Pushteti shpirtëror i këngëtares Vaçe Zela, e cila mbetet një emblemë, nesër nuk do të jetë në dorën e inteligjencës artifaciale, por në memorien e popullit shqiptar…
Bota e klikimeve është bërë një mënyrë jetese për njerëzit publikë. Në dallim nga kohërat e shkuara, kur mesazhi i këngës dhe i artit ishte ushqim shpirtëror për popullin e rropatur në diktaturën komuniste. Kjo në variantin më të mirë, kur bëhet fjalë për të shkruar për një personalitet të artit dhe kulturës shqiptare, siç ishte miti i muzikës së lehtë shqiptare Vaçe Zela. Kur ti sheh se arkiva elektronike për këtë figurë është tejet e varfër, dhe gati amatore dhe e papërpunuar del në konkluzionin, se mjeshtrit e emisioneve qëndrore në televizionet më të ndjekura ngelen padyshim një ikonë e memories sonë kombëtare.
Nuk desha të sjell në mendje një video virale ku profesor Përparim Kabo pyet njerëzit që nesër do të përfaqësojnë drejtësinë, për Borselinon, Falkonen, e Kleanthi Koçin. Të mos e kthejmë kujtesën pas në emisionet investigative, si nxënësit dhe mësuesit lënë për të dëshiruar në njohurit e përgjithshme, kur i pyet për Ismail Qemalin, e për Kadri Roshin, apo Marie Krajën.
Deri kur e ndiera Vaçe Zela iu dorëzua natyrës, media u kujtua për të vetëm në rastet e përvjetoreve të saj; si 60 vjetori, 65 vjetori apo 70 vjetori i lindjes së saj. Duhet të përmend disa nga këto figura të televizioneve, Alfons Gurashi, Pushkin Lubonja,Yli Pepo, Blendi Fevziu, Pandi Laço, Rudina Magjistari, Jonida Shehu, Alban Dudushi, Rudina Xhunga, Ardit Gjebrea, Adi Krasta, Zerina Kuke, Alketa Vejsiu etj, të cilët ditën që në ato momente të çiftëzonin informacionin me emocionet e të ftuarve dhe sintetizuan edhe trashëgiminë e këngës shqiptare me të ftuarit që fillojnë nga Çesk Zadeja, Anita Take, Pavlina Nika, Tish Daija, Agim Krajka, Agim Doçi, Osman Mula, Luan Zhegu, Alida Isku, Ema Qazimi, Afërdita Laçi, Sherif Merdani, Mifarete Laze, Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Gazment Mullai, Zhani Ciko, Lindita Dheodhori, Kastriot Gjini, Mentor Xhemali, Dritëro Agolli, Faslli Aliti, Visar Zhiti, Mevlan Shanaj, Gëzim Çela, ish i burgosur politik, i cili ka pasur dhuratë kitaren nga Vaçja.
Vazhdon më tej me emrat e mirënjohur të artit Bujar Kapexhiu, Haxhi Rama, Leka Bungo, Justina Aliaj, Shqipe Zani, Nora Çashku, Frederik Ndoci, Qemal Kërtusha etj..
Në pamjet që shfaqen në emisionet e tyre, merr deri diku informacion më të saktë për jetën e mbretëreshës së këngës shqiptare Vaçe Zela. Problemi shtrohet tek aftësia e memorizimit, gjë që varet nga pagesa ndaj Googles dhe aplikacioneve të ndryshme.
Shkurt nëse entet tona mediatike, sidomos ato kombëtare, do mbeten pas në investimet në teknologji, ne do të humbim kujtesën (memorizimin) dhe do të na dukeshin shumë të largëta në mos të pakonceptueshme kohët që kemi jetuar, dmth (arkiva dixhitale). Forma amatore në portale nga shumë admirues që ngushëllonin në ditën e lamtumirës së Vaçes ishte një dëshirë tejet optimiste, që po përgatiste një kujtesë me një krijimtari të larmishme.
Kam shfletuar faqe të tëra për jetën e Vaçe Zelës, por informacionin më të bollshëm e gjen në sajë të lundrimit në internet. Kur fillon emisioni “Një kronikë një temë” jemi afër në kohë, por edhe në sinkron me kollosët e muzikës Çesk Zadenë, Kujtim Laro, Aleksandër Peçi, Limoz Dizdari, Aleksandër Lalon, Eno Koçon, Ferdinand Dedën dhe kolegët e tij, përfshi edhe Vaçen. Në një tjetër emision shumë të ndjekur “Histori pa zhurmues” u duk sikur shumë pjesë së kujtesës sonë po rilidheshin edhe po plotësohej një pjesë tepër e ndjeshme në kulturën memoristike.
