Nuk heshtim më përballë shkeljeve, republikë hetuesish Shqipëria ka pasur në të shkuarën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Edi Rama 

*Fjala e plotë e kryeministrit, njëherazi kryesocialisti, në mbledhjen e grupit të në dëgjesën e Grupit Parlamentar të PS me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, për të dhënë shpjegime publike mbi përfshirjen e emrit të saj në akt-akuzën ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Mirëmëngjesi të gjithëve! Siç e tha kryetari i grupit, ky është një takim jashtë radhe i grupit me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, gjë që e kemi pranuar për faktin se të gjithë jemi në njëfarë mënyrë befasuar që kryetarja e Komisionit të Ligjeve figuron në atë akt-akuzën thuajse 400 faqe për Kryetarin e Bashkisë dhe bashkëshorten e tij, ndërkohë që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve e ka marrë vesh përfshirjen e saj në këtë akt-akuzë si një person i dyshuar nga televizori. As nuk është thirrur, as nuk është pyetur, as nuk është dëgjuar versioni i saj,

Përpara sesa t’ia kaloj fjalën Kryetares së Komisionit të Ligjeve dua ta bëj shumë të qartë që qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të  drejtësisë, të institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis kundër korrupsionit mbetet një qëndrim i pandryshuar.

Ajo që ndryshon është qe ne kemi detyrën të kontribuojmë jo thjeshtë me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe me garantimin e standardeve demokratike të çdo procesi.

Në të kundërt, ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa me të ardhëm. Pse sepse diktaturë apo republikë hetuesish, Shqipëria ka pasur në të shkuarën.

Kjo është një republikë parlamentare, ku në bazë të Kushtetutës pushtetet janë të pavarura.

Pra, nuk është vetëm drejtësia e pavarur nga legjislativi dhe nga ekzekutivi, por është edhe legjislativi dhe ekzekutivi të pavarur nga pushteti i drejtësisë. Janë tre pushtete që operojnë në kornizën e tyre kushtetuese.

Në të shkuarën kështu veprohej në letër, por kishte një ombrellë që ishte diktatura e proletariatit, e cila funksiononte përmes diktaturës së hetuesve.

Sot, kjo është në letër, kjo duhet të jetë në realitet dhe këtu kemi një problem dhe këtu duhet të marrim një përgjegjësi për faktin se sot në debatin publik ka vetëm dy palë; njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet “gijotina”.

Sipas asaj pale të gjithë janë për burg, të gjithë janë për litar, të gjithë janë për t’u vrarë dhe tjetra është pala që sulmon në mënyrë banditeske organet e reja të drejtësisë dhe që shënjestron me libër shtëpie prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë detyrën e tyre, duke filluar nga drejtuesi i SPAK, i cili ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë sa i përket të gjithë baltës që ka marrë dhe merr familjarisht.

Por, mungon një pozicion konstruktiv, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garantë e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike sepse siç thashë, përndryshe biem në kurthin e të kaluarës dhe për mua është e pakonceptueshme që Kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, pa hyrë fare në meritën e çështjes, pa diskutuar fare se a ka apo nuk ka të drejtë akuza që e përfshin në atë roman thuajse 400 faqe, e merr vesh nga televizori dhe e merr vesh duke dëgjuar gazetarët specialë sepse ne kemi Prokurori Speciale, kemi Gjykatë Speciale, kemi dhe disa gazetarë specialë, të cilët disponojnë sekrete hetimore, të cilët disponojnë ushqim që u vjen nga stacioni i trenit për t,u hedhur në pazarin e madh të gjësë së gjallë dhe për t,u bluar pastaj në ato udhëkryqet e rrugaçërisë nokturne ekran më ekran.

Kjo është e papranueshme.

