Vrasjet e Berishës më 21 janar s’janë asgjë para fustaneve të Ajolës…!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Jakin Marena

Arrestimi me urdhër të SPAK i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka sjellë një reagim të fortë nga radhët e mazhorancës socialiste si dhe të kryetarit të saj Edi Rama.

Kryeministri, njëherësh dhe kreu i PS ka deklaruar se është i vendosur të mos hyjë në punët e drejtësisë nëse është i fajshëm apo i pafajshëm Erion Veliaj, pasi këtë e heton SPAK dhe e vendos Gjykata e Posaçme. Duke qëndruar si gjithnjë në ‘korsinë’ e mosndërhyrjes në punët e drejtësisë dhe për më tepër në mbështetjen për drejtësinë e re të inicuar dhe të ngritur nga PS me mbështetjen e SHBA dhe BE, që t’i japë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend.

Por ama Rama ka këmbëngulur fort në respektimin e ligjit dhe Kushtetutës, teksa është shprehur se arrestimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, përbën një precedent dhe rast të vetëm kur një zyrtar i zgjedhur akuzohet pa përfunduar hetimet, pa u kopsitur dosja të paktën dhe të cilësohet si një person i dënuar me vendim të formës së prerë. Duke prezumuar pafajsinë në këtë rast.

Kreu i mazhorancës Rama paska pasur të drejtë në shqetësimin e tij për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës për të zgjedhurit, si dhe në barazinë para ligjit të kujtdo që bëhet subjekt i drejtësisë, pasi nga ngutja e tepërt me sa duket për ta parë të dënuar në prag të zgjedhjeve kreun e bashkisë së Tiranës, në ‘’preambulën’ e dosjes hetimit të përpiluar nga prokurori, mu tek gjeneralitetet, thuhej se Erion Veliaj, i biri i x-it dhe y-lonit, rezultonte i ‘dënuar’. U quajt lapsus më pas, por ama dëmi është bërë dhe drejtësia u degjenerua atë moment, e për pasojë dhe tërë seanca e së mërkurës për masën e sigurisë u degjenerua nga prokurorët dhe gjyqtarët, teksa e kanë menduar me zë të lartë dhe madje dhe të shkruar urdhërin politik me sa duket për ta dënuar Veliajn.

Kanë dalë dhe elementë të tjerë që vijnë në të njejtën ‘korsi’ me shpjegimin e ngutjes së  prokurorëve të SPAK që kanë përgatitur urdhërin e arrestimit të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, dhe gjyqtarit të GJKKO i cili ka firmosur këtë urdhër arresti.

Janë bërë publike fakte dhe informacione dhe nga kryeministri Edi Rama por dhe nga aktorë të tjerë të politikës ose jo, ku ngrihet dyshimi i arsyetuar që prokurorët dhe gjyqtarët respektivë kanë vepruar sipas një axhende politike të PD dhe posaçërisht të Sali Berishës, për të goditur tre muaj para zgjedhjeve një ndër aktorët kryesorë të mazhorancës socialiste, kryebashkiakun e Tiranës së afër 1 milionë banorëve, Erion Veliaj. Pasi nuk ka se si të përzgjedhë ‘shorti’ të njejtët prokurorë dhe gjyqtarë që me urdhër partie u vijnë ‘hakut’ zyrtarëve socialistë, me faj apo pa faj qofshin. Pra shqetësimi i Ramës është për qasjen ndaj hetimit themi, respektimin e ligjeve, Kushtetutës së vendit, në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut.

Më konkretisht, çdo akuzë duhet të ketë provën në krah, jo të jetë si një hartim i një nxënësi të shkollës 9 vjeçare, pa krye e pa bisht, vetëm me deduktime. Apo ecin me slloganin, ‘ta rrasim në burg njëherë, pastaj të mundohemi të gjejmën donjë provë për ta ‘ngecur’ dosjen dhe për ta çuar në gjykatë për gjykim”. Dënohet ose jo, përpjekja për të shkaktuar dëm u bë 3 muaj para zgjedhjeve dhe në kurriz të qytetarëve të Tiranës.  Të cilët nuk i ngushëllon fakti që prokurori na paska marrë një leje ndërtimi për një pallat apo se i është refuzuar ndërtimi i një pallati të dytë, meqë oreksi vjen duke ngrënë. Punë noterësh me një fjalë, pasi prokurori me sa duket mendon se arrestimi i një kryebashkiaku është akt noterial.

