ka fituar PS-ja; 28 vende ose 18.6 për qind i ka fituar PS-ja me PSD-në, prej të cilave 20 vende i ka PS-ja dhe 8 vende i ka PSD-ja; 27 vende ose 17.42 për qind i ka fituar PD-ja; 2 vende ose 1.29 për qind i ka fituar PSD-ja; 4 vende ose 2.58 për qind i ka fituar PBDNJ; 2 vende ose 1.29 për qind i ka fituar PAD-ja; 1 vend ose 0.65 për qind i ka fituar Partia e Ballit Kombëtar; 2 vende ose 1.29 për qind i ka fituar Partia Lëvizja e Legalitetit; 1 vend ose 0.65 për qind i ka fituar Partia e Unitetit Kombëtar; 1 vend ose 0.65 për qind i ka fituar Partia Republikane; 3 vende ose 1.94 për qind i ka fituar e Djathta e Bashkuar Shqiptare; 1 vend ose 0.65 për qind i ka fituar Partia Agrare; 3 vende ose 1.94 për qind i kanë fituar deputetët e pavarur”, në raportin parlamentar të rezultatit të zgjedhjeve të 29 qershorit 1997.

Seanca u drejtua nga shkrimtari Dritëro Agolli, në atë kohë deputet i Partisë Socialiste. Ai u zgjodh për drejtimin e sëancës pasi ishte deputeti me i moshuar i asaj legjislature. Risjellim për publikun edhe fjalimin që Agolli mbajti, në drejtimin e seancës së parë parlamentare pas zgjedhjeve të 29 qershorit. Në fjalim pasqyrohet situata dramatike e Shqipërisë së asaj kohe, dhe pasojat e kaosit që kishte përfshirë vendin për më shumë se një vit, kur institucionet shtetërore nuk funksiononin.

Lexo edhe :  Financimi në bujqësi/Rama:Synojmë që deri në 2030,eksportettë arrijnë në një miliard euro

E mërkurë, 23.7.1997 Seancë

Drejton deputeti Dritero Agolli

Dritëro Agolli – Zotërinj deputetë, të nderuar miq dhe të ftuar,

Më në fund, pas një pritjeje të mundimshme, i çelëm portat e Legjislaturës së re të Kuvendit Popullor, i çelëm me një nënqeshje të lodhur në buzët tona, por aspak të ngrirë. Dhe është nder për mua, si një ndër 10 deputetët më të moshuar, t’i hap punimet e sesionit të parë të Legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e 29 qershorit 1997.

Zonja dhe zotërinj,

Zgjedhjet e reja dhe të parakohshme të qershorit janë ngjarja më e rëndësishme politike për mbarë popullin shqiptar, që vuri në lëvizje dhe shqetësuan, si rrallë ndonjëherë, opinionin e jashtëm për kushtet e veçanta dhe të çuditshme në të cilat u zhvilluan. Si të veçanta e të çuditshme, ato tërhoqën vëmendjen e organizmave më të larta të Ballkanit e të Europës dhe të SHBA-së. Prandaj shumë parlamentarë, senatorë, kongresmenë, gazetarë dhe vëzhgues nga OSBE-ja dhe Këshilli i Europës i ndoqën me kujdes nga afër dhe i mbikëqyrën këto zgjedhje në te gjitha zonat e Shqipërisë. Dhe treshja europiane që i drejtoi, shprehu vlerësimet e konsideratat për zhvillimin e tyre dhe u arrit në përfundimin se ato ishin më se të pranueshme për kushtet në të cilat u bënë dhe si të tilla duhet të jenë baza e një sistemi të qëndrueshëm demokratik, të cilin shqiptarët e dëshirojnë dhe e quajnë jetik, ashtu si vazhdimin e përpjekjeve të pandalura për pajtimin kombëtar, për një jete të qetë, pa krisma armësh apo vetëtima thikash dhe për një shoqëri të qytetëruar. Kjo dëshirë u shpreh haptazi në pjesëmarrjen e lartë të popullit në votimet e 29 qershorit dhe flet për interesimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë së shqiptarëve për fatin dhe të ardhmen e demokracisë në vendin e tyre, një demokraci e drejtë dhe e civilizuar, pa mballomet e kanuneve primitive të shpellave të dikurshme. I takon këtij Kuvendi dhe mbarë forcave politike që të bien thellë në mendime për ato që ndodhën në Shqipëri, për ato dëshira dhe kërkesa të banorit dhe të qytetarit të këtyre maleve, pra i takon këtij Kuvendi dhe këtyre forcave politike që të marrin parasysh, me ndërgjegje patriotike, interesat e popullit tonë, të zemëruar nga rraskapitja dhe të rënduar nga pesha e ankthit, për t’u dhënë zgjidhje, me dituri e mençuri, problemeve të mprehta si brisk, që shtron sot shoqëria jonë, problemeve ekonomike, politike, kulturore, morale dhe, mbi te gjitha, atdhetare e kombëtare.

Zonja dhe zotërinj,

Duke përfunduar, dua të falënderoj popullin tonë, aspak rrëmujëmadh, por paqësor dhe demokracidashës, për qetësinë, mençurinë dhe civilizimin që tregoi në votime, që nga lartësitë e Veriut deri në thellësitë e Jugut.

Dua të falënderoj OSBE-në, Këshillin e Europës, SHBA-në, trupin diplomatik dhe të gjithë miqtë e Shqipërisë për ndihmën e dhënë në kurorëzimin e zgjedhjeve të 29 qershorit për deputetë në Kuvendin Popullor. Kështu, seancën e parë të Legjislaturës së re të Kuvendit Popullor e deklaroj të hapur dhe na shkoftë puna mbarë, në dobi të ringjalljes së Shqipërisë, të rindërtimit te institucioneve demokratike dhe të përhapjes së frymës të re të komunikimit mes opozitës dhe pozitës, që askush të mos e ndiejë veten të tepërt në atdheun tonë të shumëvuajtur”./ k.k/Tema

Të fundit

Netanyahu lëshon ultimatum ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve!

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pas një takim katërorësh të kabinetit më herët sot në përgjigje të Hamasit, deklaroi se...

‘Unë jam me Erionin’,deputeti i del në mbrojtje Veliajt:Nuk mund ta trajtojnë si kriminel

Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Me hashtagun “Me Erionin”, ai shprehet se dikush...

Pas një rrugëtimi të vështirë, Parashqevi Simaku bëhet me shtëpi të re

“Përshëndetje nga shtëpia e re e Parashqevi Simakut dhe Ina Simaku, që ka ardhur sot nga Franca….”, nis kështu një video në Instagram e...

Qarku me shifrat më të larta, prefektja e Shkodrës sfidë kultivuesve të kanabisit

Shkodra vazhdon që të jetë ndër qarqet me numrin më të lartë të rasteve të kultivimit të kanabisit. Për këtë arsye prefektja e qarkut të...

Mega operacioni kundër mafies/ Policia italiane arreston 130 persona në Siçili

Autoritetet italiane kanë ndërmarrë një operacion të madh kundër mafies siciliane këtë të martë. Rreth 130 persona ranë në pranga në atë të cilën...

Lajme të tjera

Web TV