As dje, as sot dhe as nesër, deri kur unë do të jem në krye të kësaj force politike të paktën, kjo forcë politike nuk do të marrë përsipër të japë pafajësi për askënd që hetohet nga drejtësia, por ama, ndryshe nga deri dje, sot e tutje kjo forcë politike nuk do të heshtë përballë shkeljeve flagrante të standardeve dhe brutalitetit të kujtdo qoftë që ushtrimin e forcës së konsoliduar tanimë të pavarësisë, sepse vetëm një idiot apo një maskara mund të thonë paskëtaj që ne kontrollojmë drejtësinë.

Jo, ne kemi marrë zyrtarisht certifikatën që duart tona janë larg fare drejtësisë, ama ne nuk jemi këtu hunj gardhi që thjesht dhe vetëm të përcjellim lajme, të japim mbështetje pafund dhe të mos themi asgjë kur biem në gjurmë, me ose pa dashje të episodeve si ky.

Minimalisht kryetarja e komisionit të ligjeve duhej thirrur dhe duhej pyetur. Ku jemi këtu? Në cilën republikë jemi këtu, që dikush thotë çfarë të dojë për dikë dhe mjafton që ky i përfoluri të nxirret me emër dhe mbiemër në ato udhëkryqet e natës si person i dyshuar pa u pyetur minimalisht.

Por nuk është vetëm kjo. Ka shumë gjëra që janë një arsye për një reflektim të përgjithshëm dhe të përbashkët të të gjithëve sepse gjithçka është ndërtuar me mund dhe falë përkushtimit, falë vullnetit, falë punës së prokuroreve dhe gjykatësve nuk mund të shembet, por përkundrazi duhet të mbrohet dhe duhet të forcohet duke vënë në pah të gjitha vrimat dhe të gjitha cedimet e murit të ri të drejtësisë.

* * *

Besoj se është shumë e rëndësishme dhe një herë tjetër që ne të jemi shumë të vëmendshëm për të mos harruar asnjëherë që ne jemi garancia  e pavarësisë së prokurorisë dhe Gjykatës Speciale.

Dhe arsyeja pse unë mendoj që kjo dëgjesë duhej bërë dhe që të tilla dëgjesa mund të bëhen kurdoqoftë që të jetë e nevojshme, qoftë me deputetë, qoftë me njerëz të tjerë që mund ta kërkojnë është vetëm një: sepse nuk ka një mundësi tjetër, nuk ka një hapësirë tjetër për të thënë qetësisht të vërtetën tënde, në një mjedis ku e vërteta shkelmohet pa pushim dhe ku faktikisht edhe sot që flasim, unë akoma nuk kam parë, shpresoj që ta shikoj, që një, dy, tre – që të mos bëhem shumë optimist, – media të kërkojnë dhe të tregojnë ka prova apo s’ka prova!

Sepse të thuash blerje online 800 mijë euro për bizhu dhe për fustan, ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustane dhe nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë më qytetarët dhe ta mbyllesh në një dhomë paraburgimi, duhet minimalisht të tregosh fustanet dhe bizhutë, provat. Dhe nuk kemi më ne, as çfarë diskutojmë, as çfarë vëmë në dyshim. Provat!

Është shumë e thjeshtë.

Dhe prandaj i kërkoj dhe një herë mediave që të bëjnë mundësisht hulumtimin për provat.

Në atë roman 400 faqesh nuk ka prova. Ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar dhe të ndërlikuar me gjithfarë lloj personazhesh shkak-pasojë, por nuk ka prova. Dhe një element të thjeshtë që unë e di, aty thuhet që Erion Veliaj ka bërë zëvendës ministre gruan e një biznesmeni pasi ky i fundit e ka marrë me avion diku. Nuk di a ka pasur një udhëtim më parë por që të arrish në konkluzionin që zëvendësministrja ehste vendosur si rezultat i atij udhëtimi, këtë mund ta bësh në dy rrugë.

Ose me shkollën e sigurimit të shtetit: çfarë bëje ti në veturën e ambasadës jugosllave, – e dini historinë e veturës së ambasadës jugosllave, – ose ta kesh të provuar bisedën e të gjitha. Ndërkohë që zëvendës/ministrja e Punës dhe e Çështjeve sociale është vendosur aty me kërkesë të ish kryetarit të kuvendit këtu tek dhoma, tek salla e tij, mua personalisht kur ishim në koalicion.