Dhe me një prokuror noter që intimidon dëshmitarët, që u tregon kërcënueshëm burgun përballë ku mund të shkojnë nëse nuk ‘thellohen’, prokurorë që arrijnë deri në gafa të tilla sa të thonë me shkrim në dosjen prej 400 faqesh se kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka qënë i dënuar më parë, e quajnë pa u skuqur më pas lapsus dhe problem i sistemit elektronik a thua se këta prokurorë kanë zbritur nga Greonlanda e akullt dhe nuk dinë çfarë ndodh në Shqipëri dhe janë robër të sistemit elektronik, që merren me fustane grash anipse nuk kanë qënë blerje vetëm për bashkëshorten e kryebashkiakut por për aktivitetet që ajo zhvillonte dhe kuptohet me shumicë që blihen më me hesap, me një gjyqtar që është kamikaz i Berishës dhe që betohet lart e poshtë se ‘do ta shkrijmë PS”, s’mund të ketë asesi procedurë të rregullt ligjore për hetimin dhe gjykimin e një zyrtari të lartë, të akuzuar për korrupsion. Menduam se e kishim lënë prapa këtë periudhë të zezë, por po na rikthehen në variantin më të keq Gjin Gjonët dhe Adriatik Llallët, vetëm se tashmë me paga milonëshe këto e që mbajnë në kurriz dhe besimin e verbër të shqiptarëve e të ndërkombëtarëve, për të cilët këta prokurorë e gjyqtarë kanë marrë përsipër të bëjnë drejtësi.

Për hir të së vërtetës, kush e mban mend, janë metoda këto që përdoreshim në një kohë të shkuar, që të kujtojnë kohën nën regjimin komunist, të Sigurimit të shtetit dhe gjyqtarëve të regjimit, ku dhe pyetjet ndaj të pandehurve e të dëshmitarëve i merrnin të shkruara nga Byroja Politike kundër ‘tradhëtarëve të partisë”, ku presioni me burg, internim, largime nga puna dhe degdisjes në punë aspak dinitoze, ishin të ligjëruara për të nxjerrë në dritë ‘faktin’ që donin për dënimin e paracaktuar për viktimën e radhës.

Të paktën disa nga këto elementë, duken me sy të lirë se janë bërë dhe pjesë e axhendës së prokurorëve e gjyqtarëve të posaçëm, të hedhura e bardha mbi të zezë në dosjen 400 faqëshe në ngarkim të Veliajt. I cili është nën akuzë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash që nga dita e hënë dhe po përballet në qelitë e paraburgimit me akuzat e këtyre prokurorëve, të cilët me sa duket kanë nxituar fort për të futur në burg kryebashkiakun e Tiranës dhe lënë nën arrest shtëpie, më pas me detyrim paraqitje, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, pasi u del në llogari se janë bërë blerje fustanesh, bizhuterish dhe rroba të tjera grash, në shuma të mëdha. Si gjyqi i kafeve ndaj Nexhmijes dhe ish drejtuesve të tjerë të ndjerë të kohës komunizmit, në fillimin e viteve ’90.

Anipse Erion Veliaj nuk përbën rrezikshmëri të lartë për shoqërinë shqiptare, anipse nuk ka asnjë tendencë për t’u arratisur pasi ishte në SHBA e kishte tërë mundësinë e Zotit të rrinte atje por u kthye me urgjencë në Tiranë. Anipse bashkëshortja e tij Ajola Xoxa u rikthye me urgjencë nga Italia, por nëse do të kishte mendje për të qëndruar në arrati qëndronte andej dhe nuk vinte fare në Tiranë për të hyrë në arrest shtëpie, e cila iu konvertua dy ditë në pas në detyrim paraqitje. Në Itali ishte dhe ish kryeprokurori i Berishës, Adriatik Llalla, i dënuar me burg, por që vijon në arrati. duke marrë pjesë madje dhe në tubimin e Berishës me diasporën në Romë. U bë ‘diasporë’ dhe Tik Llala mor aman.