Në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë” ishte arti ai që i bashkonte shqiptarët mbas ngjarjeve të vitit 1997. “Në këngët e shekullit” jemi të mbërthyer tek nostalgjia e muzikës shqiptare e ripunimi i tyre ishte një gjetje e arrirë. Apo edhe emisioni “Na ishte njëherë Muzika”.
Dikur thoshte e madhja Vaçe Zela – “Sikur të kisha kënduar (Sterio), do të kisha kënduar 500 vjet”. Teknika mono e asaj kohe, ose e asaj kënge e cila këndohej direkt, kërkonte përqëndrim, pasion teknikë dhe përsosmëri dhe krijonte një lodhje sfilitëse, gjë që Vaçja e kishte bërë pjesë të jetës së saj. Kënga ishte jeta e saj, nuk është thjesht një frazë eufemike. Atë e dëshmojnë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me të.
Zhuljana Jorganxhi në prononcimimin e saj theksonte se -Vaçja do ta kërkonte një rrokje që vinte me zanore e dëshiruar sipas vokalit të saj, kërkonte edhe te kompozitori një melos që ti ngjiste. Ne kishte raste që i hiqnim dhe i bënim së bashku disa vargje. Tish Daija do të thoshte se – “Me këtë vokal dhe këtë mënyrë të kënduari Vaçja mund të kunkuronte në çdo skenë evropiane, por edhe më tej”. Po kështu e mban mend kompozitori Limoz Dizdari debatin tepër profesional me Vaçen, kur siç thotë ai – Ajo shpesh kishte të drejtë.
Po ashtu ish regjizori i Estradës së Shtetit, Bujar Kapexhiu e kujton Vaçen magjiplotë në skenë dhe njeriun plot humor, e miken më të mirë të të gjithë trupës. – “Kur këndonte Vaçja të dukej vetja sikur ishe në stadium, aq duatrokitje e rikthime në skenë sa ka marr ajo, nuk kam parë një të dytë”. “Ajo kishte hiperemocione përpara se të futej në skenë, kjo dihet nga të gjithë, por kur futej në skenë ajo humbiste, në komunikimin nëpërmjet këngës dhe falë inteligjencës artistike e ndjente suksesin me spektatorin, mbase kjo i dedikohet edhe faktit se ajo kish kryer studimet në Akademinë e Artit për dramaturgji”.
Në Festivalin e 11-të edhe pse në natën e parë për arsye të një gabimi të orkestrës, ajo e la këngën dhe në natën finale fitoi duartrokitje pambarim. Regjizori i Televizionit shqiptar, Osman Mula e vlerëson jashtëzakonisht Vaçen si personalitet artistik me një pamje të dhuruar nga natyra e cila në një projekt për një recital që ajo i propozon atij, nguli këmbë për tre këngë të huaja të cilat i kishte pjesë të repertorit të saj, por që fatkeqësisht drejtoria nuk ia kish pranuar dhe ajo nuk kish toleruar aspak. -Kur këndonte Vaçja në sallën e Akademisë së Arteve dridheshin xhamat, thotë Mulaj.
Mevlan Shanaj shton më tej se – “Vaçja që erdhi nga qyteti i vogël i Lushnjes emancipoi Tiranën me mënyrën e saj të intepretimit të këngës. Ajo që kur ish e vogël për të mësuar tekstin e këngës “Granada” iu lut kino-operatorit të kinemasë që ta shihte filmin disa herë, në mënyrë që të shkruante atë çfarë dëgjonte nga ajo këngë”. Këmbëngulja e saj ishte e paimagjinueshme dhe u bë pjesë e karakterit të saj.
Luan Zhegu e quan veten të privilegjuar që pati fatin në vitin 1975 të kishte këngën “Shokët” me Vaçen, sepse një këngë këndohej nga dy këngëtar të ndryshëm në festival. Myfarete Laze debutoi në festivalin e këngës në moshë shumë të re, por siç e thotë ajo nga ato kujtime me Vaçen. -Pashë një Vaçe pas kuintave të ulur në gjunjë me duart të akullta e cila më inkurajonte e më uronte sukses. Por siç duhet ta dini, ajo e kristalizonte mendimin. -Se nëse një tekst i rrinte mirë e rishikonte me poetin deri në detaje, ose kur kishte gjetur një kompozim të bukur, përpiqej për të afruar një poet të ri mjaftonte që teksti të ish i mirë.