Me ka kërkuar që të flas me Erionin dhe të vendoset kjo grua që unë nuk e njihja, nga shoqëria civile a ku di unë se çfarë, se “është pranë nesh, por është e pavarur dhe është vajzë e mirë etj”, skam asnjë rezervë asnjë problem. Dhe nuk po e sjell këtu se këtu s’ka as fajësi, thjeshtë normal fare siç bëhen koalicionet dhe siç bëhen bisedat. Kjo është e vërteta.

Tani si mund ta shkruash ti në një akt akuzë penale këtë dhe të tilla ka plot.

Provat janë ato që e ndajnë këtë punë. Nga ana tjetër, çfarë Klotilda tha është beteja e saj, nuk është beteja jonë. Çfarë është beteja jonë, janë standarde. Unë për shembull jam dëshmitar dhe jam gati të dëshmoj, janë intimiduar njerëz. I kam takuar unë, kam folur unë. Dhe pse? Pa asnjë lidhje me Erionin. Për shkak se janë njerëz të botë së artit dhe të kulturës dhe dikush më ka thënë që filani është në gjendje të rëndë psikologjike, një artist, se e kanë marrë. E kam kërkuar.

Nuk e kisha takuar asnjëherë. E njoh kush është, është një personalitet. E kam kërkuar. Nuk kishte telefon. Ia kishin marrë telefonin dhe s’ia kishin kthyer më.  Ku jemi këtu ne? Dhe e kam marrë me telefonin e gruas. Dhe kam dëgjuar nga ana tjetër e telefonit një grua që vetëm qante. Dhe pastaj jam takuar me personin. Po ju them që mua personalisht më ka ardhur turp, mua, kur kam menduar që sot unë jam kryeministër dhe ndihem i pafuqishëm karshi një rasti, karshi një personi që më ka kujtuar veten time.

Unë pak më i prapë se ai se nuk u shokova psikologjikisht kur me morën atëherë dhe më çuan këtu tek Mylsym Keta, çfarë është ajo, te Brraka se ju të represionit i dini këto pikat. Edhe “jo këtu, jo po aty, jo po familja, jo po nderi”. Ndërkohë që ma thoni dot ju mua, nuk figuron ai se ndaj po flas se po të ishte në emra nuk do ta përmendja, nuk figuron fare, s’ka lidhje.

Nuk është fare, është një person që nuk e di për çfarë është thirrur madje, për arsye të aktiviteteve kulturore. Mund të më thoni ju mua si mund të merret në rrugë një baba që është duke çuar fëmijën në kopsht me karrocë? Çfarë është kjo? Si mund të merret në rrugë? Një baba që po çon fëmijën në kopsht me karrocë. Hajde me ne! Ku jemi këtu ne?

I vetmi lajm ngushëllues është që pavarësia është e plotë, mirëpo këto janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç në karrocë në rrugë dhe t’i thuhet hajde me ne?

Në mëngjes. Çfarë është kjo? Si mund t’i tregohet dikujt nga dritarja: – E shikon atë godinë atje, e di çfarë është ajo? Nga ta dijë ai? Ai është profesor, ai është njeri i artit, ai është njeri që ka nderuar Shqipërinë, nga ta dijë ai? “Është burgu ai! Atje mund të përfundosh edhe mendo për djalin tre vjeç”.

Ku jemi këtu ne?  Për çfarë është nevoja për këtë dhe tani vijmë tek standardet, si ka mundësi Ulsi, ministër i drejtësisë dhe të gjithë ju njerëzit e drejtësisë këtu, dhe ti kryetar i komisionit të financave që kjo shumicë qeverisëse ka miratuar fonde. Dy fonde janë në buxhetin e shtetit shqiptar që janë komplet jashtë gjithë trajektores normale: Fondi i mbrojtjes për shkak të detyrimeve të NATO-s dhe fondi i drejtësisë.