Duhet të jemi të sinqertë, nuk marrim në mbrojtje Veliajn as bashkëshorten e tij. Nëse ata kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve, të marrin atë që meritojnë. Nëse jo të dalin të pafajshëm. Por ama, të respektohen rregullat, ligjet e shtetit dhe mbi të gjitha, prokurorët dhe gjyqtarët nuk duhet të sillen si harbutë as me Veliajn, as me bashkëshorten e tij Ajola, as me Arben Ahmetajn në arrati, as me Sali Berishën me detyrim paraqitje apo me Ilir Metën në qeli. Të respektohet liria dhe e drejta e njeriut, larg kërcënimeve, intimidimeve dhe fyerjeve. Për më tepër që Veliaj është një i zgjedhur në krye të bashkisë së Tiranës dhe duhej të ishte në krye të punëve. Pra prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm të mos na bëjnë si gangsterë, pasi për hir të së vërtetës janë të posaçëm sepse kështu është emërtesa e institucionit si dhe për fakjtin se s’kemi të tjerë, jo se janë ndryshe nga ata që ikën me vettingun. Me ‘miligramë’ janë ndarë nga dalja prej sistemit të drejtësisë.

Lexo edhe :  Vrima e Kopiles dhe Liqeni i Neuronit'! Dy fjalë mbi 'zbulimin' në Leskovik

Unë ndaj qëndrimin e shumicës së shqiptarëve që SPAK dhe GJKKO duhen mbështetur në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Aq më tepër kur e ngrenë ‘stekën’ në nivelet më të larta të administratës shtetërore. Por ama, nuk duhet të jenë të ‘shtrenjtë në krunde dhe të lirë në miell”. E mbi të gjitha, nuk mund të sillen si një trupë pa asnjë kontroll dhe llogaridhënie. Jo për vendimet që japin, të kuptohemi, por për anën kruciale të respektimit të rregullave. Dhe krimineli më i madh ka të drejta, jo të kapësh për leckash një zyrtar të zgjedhur apo më tej, pa asnjë provë dhe ta fusësh në burg, pastaj të punosh për të gjetur provat e për ta dënuar. Në vend që të ndiqet në gjendje të lirë, qoftë dhe në arrest shtëpie, pasi as ka pasur dhe as ka ndërmend të largohet nga vendi. Veprime të tillë sjellin vetëm nxitje për t’u arratisur nga kushdo që akuzohet, dhe për ta ndjekur nga larg procesin e hetimit dhe gjykimit, Në mungesë dhe me avokat.

Skenat e hetimit dhe dënimit me shumë ngutje të ish zyrtarëve të lartë për një arkë peshk apo për blerjen e supozuar online të fustaneve dhe bizhuterive nga bashkëshortja e kryetarit të bashkisë së Tiranës, duhet të mos jenë më kolonë drejtuese e punës së prokurorëve dhe të gjyqtarëve të drejtësisë së re. Për më tepër që duhet të marrë fund varësia nga politike, trembja përballë kërcënimeve dhe veprimi sipas direktivave të PD. Nuk duhet të jenë peng as të ‘mirësisë’ ndaj tyre që i futën në sistemin e drejtësisë dhe akoma më tej nuk duhet të tregojnë ashiqare se kanë dalë nga ‘laboratori’ i Argita Berisha Malltezit, që është fakulteti i Drejtësisë që përgatit për magjistraturë vetëm ata fëmijë, prindërit e të cilëve janë mbështetës të Berishës dhe për pasojë urdhërohen nga ai. Vendimet e njëpasnjëshme në favor të familjes Berisha po e tregojnë këtë.

E themi këtë sepse SPAK ka në dorë hetime tepër të rëndësishme dhe dosje tepër të rënda. Nuk po flasim për aferën e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”, një korrupsion i pastër ky i Berishës asokohe kryeministër në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Ku përfitoi të paktën 5.4 milionë euro nga ngritja e një kompleksi pallatesh në një tokë 134 metra katrorë që kishte në pronësi. Dhe ajo e diskutueshme pasi italianët i kanë dhënë lekët e shpronësimit me kohë e vakt. Kjo dosje duhet të jetë sa për ‘nxemje’ për drejtësinë e re, për të kaluar te dosjet e rënda!

