(Një vështrim mbi stilin poetik të poetit Kliton Nesturi)
Nga Pol Milo
Kur banda e legjendare e rock-ut, Deep Purple, nxorri albumin The House of Blue Light (“Shtëpia e Dritës Blu”), kënga e parë me titullin Bad Attitude (“Sjellje e Keqe”) fillon me vargjet: Hidhi një vështrim këtyre duarve të ndotura/ Hidhi një vështrim kësaj fytyre, këtyre syve të ndezur që shkreptijnë…. Këto vargje shprehin drejpërdrejt një shpërthim rebelimi kundër kufizimeve të shoqërisë dhe pritshmërive shoqërore, që mishërojnë energjinë e atij shpirtit të lirë që sfidon rregullat e botës moderne. Kur më ra në dorë për here të parë libri I lindur Bohem i poetit Kliton Nesturi, nuk e di pse poezia Bohem i vjetër, të zhyt në një dimension të çuditshëm. Poezia fillon me vargjet:
Jam bohem i vjetër, njeri që ecën rrugëve i qetë,
rrethuar prej botës time, i pa vënë re prej askujt.
Bluxhins më pëlqen të vesh e muzikë rok dëgjoj,
atë të vjetrën, të thellë, atë që epokat tejkalon,
Filozofia poetike e Kliton Nesturit reflekton një ndjenjë revolte, por në një dimension të thellë artistik dhe bohemie. Ai shpall një identitet që nuk pranon as konformizmin shoqëror dhe as heshtjen artistike. Si një bohem i vjetër, ai qëndron jashtë kornizave të kohës, duke zgjedhur dashurinë për jetën dhe rebelimin si aktin më autentik të lirisë.
Bohemi, si nocion filozofik dhe jetësor, gjithmonë ka shërbyer si strehë e artistëve dhe mendimtarëve që nuk i përshtaten shoqërisë konsumatore. Për Nesturin, bohemi në poezinë e tij nuk është thjesht një stil jetese, por një akt rezistence, duke paraqitur një përpjekje për të gjetur harmoni mes njeriut dhe natyrës. Kliton Nesturi është një poet, shkrimtar dhe eseist i njohur për krijimtarinë e tij letrare dhe shkrimet filozofike. Ai është një figurë e rëndësishme në panoramën letrare, me një stil të veçantë që përfshin thellësinë dhe emocionalitetin në poezi. Poeti Nesturi ka shprehur me krijimtarinë e tij shqetësime për ekzistencën njerëzore, natyrën, dhe marrëdhëniet mes individit dhe shoqërisë.
Kritikët dhe lexuesit e kanë vlerësuar Nesturin për thellësinë e mendimeve dhe për mënyrën e përdorimit të metaforave dhe simboleve, që shpesh janë të mbushura me emocione dhe reflektime. Poezitë e tij i japin lexuesit mundësinë për të medituar mbi jetën, dashurinë dhe vdekjen, duke krijuar një lidhje të thellë mes artit dhe jetës. Një tipar i veçantë i poezisë së Kliton Nesturit është mënyra se si ai luan me fjalët dhe krijon një atmosferë të pasur, ku kuptimet mund të jenë të shumëfishta dhe të hapura për interpretim. Ai shpesh përdor poetikën e thjeshtë dhe të qartë për të theksuar çështje të rëndësishme ekzistenciale.
“Jam i lindur bohem dhe e adhuroj lirinë time,
pa litar rreth qafës dhe rob i askujt.
Në jetë dhe në vdekje dua të jem përherë Unë.”
Poeti bohem nuk bën asnjë kompromis me qenien e tij. Ai është simboli i njeriut që lufton për autenticitetin, e që refuzon format e standardizuara.
“Heshturazi dëshiroj arratinë skajeve të atdheut tim,
në paqe me veten, atje ku sundon bluja e thellë e detit…”
Ky fragment është një thirrje e qartë drejt lirisë, një revoltë kundër rregullave kufizuese dhe një manifestim poetik i arratisjes së brendshme. Nesturi shpall dashurinë për vetminë e frymës së tij dhe madhështinë e arratisjes shpirtërore që refuzonë pajtimin me realitetin.
Bohemi Blu është një botë ku poezia dhe muzika shkrihen në një revoltë të heshtur por të fuqishme, duke na kujtuar se arti është gjithnjë një akt rebelimi, një thirrje për të qenit vetvetja. Bohem Blu është një univers ku poezia dhe muzika shkrihen në një revoltë të heshtur por të fuqishme, një udhëtim shpirtëror që sfidon çdo kufi të vendosur nga shoqëria. Është një thirrje për t’u çliruar nga zinxhirët e konformizmit, për të jetuar me ndershmëri ndaj vetvetes, pa frikë e pa maska. Kjo “bluja e thellë e detit” është e njëjta ngjyrë simbolike që Deep Purple na sjell në imagjinatën muzikore. Nesturi aspiron për një arrati në lirinë natyrore, duke kërkuar arratinë nga kufizimet mendore dhe kulturore, ku bluja përfaqëson një dimension transformist që nuk mund të zëvendësohet nga asnjë ngjyrë e botës materiale.
Si tingujt e fuqishëm të kitarës, poeti na përplas para një bote që shpesh ndëshkon individualitetin, por që nuk mund të shuajë kurrë zërin e një shpirti të lirë. Kjo bohemi blu është një hapësirë ku tingujt dhe fjalët ndërtojnë një simfoni të lirisë, ku arti bëhet një sfidë ndaj meskinërisë dhe shterpësisë së përditshme. Në këtë rrugëtim, poeti na tregon se rebelimi nuk është thjesht një qëndrim, por është vetë forma më e pastër e ekzistencës njerëzore. Filozofia boheme e Nesturit lidhet thellësisht me idenë e sfidës ndaj strukturave që përpiqen të kufizojnë shpirtin krijues. Kjo filozofi në esencë nënkupton një refuzim të plotë ndaj autoriteteve që përpiqen të kufizojnë mendimin, kreativitetin dhe qenien njerëzore.
Rock-u dhe bohemi poetik bashkëjetojnë si dy forma të një revolucioni artistik. Duke u frymëzuar nga natyra, muzika dhe reflektimi filozofik, ato krijojnë një aleancë simbolike ku bluja nuk është vetëm ngjyrë, por një kod universal i lirisë, sfidës dhe shpirtit të pamposhtur, sinjal i transformizmit universal. Poeti bohem dhe tingujt e rock-ut dëshmojnë që në fund të fundit, arti është gjithmonë arratia drejt një të vërtete më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe. Ato janë manifestime të një bote të mundshme ku njeriu mbetet besnik ndaj vetvetes, ku fjala dhe tingulli janë arma e vetme ndaj konformizmit. Kështu poezia e Kliton Nesturit del si një tingull nga Shtëpia e dritës blu të Deep Purple, duke na kujtuar se, edhe në kohët më të errëta, fryma e lirë dhe poetike do të mbetet gjithmonë e ndezur.