Paga që nuk krahasohen me pagat e askujt këtu, fonde që nuk janë parë kurrë në historinë e këtij shteti për drejtësinë dhe këta nuk kanë  akoma mjetet për të regjistruar intervistat për personat që marrin në pyetje dhe mbajnë personat në pyetje me orë të tëra dhe në fund i japin  një copë letër dhe janë akoma te ajo, se kam shkuar edhe unë njëherë dikur, unë flisja dhe njëri i binte makinës daktilografike, ku jemi këtu ne?

Në çdo film sa herë që dikush shkon atje te dhoma e hetuesve, e para njëherë i tregohen të drejtat dhe e dyta,  i shtypet regjistrimi. Këtu Filip Çakulin të merrnin t’i bënin një kontratë atje dhe ti thoshin hajde na ndihmo se nuk kemi lekë, na ka lënë qeveria pa lekë të regjistrojmë njerëzit që vijnë.

Lexo edhe :  Tirana e politikës me gëzof demokratik

Ku jemi këtu ne? Ça lidhje ka kjo me njërin, tjetrin, tjetrin, tjetrin dhe në fund të fundit çlidhje ka kjo me ne këtu.

Ne këtu në fund të ditës kemi kusurin e baltës më të madhe, po e kemi dhe mikrofonin. Po dhjetëra e dhjetëra, e dhjetëra, e dhjetëra e qindra punonjës të administratës që thirren atje. Si mundet ne, si mundet kushdo qoftë, sikur të kishim për shembull inspektor të lartë të drejtësisë, në letër e kemi, po në realitet si mundet të thotë: – Të shikojmë pak si ndiqet, si respektohen të drejtat e njeriut në gjithë procesin e pyetjes, si respektohet tjetri? Ku jemi këtu ne?

Kur futesh atje, je në një republikë tjetër atje, domethënë kur futesh atje, ai që ke përballë vetëm se është prokuror ai është mbi ty dhe ti nuk je më qytetar i barabartë i republikës, po je një mish atje që mund të shqyesh sipas oreksit, të njërit e të tjetrit, ka dy vjet që i kam thënë Ministrit të Drejtësisë është mundësia se siç po bëjmë revolucion digjital me shërbimet, siç po bëjmë revolucion me procesin e integrimit, ku kemi futur inteligjencën artificiale dhe po funksionon.

Siç po bëjmë revolucion me pastrimin e gjithë mbivendosjeve  më ligj ku ministria e drejtësisë, ministri atje bashkë me AKSH-in kanë vënë në funksionin një model që shikon mbivendosjet e ligjeve i kam thënë propozoi Prokurorisë Speciale inteligjencën artificiale në të gjitha proceset dhe jo vetëm për të bërë këtë që është elementare dhe s’ka nevojë për inteligjencën artificiale që njeriu kur shkon atje të regjistrohet, të zbardhet gjithçka që thotë, jo flet e flet me orë të tëra e në fund i japin një copë letër, i thonë firmose këtu e të gjitha këto historitë e tjera pastaj mund të dalin e  të thonë: – Jo nuk janë të vërteta, se nuk ka gjurmë. Si në kohën e sigurimit të shtetit, “Haje dru dhe pastaj thoshin përqafoi vijën e partisë edhe u shpreh, ra në dashuri me partinë gjatë bashkëbisedimit me hetuesit”.

Këto janë standarde, këto nuk janë kërkesa personale dhe nuk janë kërkesa për këdo qoftë që ka mundësinë të dali këtu dhe të thotë, ku dalin ata, ku dalin ata. Unë se di a është në Shqipëri më ai person. Se gjëja që më tha: – Jam kthyer në Shqipëri – tha – pres vetëm të di, do e kem emrin në gjyq apo jo dhe të iki prapë. Ka  muaj që i kam këtu këto.

Ne duam luftë kundër korrupsionit, kemi ngritur një Prokurori Speciale për të luftuar korrupsionin, pa kompromis.

