Kompania kineze “Alibaba Group Holding” ka hyrë në partneritet strategjik me gjigantin amerikan të teknologjisë “Apple” për të zhvilluar veçori të fuqizuara nga inteligjenca artificiale për telefonat iPhone në Kinë.
Burime të njohura me marrëveshjen thonë se “Apple” zgjodhi kompaninë “Alibaba” për shkak të aftësive të avancuara të modelit të saj “Qwen AI”, i cili konsiderohet si shumë i sofistikuar dhe një lider në inovacionin e inteligjencës artificiale.
Partneriteti erdhi në një kohë kur “Apple” po lufton me rënien e shitjeve të telefonave iPhone në Kinë, ku mungesa e aftësive lokale të inteligjencës artificiale është parë si një pengesë e madhe.
Shefi ekzekutiv i “Apple”-s, Tim Cook, rënien e fundit prej 11 për qind në shitjet e iPhone-ave në Kinë ia atribuoi mungesës së “Apple Intelligence”, ndërkohë që konkurrentët vendas si Huawei hapëruan shpejt për të mbushur boshllëkun.
Në kërkimin e saj për një partner lokal të inteligjencës artificiale, “Apple” mori në konsideratë edhe DeepSeek dhe ByteDance, por në fund zgjodhi “Alibaba”-n.
Më 29 janar, “Alibaba” zbuloi modelin e përditësuar “Qwen 2.5 AI”, duke pretenduar se ai tejkalon “DeepSeek-V3”. Ky zhvillim shihet si vendimtar për “Apple”-n, pasi shitjet e iPhone-ave pësuan rënie gjatë tremujorit të festave, për shkak të mungesës së veçorive të pritshme të inteligjencës artificiale.
Sipas analistes së kapitalit në kompaninë Morningstar, Chelsey Lam, partneriteti “Alibaba” – “Apple” vërteton pjesërisht aftësitë nga “Alibaba” në inteligjencën artificiale dhe në “Qwen 2.5 Max”.
“Zgjedhja e partnerit të duhur për të ofruar përvojë të mirë të ‘Apple Intelligence’ do t’i ndihmojë ata të riforcojnë shitjet e iPhone-ave në Kinë. Derisa detajet e marrëveshjes tregtare mes të dyja palëve mbeten të panjohura, rezultati më domethënës i këtij zhvillimi është se ‘Alibaba’ tani ka ‘Apple’-n si një partner kryesor, i cili mund të tërheq mundësi të mëtejshme bashkëpunimi nga kompani të tjera”, tha Lam.
Të dyja kompanitë i kanë dorëzuar rregullatorit të hapësirës kibernetike të vendit për miratim veçoritë e inteligjencës artificiale që bashkë-zhvilluan për iPhone-at në Kinë./k.k