Prokurorët e SPAK duhej t’i kishin shkuar në fund hetimit për vrasjen nga Garda e Republikës të 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011 para kryeministrisë në mes të bulevardit qëndror të kryeqytetit. Eshtë një dosje e gatshme thuajse, me të gjitha provat brenda, faktet ashiqare të evidentuar dhe nga Gjykata e Strasburgut që specifikoi në vendim pikërisht faktin, që hetimi të ngjitej tek urdhëdhënësit, pra tek Sali Berisha dhe zinxhiri komandues i Gardës së Republikës.

Provat janë për fshirjen e pamjeve të kamerave, madje janë rikuperuar shumica e tyre nga ana e shërbimeve aleate, të gjitha urdhërat e dhëna, janë dhënë dhe dëshmitë e mbi të gjitha kanë deklaratat e Berishës me zë dhe figurë që i merr përsipër vete këto vrasje me urdhër të tij. Teksa është shprehur publikisht në emsionet e televizioneve më të mëdha kombëtare, se do të vriste jo 4 por 400 apo 4000 demonstrues nëse kalonin gardhin e sigurisë, një mbrojtje imagjinare e godinës së kryeministrisë, apo kishte vendosur 5 snajperë me urdhër të tij në tarracën e godinës së kryeministrisë të cilët kishin marrë urdhër prej tij që të qëllonin në kokë Edi Ramën, kreun e opozitës së atëhershme, nëse kalonte këtë gardh sigurie. Janë të gjitha këto në ‘google’, s’ka nevojë as për rregullim sistemi elektronik. Janë të gjitha, bashkë dhe me ekspertizat e partnerëve tanë. I kanë të gjitha dhe në dosje.

Vetëm për të shkruajtur fjalën “fund” ka mbetur dhe për ta dërguar në GJKKO e kaluar në gjykim. Faktet e provat janë. Megjithëse asnjë prokuror i SPAK deri më tani nuk ka guxuar të thërrasë Sali Berishën për këtë dosje të rëndë, një dosje e përgjakshme në ngarkim të Berishës në mënyrë nominale. Kjo nuk e nderon drejtësinë e re, pasi për të vjetrën s’po flasim. Ajo iku tashmë. Por po shohim që ende Berisha vijon ta komandojë një pjesë të drejtësisë sëe re, diku me shokë zyre apo dhome të zyrtarëve të lartë aktualë të tij, diku përmes vajzës Argita e diku përmes kërcënimeve. Mori vulën e PD, doli nga arresti shtëpiak, dhe tashmë arreston kundërshtarët politikisht, pikërisht me këta njerëz që i ka në sistemin e drejtësisë së re!

Eshtë dhe dosja e Gërdecit që po vërtitet e vërtitet, pavarësisht se është i qartë korrupsioni shtetëror në favor të djalit të Berishës, Shkëlzen Berisha, që solli dhe këtë tragjedi me 26 njerëz të pafajshëm të vdekur dhe mbi 300 të tjerë të plagosur. Të cilët kërkojnë drejtësi. Drejtësia e re ende nuk e ka marrë guximin të hetojë dhe të gjykojë as për këtë dosje, as për aferën madhore të CEZ-DIA, me një humbje për shtetin në limitet e 500 milionë eurove, para të marra nga familjet Berisha dhe Meta sipas akuzave, përmes sekserëve të tyre Nuel Kalaj e kompani. Dhe që këtu, sipas akuzave kanë në themel si aferë, dhe vdekjen misterioze të dy zyrtarëve të lartë të shtetit. Janë akuza që duhen hetuar, nuk po i përmendim të gjitha. Thjeshtë të hetohen dhe të gjykohet mbi to. Dhe e kanë akoma më të lehtë, të hetohet për akuzat që i kanë bërë Berisha e Meta njëri tjetrit në kohën e idhnimit mes tyre, dhe prokurorët do të kenë punë për tërë jetën e tyre.