Por nuk do të jemi të gatshëm të pranojmë abuzimin me njerëzit, me të vërtetën, me standardet sepse ky është minimumi, përndryshe kthehemi mbrapa dhe kur kam folur  për republikë prokurorësh këtë kam pasur parasysh dhe këto janë shenja tanimë të qarta që duhen frenuar tani në bashkëpunim dhe me pozicion konstruktiv, patjetër pozicion konstruktiv.

Unë nuk merrem me qytetarin digjital – ju e dini  shumë mirë, – por unë nuk mund  të mos e lexoj sot tani një mesazh që më erdhi mbrëmë dhe nuk është qytetar digjital është njeri me emër dhe me mbiemër se e verifikova.

“Ju dëgjova me vëmendje në këtë diskutimin, nga dje, sot dhe si në vijim, unë jam një dashamirës, brenda vathës ku një quajtur X, Y nuk po ia them emrin, merr urdhra nga një Y X nuk po ia them emrin janë emra konkret, por ka edhe diçka tjetër që ju nuk e thatë, e bëtë pyetjen pse tani dhe jo më parë, pse dy javë, një muaj më parë për shembull? Sepse pikërisht tani ishte i gatshëm i njëjti gjyqtar, i angazhuar në të gjitha çështjet e veçanta me target njerëzit tuaj.

Gjyqtarët njësoj dhe si prokurorët  krahas shorteve elektronike për menaxhimin e punës organizohen edhe në jave e ditë gatishmërie për kërkesat të ngutshme dhe ngjarje të cilat kanë nevojë të trajtohen përmes disa veprimeve të menjëhershme”, – që natyrisht kjo “e ngutshme dhe e menjëhershme” për ngjarjet alarmante besoj unë që janë ngjarje, ndodhi tani krimi, urgjent, duhet ta marrim ta bëjmë, apo jo? Jo, Nesti. Nesti ishte aty që në shkurtin e kaluar.

“Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe ju informoj që gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest, sepse gjyqtari mund vetëm të zbusë masën e kërkuar nga prokurori, jo ta ashpërsojë, por edhe pse ju ligjin e keni bërë për një garanci më shumë, në fakt keni garantuar vetëm atë 100% e vulosjeve së kërkesave të prokurorisë.

Ky gjyqtar, e ka nisur karrierën si koleg zyre me këtë emrin nuk po e them se e keni në parlament, kur ishte në ministri të Drejtësisë dhe kur ministër ishte Eduard Halimi, – Eduard Halimi s’ ka problem se është njeri i lirë, – “pastaj përfundoi në GJKKO. Ky dhe një tjetër, X. Y. Nga qyteti X. i njohur familjarisht si ekstremist i djathtë, kanë trajtuar më së shumti kërkesat për eksponentë të PS-së.

Disa herë në vendimet e tyre, ata e kanë kaluar cakun e gjyqtarit për kërkesa paraprake, duke bërë konsiderata që ligji nuk ua lejon dhe duke kërkuar ashpërsimin e masave të kërkuara nga prokurorët.

Për shembull, të hetohet edhe për këtë vepër, të hetohet edhe ky, ose do ishte mirë të kërkohej kjo masë nga prokuroria. I tillë është dhe rasti X, nuk po e përmend, që diskutohet shumë si një skandal në të gjitha rrethet e juristëve. Së dyti, i njëjti gjyqtar, është gjyqtari paraprak për dosjen ‘Toyota Yaris’, këta qytetarët digjitalë janë hall i madh, “vetëm një fakt, ka urdhëruar ndalim, publikim të vendimit të tij, gjë që nuk e bën, por përkundrazi bën të kundërtën, për rastet kur duhet të përbalten njerëzit e Partisë Socialiste, për shkak se aty përmenden shumë kolegë të tyre, por ama bë ditën një, vendimin e pati në dorë, prap njëri që e keni në Parlament, dhe tani e ka, – këtij ia them emrin unë, ‘bufi i kënetës’, ky s’e ka shkruar kështu këtu, – që ua lexon shqiptarëve komunikime nga Encrochat-i në Parlament, dhe të gjitha janë pjesë e përmbajtjes së këtij vendimi gjyqësor, i ndaluar për tu përhapur dhe publikuar.”

