Çfarë ha Putini për mëngjes? Si funksionon propaganda e Kremlinit në Evropë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Enver Robelli

Çfarë ha Vladimir Putini për mëngjes? Gazeta proqeveritare serbe «Veçernje novosti» e di saktësisht: «Zakonisht ai ha mëngjes në mesditë, shpesh një omëletë ose tërshërë, me vezë thëllëzash dhe një gotë lëng frutash. Menjëherë pas mëngjesit, është koha për një kafe dhe më pas Putini kalon pak kohë në palestër. Është gjithashtu e njohur se Putini ushqehet shëndetshëm dhe perimet e tij të preferuara janë domatet, kastravecët dhe sallata. Ai preferon peshkun, megjithëse mishi i tij i preferuar është mishi i qengjit, dhe ai shmang ëmbëlsirat.»

Edhe kështu funksionon – nga Beogradi – adhurimi i “heronjve në shërbim të Rusisë”. Por ka edhe shembuj më ekstremë të propagandës, siç tregon studimi i sapo publikuar «Rusia: Pararendësja e autokracive – Si po e destabilizon Kremlini Evropën». Ky studim u financua nga fondacioni gjerman “Friedrich Naumann”, i cili është i afërt me partinë liberale FDP. Autor i studimit është Thomas Brey, i cili ka raportuar me dekada nga Beogradi për agjencinë gjermane të lajmeve Deutsche Presse Agentur (DPA) mbi zhvillimet në Ballkan.

Për propagandën ruse flitet veçanërisht që nga agresioni rus kundër Ukrainës, por një strategji e qëndrueshme e shteteve evropiane kundër saj ende nuk duket në horizont, kritikon Brey. Ai ka analizuar 16 shtete në Evropë që janë të ekspozuara ndaj përpjekjeve manipuluese ruse. Qëllimi i Kremlinit është të krijojë një «bosht të autokratëve» në Evropë. Ky bosht përfshin kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke kaluar te kryeministri sllovak Robert Fico. Udhëheqësi separatist boshnjako-serb Milorad Dodik luan rolin e partnerit të vogël.

Sipas studimit, Ballkani është zgjedhur në mënyrë të qëllimshme si «laborator dhe fushë trajnimi për propagandën ruse». Veglat propagandistike të kontrolluara nga Kremlini «Sputnik» dhe «RT-Balkan» (më parë Russia Today) përhapin nga Beogradi gënjeshtra, lajme të rreme dhe shtrembërime për të nxitur popullsinë kundër Perëndimit. Përmbajtjet u ofrohen mediave në Serbi dhe vendeve fqinje pa pagesë. Në to, Rusia paraqitet si parajsë, ndërsa Perëndimi është në prag të kolapsit. Një gazetë sensacionale serbe raportoi madje për mungesë ushqimesh në Europë: «Paniku në Gjermani po përhapet si një cunami».

Në të njëjtën kohë, presidenti i Serbisë, Vuçiq, krenohet se ka takuar Vladimir Putinin 17 herë. Zëvendëskryeministri serb dhe ish-shefi i shërbimit sekret, Aleksandar Vulin, thuhet se i ka ofruar Rusisë një platformë për të zgjeruar më tej ndikimin e saj në rajon. Shtetet e Bashkuara janë të bindura për këtë dhe kanë vendosur sanksione kundër Vulinit.

Ashtu si ideologët rusë që ëndërrojnë për një «botë ruse», edhe Vulin propagandon konceptin e një «bote serbe», nën të cilën do të bashkoheshin të gjithë bashkëkombësit që jetojnë në vendet fqinje. Organizata e mediave “Reporterët pa kufij” i bëri thirrje Bashkimit Evropian vjeshtën e kaluar që të ndalojë propagandën ruse që përhapet përmes Serbisë në të gjithë Evropën Juglindore.

Sipas studimit, «pika qendrore» e rrymave autokratike në Evropë është Hungaria. Kryeministri Viktor Orban është i admiruar nga popullistët në mbarë Evropën si një model. Veprimet e tij kanë potencialin të tronditin BE-në, NATO-n dhe të gjithë sistemin e sigurisë euroatlantike. Institucionet dhe mediat më të rëndësishme hungareze janë nën kontrollin e tij, gazetarët përndiqen ose mbikëqyren, dhe shumë kontrata publike shkojnë te njerëzit e afërt me qeverinë, si babai, vëllezërit, miqtë dhe dhëndri i Orbanit. Sipas “Transparency International”, Hungaria është vendi më i korruptuar i BE-së. Me misionet e tij të «paqes» në Moskë dhe Pekin, Orban minon politikën e jashtme të BE-së. Për këtë, ai merr naftë dhe gaz nga Rusia.

Si sundimtar i vetëm në Budapest, me një përzierje të çuditshme të nacionalizmit dhe popullizmit të djathtë, Orban ka rindërtuar shtetin sipas botëkuptimit të tij antiliberal, dhe kjo frymëzon edhe kryeministrin e majtë-popullist të Sllovakisë, Robert Fico, si dhe liderin e FPÖ-së, Herbert Kickl, i cili së shpejti mund të bëhet kancelar i Austrisë. Fico vizitoi Putinin në Moskë pak para Krishtlindjeve.
Edhe pse Orban pothuajse nuk pranon refugjatë në Hungari, ai nuk heziton të ofrojë strehim për politikanë të korruptuar. Në një veprim spektakular, diplomatët hungarezë organizuan në vitin 2018 arratisjen e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, i cili ishte përfshirë në disa hetime penale. Që atëherë, Gruevski jeton në Budapest si refugjat politik.

