Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga qelia e paraburgimit në Durrës, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të rikonfirmuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Veliaj e cilëson dosjen ndaj tij si një “paçavure të kurdisur”, duke pretenduar se në të janë përfshirë gabime të rënda, që vënë në pikëpyetje të gjithë hetimin.
Sipas Veliajt, në faqen e parë të dosjes së përgatitur nga Prokurori Ols Dado është shënuar se ai është “i dënuar”, ndonëse ai këmbëngul se dëshmia e tij e penalitetit është e pastër.
Ai shprehet se kur e ka mësuar këtë detaj gjatë seancës gjyqësore, është tronditur, pasi kjo mund të ndikojë rëndë mbi perceptimin e çështjes nga opinioni publik. Veliaj thotë se prokurori Dado e ka kaluar këtë si një “lapsus”, por sipas tij, një gabim i tillë nuk mund të jetë rastësor. “Si mund të bëhet një lapsus në një dosje hetimore?
Si mund të luhet me jetë njerëzish dhe të kalohet me fjalët ‘ishte lapsus’?”, shprehet ai. Kryebashkiaku i pezulluar e cilëson këtë një “hije të madhe dyshimi” mbi të gjithë procesin kundër tij dhe bashkëshortes së tij. Ai thekson se ky nuk është i vetmi gabim në dosjen hetimore dhe paralajmëron se do të publikojë një nga një të gjitha elementët që, sipas tij, tregojnë se hetimi ka qenë i njëanshëm dhe i motivuar politikisht.
“Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim,” thotë Veliaj, duke shtuar se dyshon mbi qëllimin e prokurorit për ta shpallur atë fajtor ende pa nisur procesi gjyqësor.
Reagimi i tij vjen në një moment të tensionuar mes politikës dhe drejtësisë, ku pas vendimit të Gjykatës për Veliajn, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë dalë me deklarata të forta, duke kërkuar që politika të mos ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe të respektojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë