Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal, i cili ishte përfshirë në gjobëvënie ndaj bizneseve në Athinë. Në pranga kanë rënë 5 shtetas, mes të cilëve 3 shqiptarë, njëri prej tyre pjesë e grupit famëkeq “Lions”.
Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal, i cili ishte përfshirë në gjobëvënie ndaj bizneseve në Athinë. Në pranga kanë rënë 5 shtetas, mes të cilëve 3 shqiptarë, njëri prej tyre pjesë e grupit famëkeq “Lions”.
Ndaj 5 të arrestuarve janë ngritur akuza për organizim kriminal, tentativë gjobvënieje, dhunë ndaj zyrtarëve dhe personelit gjyqësor si dhe shkelje të legjislacionit për armët.
Të arrestuarit janë Ukshim Hoti, 41 vjec nga Tirana, Roland Kadiu, 43 vjec nga Klosi, Nexhmi Murataj, 42 vjec nga Kota e Selenicës si dhe një 34-vjecar grek e një 38-vjecar egjiptian. Policia ka arritur të lokalizojë të dyshuarit, në orët e mbrëmjes së pardjeshme, datë 12.02.2025, në një dyqan në Kato Patisia, Athinë, ku janë ndaluar dhe arrestuar, pavarësisht reagimit të tyre fillestar të dhunshëm.
Bëhet fjalë për persona që qarkullonin me automjete nëpër Patisia, Kypseli dhe Agios Panteleimonas, duke u kërkuar para pronarëve të dyqaneve për “mbrojtje”. Në fakt, kërcënimet që ata kanë përdorur dhe dëmi që u kanë shkaktuar dyqaneve, së bashku me përmasat fizike të shtuara, kanë penguar pronarët të bëjnë denoncim.
Nga kontrollet fizike, si dhe nga kontrollet e kryera në banesa, janë gjetur dhe sekuestruar 2 makina dhe motoçikleta, si mjete për lehtësimin e veprimtarive të paligjshme, 5 thika të palosshme, 2 këllëfa, pistoletë, jelek luftarak, jelek antiplumb, kapele, maskë, doreza, shënime të shkruara me dorë, me adresa, emra dhe shuma numerike, 8 celularë dhe 6.900 euro./k.k