Ndaj jemi të vendosur të mbështesim SPAK dhe GJKKO në punën e tyre, me shpresën se ndëshkueshmëria do të shkojë dhe tek zyrtarët më të lartë të këtij vendi, goditja do të jetë pa dallime politike, duke mos u përqëndruar tek goditja ‘majtas’ gjithnjë. Pasi po ia nxjerrin fundin dhe e bënë ‘baltë’ fare. Sa dhe njerëzit janë irrituar, aq sa mund të bëjnë ‘gjëmën’ më 11 maj në zgjedhjet parlamentare, duke i dhënë PS mbi 94 deputetë, nga 140 deputetë që ka Kuvendi. Nuk digjen për herë të tretë shqiptarët me Berishën, as duke i dhënë votat për një opozitë të fortë. Aty në cep e duan, me pak deputetë. Prandaj themi se janë disa çështje dhe dosje të gatshme e të kopsitura që nuk presin, sidomos ato të korrupsionit të përgjakshëm dhe të vrasjeve shtetërore për qëllime politike. Siç janë ‘21 janari’ e ‘Gërdeci’. Janë gati, vetëm mbyllja e ‘kapakëve’ ka mbetur!

“Topi” është në fushën e SPAK për të treguar se nuk është intimiduar nga Berisha as tani që ai po luan kartën e fitores së Trump, duke e paraqitur si fitore të tij dhe të PD. Tani është koha që vetë Altin Dumani të marrë tamam ‘komandën’ në SPAK, të mbyllë dhe ‘rubinetin’ e rrjedhjes së dosjeve në dorë të parë te Berisha dhe të tijtë. Eshtë koha që SPAK të bëjë punën për të cilën paguhet. Dhe paguhet rëndë madje. Mbështetjen e ka pasur dhe do ta ketë. Ka dhe mbështetjen amerikane, megjithëse në rastin e deklaratave të Ramës për SPAK dhe GJKKO s’kanë reaguar. Nuk hamendësojmë që të kenë rezervat e tyre për sjelljen si ‘gangsterë’ të prokurorit e gjyqtarit të posaçëm, sipas ‘melodisë’ së Berishës. SHBA e ka shpallur ‘non grata’ pa kthim Berishën, dhe asnjë organizator fushate, dhe sikur të marrë 20 milionë euro të deklaruara e të padeklaruara nga PD nuk mund t’ia heqë këtë njollë apo t’i hapë rrugën për në pushtet. Thjeshtë po tenton t’i garantojë një humbje dinjitoze, si plak në moshë që është Berisha. Por dhe kjo është e vështirë!

Të fundit

Turizmi e ndërtimi do rrisin me 4% ekonominë, BSH: Pa zhvlerësimin e valutave çmimet do..

Ekonomia e vendit do të rritet me 4% këtë vit, parashikon së fundi Banka e Shqipërisë duke veçuar se...

Skiatorja italiane nderon sërish Shqipërinë: E lumtur, ia dola edhe me temperaturë

E ka mbyllur ne vendin e 7-te debutimin e saj në kampionatin Botëror Lara Colturi mes 10 të mirave të botës së skive alpine...

Protesta masive në Belgjikë, mijëra qytetarë të pakënaqur me reformat në pensione

Mijëra qytetarë morën pjesë në protesta masive në Bruksel kundër reformave të pensioneve të propozuara nga qeveria e re e Belgjikës. Protestuesit, që i...

Inteligjenca artificiale, konsumi i lartë i energjisë dhe ndikimi tek mjedisi

Ndërsa fuqitë botërore përpiqen të marrin rolin udhëheqës në teknologjinë e inteligjencës artificiale, ekspertët nxjerrin në pah koston që kjo teknologji shkakton ndaj mjedisit. Një...

PD dhe SPAK heshtin, por pse nuk u mor nën hetim Erinda Ballanca

Interesant është fakti se në dosje thuhet se presioni punonjëses iu bë personalisht nga Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, bashkë me Bushkën. SPAK ka vendosur të...

Lajme të tjera

Web TV