Shqipëria duhet të përgatitet për anëtarësimin në BE, dhe zhvillimi ekonomik, menaxhimi fiskal dhe rritja e të ardhurave duhet të jenë të qëndrueshme dhe të sigurta. Për këto objektiva Shqipëria do të ketë edhe mbështetjen e Bankës Botërore, e cila ka miratuar një hua të re 120 milionë dollarë, që ndihmon vendin të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe atë mjedisore.
Në njoftimin e Bankës Botërore thuhet se kjo linjë e re financimi do të mbështesë Shqipërinë në tri fusha kryesore reformash.
Së pari do të jetë në fokus forcimi i hapësirave fiskale, kjo për shkak të përjashtimeve të shumta tatimore që vendi ka për sektorë të ndryshëm. Për këtë arsye do të punohet për përmirësimin e administrimit të taksave si dhe raportimit të ndërmarrjeve shtetërore mbi rreziqet e mundshme sociale dhe mjedisore.
Fusha e dytë ka të bëjë me energjinë, ku mbështetja do të përqendrohet tek nxitja e burimeve të rinovueshme dhe rritjen e efiçencës së energjisë.
Dhe së treti është mbrojtja e mjedisit dhe ulja e emetimeve të karbonit.
“Paketa e reformave që mbështesim përmes këtij programi synon të forcojë perspektivat e zhvillimit të Shqipërisë. Ky financim do ta ndihmojë vendin të adresojë sfidat kryesore në sektorin e energjisë si dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të menaxhuar rreziqet fiskale dhe për të mbështetur më mirë shtresat në nevojë të popullsisë”, tha Richard Record, Menaxheri në detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.
Banka Botërore vlerëson se ekonomia e Shqipërisë po rritet, borxhi publik është në rënie ndërsa politika monetare mbetet e qëndrueshme./E.T