Në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, kredia për individë ka vijuar të rritet me ritme të larta. Gjysma e dytë e 2024 është karakterizuar nga një “boom” i kredisë për blerje banese dhe nivele tepër të ulëta të normave të interesit.
Sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi tendencat në kreditim, kredia për individë është rritur me mesatarisht 15%, duke u zgjeruar me rreth 1 pikë përqindje nga më parë dhe duke prekur kështu nivelet më të larta të shfaqura gjatë 5 viteve të fundit.
Ngushtimi i diferencës së normave të interesit midis kredive në lek dhe atyre në euro pas muajve të verës, duket se riktheu në vëmendje të individëve kreditimin në euro, i cili pësoi një rritje vjetore mesatare prej 1.5%. Pavarësisht këtij zhvillimi, kjo normë rritjeje është shumë më e ulët krahasuar me normat e larta dyshifrore që po shfaq segmenti në lek. Gjatë gjashtëmujorit të dytë, kredia në lek për individët u rrit mesatarisht me 21.6%. Huaja në monedhën vendase përbën 74.3% të totalit të kredisë për individët.
Nga ana tjetër, kredia konsumatore ka ruajtur të njëjtën normë rritjeje sikurse edhe në gjashtëmujorin e parë, ndërsa ajo hipotekare ka dominuar me një rritje prej 17.4%. Zgjerimi i këtij portofoli është ndikuar edhe nga programet mbështetëse me kushte lehtësuese të dhënë nga autoritet qeveritare. Në fund të vitit, kredia për banesa përbën rreth 67.4% të portofolit në total, ndërkohë që ajo për konsum vetëm 28.4%.
Për sa i përket normave të interesit, ulja e normës bazë dy herë në këtë periudhë dhe ecuria rënëse e yield-it 12-mujor kanë bërë që interesat e kredisë në lek për individët të ulen gjatë gjysmës së dytë të vitit. Interesi mesatar për kredinë konsumatore në këtë interval kohe rezultoi 8.7% nga 9.6% që ishte në gjysmën e parë të vitit. Ndërkohë, interesi i kredisë për blerje banese zbriti në 3.7% në tremujorin e fundit, nga një mesatare prej 4.3% e pjesës së parë të vitit të kaluar./k.k