Ardit Gjebreja ende nuk e heq nga mendja Vaçen me këngën “Shoqet tona Ilegale”, kur e ndiqte në sallë këtë festival si fëmijë. Vaçja për të është këngtarja më e madhe e të gjitha kohërave, me një vokal të veçantë e cila përdorte me meçuri e intuitë të lindur zërin e saj për të fituar zemrat e publikut.
Inva Mula e rritur në atelienë e sallës së “Pallatit të Kulturës” e quan diva e skenës shqiptare Vaçe Zelën. Me këngën “Valsi i Lumturisë”, kompozimi i Avni Mulës dhe tekst të Luigj Gurakuqit, ajo vuri vulën e përjetësisë në artin shqiptar.
Agim Krajka ishte bashkëudhëtar i shumë sukseseve të Vaçe Zelës, si me këngët “Lemza”, “Djaloshi dhe shiu”, “Fëmija e parë”. -Shumë prej këtyre këngëve të Vaçes spektatorët fillonin i këndonin dhe i fishkëllenin fill mbas mbarimit të festivaleve kujtonte Krajka.
Zhani Ciko kujton një turne të Ansamblit në Kinë. Vaçe Zela mësoi në kohë rekord tekstin në gjuhën kineze të këngës dhe u komplimentua nga kryeministri Çu en Lai, për mënyrën korrekte të theksimit të fjalëve dhe i uroi suksese të mëtejshme në qytetet e tjera të Kinës, ku na prisnin me mijra spektatorë. Ciko kujton- Festivalin e parë i cli ishte një model në miniaturë i “Festivalit të Sanremos”, i përmasave botërore. Vaçja si këngëtare dhe shumë kompozitorë si Muharrem Xhidiku, Baki Kongoli, Gjergj Leka, Gjon Simoni, Agim Prodani, Agim Krajka, Tish Daija, Prengë Jakova, kishin shëmbëlltyrën e tyre këngëtarët italianë me aq shumë përvojë, si Milva, Nina Pici, Iva Xaniki, Ornela Vanoni, Orieta Berti.
Vaçja mbasi vinte në Liceun artistik për të marrë leksione në mësimin e krijimtarisë artistike njëkohësisht vazhdonte shkollën e mesme në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, ku spikati me talentin e saj dhe u bë pjesë e rinisë gjimnaziste të Tiranës me kitarë.
Siç shkruan Nexhat A. Agolli në librin e tij “Vaçe Zela magjia e këngës shqiptare,”-Pasioni për këngën ia shtoi dëshirën të mësonte edhe një instrument, kitarën. Jo nga dëshira për të qenë e kohës, por më tepër të ishte e pavarur (nga çdo lloj shoqërimi), që ta mundësonte në përcjelljen (ligjërimin) e këngëve, për t’u futur më thellë në botën e tingujve. -Eh, kitara e Vaçes, e dashura, mikja e saj e pandarë! Kudo që shkonte këngëtarja e merrte me vete- orkestrën- kitarën e saj…
Gjatë kohës kur ajo këndonte në Shtëpinë e Pionierit a në Shtëpinë e Kulturës u pasionua pas këngës dhe instrumentave dhe mësoi kitarën në mënyrë autodidakte, madje edhe baterinë me të cilën merrte pjesë në orkestrën e këtyre institucioneve. Në vitet ‘1955-65 Vaçen e bënë një protogoniste të Estradës së Shtetit e cila qoftë me kuartetin, qoftë edhe me kitarën e vet krijoi audiencën e saj me këngët e huaja si “Sei stato il primo amore”, “Camino” (italiane), “Granada”, “Antonio Vargas Serena”, “Malagenja” (spanjolle), ”Retien la nuit” (franceze).
Spektatorët e njësonin atë me këngëtaren Konis Frensis.