Lexo edhe :  ‘Palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen’/ Trump zbulon planin e tij për Gazën

Ndërkohë, partia e tij është kthyer në pushtet në Shkup, dhe Orban i premtoi qeverisë së re maqedonase një kredi prej 500 milionë eurosh vitin e kaluar. Kështu, Orban rrit peshën e tij politike në rajon. Nga fundi i vitit 2024, një politikan i lartë polak nga partia e djathtë-nacionaliste PiS jeton në Budapest si refugjat politik. Ky ish-zëvendësministër i Drejtësisë dyshohet për përvetësim fondesh.

Atje ku Rusia nuk mund të ndikojë politikanët në pushtet, ajo përpiqet ta bëjë këtë përmes luftës hibride. Në studimin e fondacionit “Friedrich Naumann” përmenden disa shembuj: Gati një vit më parë, në Republikën Çeke u zbulua një rrjet rus që fshihej pas portalit të internetit «Voice of Europe» me bazë në Pragë. Ky portal, që tani është i ndaluar nga BE-ja, dyshohet se ka korruptuar popullistët e djathtë evropianë. Në maj të vitit 2024, autoritetet polake arrestuan nëntë të dyshuar që thuhet se kishin planifikuar akte sabotimi në emër të shërbimeve sekrete ruse.

Në Bullgari, vendi më i varfër i BE-së, Rusia mbështetet kryesisht te presidenti Rumen Radev. Ai u trajnua si pilot luftarak për forcat ajrore bullgare gjatë epokës së Paktit të Varshavës. Radev beson se një fitore e Ukrainës kundër agresorit rus është e pamundur dhe se dërgesat perëndimore të armëve janë të kota. Qëndrimet proruse të Radevit përforcohen nga propaganda masive ruse, siç thekson studimi.

Mjedisi konservator dhe rural në Rumani mbetet gjithashtu i ndjeshëm ndaj fushatave të dezinformimit nga Kremlini. Atje, shumë njerëz vlerësojnë mbështetjen e Putinit për vlerat e krishtera dhe refuzimin e tij të pakicave seksuale.

Propaganda ruse lulëzon madje edhe aty ku zakonisht nuk pritet: në Kroacinë katolike dhe properëndimore. Atje sapo është rizgjedhur president popullisti i majtë, Zoran Milanoviq, i cili shpesh provokon me deklarata proruse.

Në Bosnjë-Hercegovinë, një ekip nga një blog i njohur ushtarak rus, i cili përdoret nga Ministria e Mbrojtjes në Moskë si një mjet propagande, organizoi trajnime për studentë, gazetarë, politikanë dhe shkencëtarë. Ata mësuan se si të përdorin mediat sociale me qëllime të caktuara. Një nga trajnerët deklaroi se tani do të luftonin kundër «luftës së informacionit» të Perëndimit. «Ballkani është vetëm fillimi», tha ai. Kurse të ngjashme u mbajtën edhe në Serbi.

Në studim përmenden gjithashtu përpjekjet për ndërhyrje të Rusisë në ish-republikat sovjetike Moldavi dhe Gjeorgji, si dhe në vendet baltike. Letonia, Lituania dhe Estonia përpiqen me guxim t’i rezistojnë presionit rus. Studimi thekson në fund se propaganda masive shtetërore ruse në Evropë ka shkaktuar tashmë «dëme të mëdha shoqërore-politike».

Çfarë mund të bëjë Perëndimi kundër kësaj? Është e rëndësishme të rritet niveli i aftësisë mediatike, e cila veçanërisht në vendet e Ballkanit është ende e ulët. Gazetaria në këto vende vuan nga mungesa e kuadrove të kualifikuara, dhe shpesh nuk dihet kush janë pronarët e vërtetë të mediave. Gazetarët gjithashtu keqpërdoren si mjete propagandistike.

Propaganda jo-gazetare duhet të marrë një përgjigje gazetareske. Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare duhet të bëjnë më shumë për të luftuar propagandën dhe dezinformimin rus. Projektet, masat dhe një task forcë e vogël në Bruksel, e cila zbulon lajmet e rreme ruse, nuk janë në gjendje ta sfidojnë Kremlinin, thekson studimi.

Të fundit

“Më vjen keq që lodheni kaq shumë që me mëngjes”, bizesmeni Gentian Sula mbërrin në GJKKO

Edhe bizesmeni Gentian Sula ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme ku dhe do të mbahet seanca për masën e...

“Mezi pres të dëgjohem!”/ Rama mbledh Grupin e PS për deputeten Bushka

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet sot në një takim të hapur për mediat, ku pritet që deputetja Klotilda Bushka të sqarojë...

Të dhënat: Në Shqipëri ka mbi 1 mijë kamerierë të huaj

Nëse jeni ulur në lokal, mund të qëllojë që kamerieri që vjen të marrë porosinë të mos dijë shqip. Me kuzhinën e hotelit, shefi...

Gjykata pa drita, nuk nis seanca ndaj Erion Veliajt

Ende nuk ka nisur seanca ndaj Erion Veliajt. Arsyeja është se kanë ikur dritat në gjykatë. Dhjetëra mbështetës të Erion Veliajt janë grumbulluar pranë GJKKO-së,...

105 vite kryeqytet! / Ja kush ishte i pranishëm në festë (FOTOT)

Edi Rama, Blendi Gonxhe, Arta Dade. Këto ishin vetëm disa prej emrave që morën pjesë në kremtimin e Tiranës kryeqytet për plot 105 vite. Në...

Lajme të tjera

Web TV