USAID dhe fondet e tij

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Prof. Pandi Zdruli

Debati i madh që ka shpërthyer në Shqipëri për fondet e USAID-it është i drejtë dhe ja vlen të bëhet. Për sa i përket dhënies, zmadhimit, zvogëlimit apo ndalimit të tyre kjo nuk është diçka e re për Amerikën. Duke qenë se kam jetuar në Washington DC gjatë periudhës 1993-1998 kujtoj se në atë kohë ka qenë një senator shumë i fuqishëm në Kongresin amerikan, quhej Jessy Helms dhe ishte senator i shtetit të Karolinës së Veriut. Helms e filloi karrierën e tij si demokrat dhe e mbylli si republikan deri sa vdiq në moshën 86 vjeçare pa u larguar asnjë ditë nga Kongresi. Helms drejtonte komisionin e punëve të jashtme në kongres dhe ishte një kritik i paparë i Departamentit të Shtetit dhe USAID. Thuhej se kur Helms tështinte, të dy si departamenti ashtu dhe USAID i zinte gripi. Në një nga fjalimet e tij në kongres ai tha se Afrika, ku shkonte një pjesë e madhe e ndihmave amerikane, ishte si një fuçi pa fund ku fondet futeshin nga sipër fuçisë por nuk dihej se ku shkonin. Kjo hapi një debat të madh dhe revista US News and World Report bëri një investigim për të parë si ishte gjendja. Por ajo që doli ishte se vetëm në shtetin Karolina e Veriut nga vinte Helms ishin mbi 400 ente që përfitonin nga kontrata të tilla (universitete, qendra kërkimore shkencore, NGO, kompani konsulence, dhe sektori privat). I binte që gati 60% e buxhetit total të ndihmave shkonin tek këto ente. Pa lë pastaj që edhe rrogat e stafit amerikan në këto projekte ishin 10 herë më të larta se personeli vendas në projekt. Nga eksperienca personale di të them që ne as nuk mund të fluturonim me kompani jo amerikane, të gjitha materialet duhej të bliheshin vetëm në firma amerikane, bile edhe qëndrimi në vende të tjera jashtë Amerikës duhej të bëhej në hotele amerikane, dhe vetëm kur nuk kishte të tilla, mund të flihej diku tjetër. Me sa kujtoj, të gjitha projektet e bujqësisë dhe mjedisit të USAID nëpër botë gjithmonë koordinoheshin nga ente amerikane, sidomos universitete, të cilat konkurronin ashpër me njëri-tjetrin për fonde të tilla. Profesori im kishte fituar një projekt 10-vjeçar për studimin e tokës në shkallë globale me një shumë prej 10 milion dollarë dhe duhej të shpenzonte çdo vit 1 milion dollarë, në të kundërt projekti rrezikonte të mbyllej. U bë një punë kolosale në drejtim të studimit të tokave në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë. U mblodhën mijëra mostra toke dhe të gjitha u dërguan në laboratorin qendror të Ministrisë së Bujqësisë të SHBA në Lincoln, Nebraska, ku janë edhe sot. Vetëm studimi, përgatitja e mostrave të tokës në terren dhe dërgimi i tyre me avion në SHBA kushtonte 4,000 dollarë. Pra, ishte një investim global që krijoi një bazë gjigande të dhënash, por edhe kjo e vendosur në Amerikë. Përfitimi i vendeve ku u bë studimi ishte kryesisht në drejtim të kualifikimit të stafit lokal. E thënë ndryshe, i bie që pothuaj gjysma e atyre gjysmë miliard dollarëve të dhëna për Shqipërinë për periudhën 30-vjeçare nga hapja e zyrave të USAID në Tiranë mund të ketë shkuar mbrapsht në Amerikë.

Lexo edhe :  Si shpjegohet aleanca e një pjese të PD-së me mazhorancën?