Ku jemi këtu ne? Kjo është vepër penale! Kjo është vepër penale! Pra, bëhet fjalë për dy kamikazë të PD-së, në GJKKO, që s’e kanë asnjë problem ta shprehin në mjedisin tonë, kënaqësinë e të marrit në dorë të këtij dhe të atij, duke thënë që ne do t’i shkrijmë.”

Tani këtu, s’ është qytetari digjital. Këto janë lehtësisht të provueshme. Altin Dumani, të kërkojë gjurmët e vendimit të “Toyota Yaris” dhe t’ia thotë publikut si kanë përfunduar në monologët e ‘bufit të kënetës’, meqë qenka një vendim i ndaluar për publikim, dhe dihet kush e ka marrë.

Dhe e fundit që kam, është një ngushëllim për veten time dhe për ju bashkë me mua, që i kemi hyrë detit me këmbë dhe që është mirë ta ndaj me ju, sepse i kemi hyrë detit me këmbë kur kemi vendosur të bëjmë një kthesë që të tjerët mbase kanë qenë më të zgjuar se ne, që nga viti 1912-të nuk e kanë marrë përsipër.

Kanë pasur arsyet e tyre, një vend i vogël, me shumë lidhje, me shumë komshinj, me shumë kushërinj, me shumë interesa. Ne e kemi marrë përsipër të pavarësojmë pushtetin e drejtësisë nga pushteti politik. Kemi marrë përsipër që të jemi në pushtet, edhe brinjët t’ia lëmë në dispozicion drejtësisë. Nuk kam asnjë pishman për këtë. E vetmja pikëpyetje që kam është, a do t’ia dalim që ta bëjmë të pakthyeshme reformën në drejtësi?

A do t’ia dalim që institucionet e drejtësisë ta përdorin pavarësisë për të bërë drejtësi dhe jo politikë? Dhe kur them politikë këtu nuk është çështja me njërin apo me tjetrin,  të paktën në rastin e SPAK-ut, është e padiskutueshme. S’ është çështja me njërin apo me tjetrin. Kur them politik, është…. . Meqë njërin po e lëmë në ballkon, të shkojmë të kapim nja tre nga këta, pastaj meqë kapëm tre, të shkojmë t’i biem njërit, po meqë po bëjmë këtë për kryetarin e bashkisë, të shkojmë të kapim njërin për diplomë.

Tani, për këtë mund të flas unë, se e dini mirë se sa respekt kam për një farë ‘Belo Këlliçaj’, një popull kot, po tani të përfundojë njeriu në dyert e SPAK-ut për diplomën, jo e ke fallco, po çfarë është kjo? Çfarë është kjo?! Për të thënë, që shiko, ne po i biem këtij, po, po shkojmë të marrim dhe këtë, se ky është ai hija që e konkurron., ky është në këtë kuptim politik. Pra, ndiq mediat, kompleksohu dhe bëj balet. Ndërsa në rastin e GJKKO-së, ky është një rast që duhet parë.

Sa është ora? 9:48. Nuk e di a është zgjuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë, po mbase zgjohet dhe më dëgjon. Është shumë e rëndë kjo! Shumë e rëndë! Shumë e rëndë! Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se boll i kanë. Kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të shkojnë të merren me faktet.

Ngushëllimi është ky, në vazhdën e indeksit të perceptimit të korrupsionit, Shqipëria dje, siç e thashë, por nuk i intereson njeriu, doli në Transparency International, në pozicionin më të mirë që ka qenë ndonjëherë për luftën kundër korrupsionit. Kur ka ndodhur që ka dalë keq, është bërë lajm, kanë dalë nëpër konferenca, kanë mbytur mediat, janë bërë emisione.