Poeti Agim Doçi i gllabëruar tërësisht nga ndjenja e dhimbjes jep një fakt interesant, e siç e ka zakon ai që me të folurën plot figuracion, krijon gjendje emocionale kur i duhet të kujtojë, se Vaçja tek sa këndonte në qendër të qytetit të Lushnjes këngën “Granada”, i ati i Agimit, Mëhilli fuksionar i lartë në atë qytet kur e pyeti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume,- kush është kjo vajzë që po duartrokitet kaq shumë dhe çfarë kënge këndoi?, iu përgjegj. -Po ja po këndon një këngë për municionet e granatat dhe gjenerali në sekond i thotë, -Po kjo qenka për Estradën e Ushtarit thuaj të vij në Tiranë. Vaçja në mendjen e poetit Doçi ishte një siluetë e përkryer e skenës shqiptare, e cila kishte një inteligjencë të rrallë artistike, por edhe ishte njeriu më modest që kish njohur. Ajo vërtetë kishte lindur më 7 prill, por ajo ishte antifashiste e madhe e i këndonte me aq dashuri e pasion këngët partizane. Ai së bashku me zotin Bexhet Pacolli i kishte premtuar asaj dhe familjes së saj, festimin e 75 vjetorit të lindjes dhe ta sillte me çarter nga Bazeli në Tiranë, por ja që ndodhi që ai së bashku me Pjetrin të shoqin e Vaçes, pritën në aeroportin e Prishtinës arkëmortin e Vaçes mbuluar me flamurin shqiptar dhe ishte pjesë e organizimit të homazheve në Kosovë e në Tiranë. I dhanë lamtumirën e fundit këngëtaret nga Kosova e madhja Nexhmije Pagarusha dhe e mirënjohura Flora Gashi.
Marash Hajati tregon se në formimin e saj ndikuan mësuesit Aleks Dani, dhe Fotaq Filipeu dhe Hekuran Zhiti. Poeti dhe shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli do të shprehej për Vaçen, -Ajo ishte një artiste e madhe dhe hapi një epokë te re në të kënduarit e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë. Ajo këngën e zgjoi dhe e bëri një organizëm të gjallë, ku lëvizën e vibruan të gjitha molekulat dhe celulat. Në këtë organizëm ajo nuk la asnjë pjesëz të fjetur dhe të dremitur.
Hysni Zela teksa tregon fëmijërinë e tij dhe jetën e motrës së tij, Vaçes, e cila ngjan si historia e yjeve të futbollit sot, Ronaldo e Mesi të cilët erdhën nga lagjet e varfëra e kur nuk harrojnë nga vijnë edhe pse janë aq të famshëm edhe shumë të pasur.
Vaçja e kish mësuar këngën popullore në gjirin e familjes. E ëma e saj Havaja kishte ndikuar me zërin e saj, natyrisht edhe xhaxhallarët ku mblidheshin për të kënduar. Turnetë e shumta të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, kanë padyshim edhe suksesin e Vaçes me këngë popullore me motive myzeqare. Hysniu i kujton sukseset e Vaçes nga Norvegjia, Suedia, Gjermania, Franca e Italia, Greqia e shumë vende të tjera, ku ndër të tjera dikush e krahasonte me këngëtaren e famshme fanceze Edit Piaf, apo nuk mund të le pa përmendur këngëtaren e madhe greke Marinela. E cila erdhi dhe e takoi në skenë Vaçen duke e uruar me fjalët më të mira dhe të nesërmen me grupin e saj na shtruan një darkë, duke ngritur dolli për dy yjet e këngës greke dhe shqiptare.
Në Itali atë e krahasonin me Milvën e cila ishte një ikonë e paprekshme për spektatorin Italian, shton Hysniu. Vajza e Vaçes, Irma, e cila u përkushtua deri në frymën e fundit të nënës së saj, tregon për një këngëtare sa të madhe në skenë, po aq modeste, e thjeshtë dhe tepër e dashur me njerëzit. Me një respekt të jashtëzakonshëm për vjehrrën e saj austriake nga e cila mësoi shumë, krahas gatimit dhe kulturën e saj vjeneze. Irma thekson se Vaçja kishte kërkesa ndaj vetes në princip: – “Çduhej të bëj që të arrij më shumë?, ishte motoja e saj”. Vaçja në asnjë shfaqje nuk donte të bënte të njëjtën gjë. Nuk ishte thjesht një ambicje për lavdi. Jo, ajo gjithnjë kërkonte të arrinte një kulm, dhe pas tij një kulm tjetër. Kënga për të ka qenë jeta e saj,
-I kam dhënë një pjesë të shpirtit tim thoshte ajo. Vaçja dashurinë e dytë kishte dashurinë për lulet, trashëguar nga i ati Hasani, aq sa në ballkonin e shtëpisë mbolli një mozaik me lule e komshinjtë u mahnitën nga ajo hijeshi dhe përkushtim i saj. Edhe në Tiranë ajo ishte një amvisë plot shije për të bukurën. E skiconte veshjen e saj vetë, e qepte me duart e saj dhe ishte krejtësisht e veçantë në veshje.