A kanë qenë të suksesshëm investimet e USAID në Shqipëri? Nuk mund të flas për sektorë që janë jashtë fushës së bujqësisë dhe sidomos për ato të viteve të fundit. Por duhet thënë se kur në 1991, USAID hapi zyrën në Tiranë, Didi Blaine, që shumë nga moshatarët e mi e mbajnë mend mirë, ishte tepër e gatshme për të dhënë ndihmën e saj. Ishte koha kur për herë të parë në Shqipëri erdhi IFDC-ja (International Fertilizer Development Center), që ka qenë shumë e suksesshme në punën e saj pasi ngriti nga hiçi një rrjet tepër funksional të operatorëve vendas (AFADA) që sillnin plehrat kimike në Shqipëri, e më pas edhe inpute të tjera, në një kohë që bujqësia jonë ishte tërësisht e shkatërruar. Shefi i IFDC në Shqipëri, Dr. Ray Diamond, një njeri me shumë pak fjalë e punë plot, është edhe nderuar më vonë nga një president i Republikës së Shqipërisë për kontributin e tij. Nuk mund të them të njëjtën gjë për projektin SARA (Strengthening Agricultural Research Area) të koordinuar nga University of Virginia dhe të investuar përsëri nga USAID. SARA bëri një reformim të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) por shkatërroi institucionet kërkimore shkencore të Ministrisë së Bujqësisë si Instituti i Studimit të Tokave në Tiranë, Instituti i Perimeve dhe Patates po në Tiranë, Instituti i Misrit dhe Orizit në Shkodër dhe Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë që kishin krijuar një histori të çmuar kërkimi në fushat përkatëse, përpos vështirësive dhe mungesave të kohës. Vetëm Instituti i Kërkimeve Veterinare (IKV) i shpëtoi këtij ndryshimi. SARA u bazua në përvojën e universiteteve amerikane në fushën e bujqësisë (land grant universities) të cilat vërtet kanë një përvojë shumëvjeçare në shërbimin e ekstensionit, por e transferoi këtë pa sukses në Shqipëri dhe në fakt UBT asnjëherë nuk mundi të luante një rol të tillë përveç objektivit të tij kryesor që është mësimdhënia. Krijimi i Qendrave të Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) dhe roli i tyre në drejtim të konsulencës së fermerëve mbetet akoma një çështje që duhet forcuar më tej dhe efikasiteti i tyre duhet matur me rezultate konkrete. Shumë projekte të tjera të USAID kanë pasuar në Shqipëri në fushën e bujqësisë, por nuk mund të flas për efikasitetin e tyre. A ka të drejtë presidenti Trump të kërkojë si shpenzohen fondet e USAID? Patjetër dhe askush nuk e kundërshton diçka të tillë. A do të rihapen këto fonde ose nëpërmjet USAID apo ndonjë forme tjetër? Unë mendoj se po. Amerika nuk mund të rrijë larg botës dhe të mbyllet në vetvete. Kjo ka ndodhur vazhdimisht (shiko Gazën së fundi) dhe kjo do të ndodhë përsëri, përveç retorikës America first. Dhe në fund të fundit, meqë gjysma e këtyre parave gjithsesi kthehet në Amerikë, patjetër që do të ndodhë. Shumë nga ata që përfitojnë prej tyre janë edhe votues të Trump.

Të fundit

U gjet i pajetë pranë Liqenit të Shkopetit, 23-vjeçari dyshohet se është vrarë

Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë në Mat, ku një 23-vjeçar u gjet i pajetë pranë Liqenit të...

Gjermania me numër rekord banorësh! Shkak jo lindjet, por emigrimi

Në fund të vitit 2024, në Gjermani jetonin gati 83.6 milionë njerëz – më shumë se kurrë më parë. Krahasuar me vitin e kaluar,...

Mat/ Babai e denoncoi të zhdukur, 23-vjeçari gjendet i pajetë pranë liqenit të Shkopetit!

Një 23-vjeçar është gjetur sot i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Ka qenë babai i tij që ka bërë kallëzim në polici mbrëmjen e...

Tragjedia në Shkodër, kush ishte kapiteni i anijes që dha jetën për të shpëtuar 2 turistë

Një 51-vjeçar, me detyrë kapiten i një anije që bënte guidë turistike në liqenin e Shkodrës, është mbytur në tentativë për të shpëtuar dy...

Lufta në Ukrainë, Trump kritikon Presidentin Putin: Flet budallallëqe

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin të martën se flet “budallallëqe” për Ukrainën, dhe është zotuar se...

Lajme të tjera

Web TV