Emisione, janë bërë zhurma në ato udhëkryqet e mbrëmjes, për këtë nuk di a doli gjëkundi, por faktikisht, Shqipëria është e para në rajon nga raporti i SIGMA i Komisionit Europian për prokurimet publike, e para me distancë nga i dyti, jemi 80 pikë, i dyti është 71, të tjerët janë nga 50, nga 40, ata që mbahen si më transparentë dhe më të pa korruptuarit. Pse këto ndërkohë nuk bëjnë … Ja ku e kam këtu. Duhen pasur parasysh disa fjali në lidhje me atë që quhet paradoksi i progresit.

“Në kuadër të perceptimit të luftës kundër korrupsionit, arritjet në luftën kundër korrupsionit në shumë raste, në vend që të ndërtojnë besim çojnë në cinizëm. Hapja dhe ekspozimi ndaj kontrollit dhe dukshmërisë bëjnë që korrupsioni të duket edhe më i përhapur edhe kur shkalla aktuale e rasteve të tij është në rënie. Vendet Europës Lindore, gjatë dhe pas anëtarësimit në BE, pësuan në rritje në perceptimin e korrupsionit edhe pse bënë reforma institucionale, edhe pse agjencitë antikorrupsion ekspozuan rrjetet e rrënjosura. Një studim i vitit 2014 zbuloi se mbulimit mediatik të skandaleve të korrupsionit i bashkëngjitet një perceptim publik më i lartë për korrupsionin. Kjo do të thotë që përpjekjet e suksesshme antikorrupsion nuk përmirësojnë ndjenjat publike. Në vend të kësaj, ato shpesh zbulojnë të vërteta të pakëndshme që kanë të bëjnë me pjekurinë demokratike”.

Ky  është telegrami që kam për ju sot ngushëllimi por unë dhe ju, ne, Partia Socialiste nuk tërhiqemi në të gjitha rastet, me çfarëdolloj çmimi, me çfarëdolloj kosto. Siç e shihni, fatura është këtu, baltë, baltë, baltë, çeta e hajdutëve, edhe pse jemi një çetë hajdutësh që kap hajdutë, ndihmon të kapen hajdutë, mbështet kapjen e hajdutëve, prapë çetë e hajdutëve është.

Kështu që, kokën lart, shtrëngoni dhëmbët dhe në 11 maj na duhet flakë në çdo kuti votimi. Mavija duhet të bëhet e kuqe flakë, siç i ka qejf Erion Braçe ngjyrat e kutive. Tërmet nga poshtë, flakë nga lart dhe në 11 maj do marrim mandatin e katërt dhe mandati i katërt do jetë mandati i standardeve demokratike të drejtësisë.

Faleminderit dhe Taulanti sapo ma pëshpëriti, vetëm përpara! /    S,M

Të fundit

Kthehet në Amerikë mësuesi i liruar nga Rusia, pritet nga presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump priti mbrëmë vonë në Shtëpinë e Bardhë mësuesin amerikan . pas lirimit të tij nga Rusia ku...

Vota e diasporës/ 157 mijë aplikime, miratohen 125 mijë! Refuzohen mbi 32 mijë të tjera

Mbi 157 mijë emigrantë kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Mbi 157 mijë emigrantë kanë aplikuar për t’u bërë...

Zbardhen detaje nga seanca në GJKKO, Erion Veliaj – prokurorit Dado:E ke personale me mua

Zbardhen detaje nga seanca me dyer të mbyllura për vlerësimin e masave të sigurisë ndaj Erion Veliajt në GJKKO Kryebashkiaku i Tiranës i drejtohet Olsi Dados: “Ti...

Tentuan të korruptonin policinë me lekë/ Dy të arrestuar dhe dy të ndaluar në Tiranë

Policia Rrugore ka ndaluar dy persona, të cilët kanë tentuar të korruptonin blutë me lekë, për t’i shpëtuar masës së marrë. Ndërsa, janë arrestuar dhe...

Mark Rutte: NATO do të punojë me këdo që do ta udhëheqë Kosovën

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se pret që pas zgjedhjeve në Kosovë, të ketë një Qeveri stabile dhe se NATO-ja...

Lajme të tjera

Web TV