Jashtë, ajo jetonte me kujtimet e atdheut, e këpuste malli për Shqipërinë, ndaj kur shkuam në stadiumin e Gjenevës, për të parë ndeshjen e kombëtares sonë me atë zviceriane, sapo dolëm nga makina e valviste flamurin shqiptar, dhuratë e nxënësve të një shkolle në Lushnje, dikush e njohu nga sportëdashësit dhe një kor i madh prej 1000 vetash thërrisnin Vaçe, Vaçe e kush mund t’a puthte nga duart e balli…
Ishte një nga momentet më emocionale të jetës së saj. Aty ishin këngët, “Erë pranverore”, “Këngët e vendit tim”, “Gjyshes”, “Qyteti rri zgjuar”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gjurmë të arta”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Sot jam 20 vjeç”, “Mësuesi hero”, “Shqiponjë e lirë”, “Mesnatë”, “Shkurte Vata”, Gjurmë të arta”, “Kwngwt e vendit tim”, “Moj e bukura More” e dhjetra të tjera. Vaçja e kish të vështirë të fliste për veten, por ajo thoshte se Festivali ishte shqetësimi më i bukur i jetës së saj. Përballja me spektatorin e festivalit ka qenë për Vaçen e pazëvendësueshme. Mungesa në festival i dukej sikur e linte prapa në kohë. Në moshën 45 vjeçare, kur ajo po arrinte pjekurinë artistike del në pension sipas ligjeve të shtetit. E përjetoi shumë keq. Vaçja nuk ka kënduar kurrë në shtëpi edhe pse i luteshin miqtë e familjes që ishin të shumtë, kështu ndodhi me Kujtim Spahivoglin, i cili vajti mori kitarën në shtëpinë e tij e ajo sërish nuk pranoi.
Profesor Adriatik Kallulli ishte nga miqtë më të vyer të familjes sonë, dhe Fatmir Mneri komshiu ynë me nënën e tij, teta Balin, me të cilën Vaçja do të pinte kafen e mëngjesit dhe mblidheshim shpesh në oborrin e shtëpisë së trajnerit me emër, Xhavit Demnerit. Ajo ka pas kujtime të ëmbla e të tharta siç më thoshte shpesh. Dua të veçoj përkushtimin e babait tim Pjetër Radiqi i cili ishte njohur me të gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Lushnje. Ai vinte nga një familje tejet e kulturuar, por dashuria me shikim të parë me Vaçen ia lehtësoi jetën në çift. Ai kurrë nuk e përdori emrin e madh të Vaçes, si “Artiste e Merituar” dhe “Artiste e Popullit”, ishte shumë krenar për arritjet e saj, por nuk e shprehte. Mbas viteve 1993 e gjithë jeta e tij u shkri me dhimbjen e sëmundjes së saj. Lulet e saj ishin si kënga që i dedikoi këngëtari Naim Krasniqi me tekst të poetit Ekerem Kryeziu me titull “Jetën na dhurove”. Vaçja sikur po rilindte dhe nuk mundi të këndonte përpara atij spektatori aq të mrekullueshëm në ditën kur i akordohet tituli “Mjeshtre e Madhe e Punës” nga Presidenti i Republikës, zoti Rexhep Meidani. Për kontributin e saj në shërbim të kombit është e para femër që dekorohet për së gjalli me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu.
Në Festivalin e 35 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar i akordohet “Disku i Artë” 1996. “Çmimi i Madh i Karierës”. Po ashtu Instituti Amerikan i Biografive (ABI) i akordon “Diskun e Artë”. Shkolla në Tiranë merr emrin e saj, po ashtu edhe “Pallati i Kulturës” në Lushnje mban emrin e saj, është premtuar nga Bashkia Lushnje për t’a kthyer shtëpinë e saj në Muze. Pushteti shpirtëror i këngëtares Vaçe Zela, e cila mbetet një emblemë, nesër nuk do të jetë në dorën e inteligjencës artifaciale, por në memorien e popullit shqiptar. “Në dashuri, ashtu si në art, mençuria krejt e thatë e zhveshur, është një gjë e keqe”- thotë A. Bershtajn./ S,M