Analfabeti Tofik, dhe “prifti” Thanas

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga ARTUR AJAZI

 

Edhe sot pas 34 vitesh, nuk e kuptoj pse  themi  “jemi në tranzicion,çdo gjë bëjmë  e bëjmë nga padituria”. Dhe kjo fatkeqësisht vlen më tepër për politikanët, se për hallexhinjtë.Realisht ne akoma jemi në “kapërcim”, pasi akoma e konsiderojmë gjithçka të keqe që shohim, apo dhe na vjen, si “produkt i tranzicionit të zgjatur”. Një ditë një miku im, më përshëndeti, por me vështirësi e njoha. Ishte veshur prift orthodoks. Ishte veshur me rrasën e zezë deri në fund të këmbëve, kishte varur një goxha kryq në qafë, kishte lënë mjekrën, dhe mbante në duar ca libra të veckël. E njihja prej vitesh, dhe e di që nuk ka mbaruar as 8-vjeçaren, pale të mesmen dhe të lartën. Kishte emigruar në Greqi, kishte ndërruar emrin nga Tofik në Thanas, kishte  marrë në shtetin helen një dokument sikur “kishte mbaruar një shkollë për prift”, pastaj kishte veshur rrasën e zezë, dhe tani pretendon të zërë  ndoshta “vend nderi në Kishën Orthodokse”. Ky person, mund të jetë  ndër të shumtët  që takoj përgjatë këtyre viteve, që nga ish-punëtor krahu konvertohen në priftërinj. Kultet  fetare, këta tipa ndoshta i shohin si “strehën e ngrohtë dhe të sigurtë për të bërë ca para”. Realisht nga sistemi i kaluar, ne trashëguam një eksperiencë goxha të madhe lidhur me  numrin e atyre që u arsimuan. Kishte shkolla deri në fshatin më të largët, ashtu siç kishte edhe mjekë. U shkolluan  qoftë edhe me 8 klasë apo të mesme, me hir apo pahir, edhe ata që nuk e donin librin. Por pas vitit 1992, sistemi arsimor mori një goditje fatale. U flakën nga shkolla mësues dhe drejtues “komunistë”, u flakën në rrugë profesorët si “shërbëtorë të diktaturës”, u mbyllën shkollat në shumicën e fshatrave, u mbushën qytetet, dhe sot kemi këtë gjendje të pakuptimtë. Përgjatë viteve të para të “demokracisë berishiste”, çobani u bë shikas, shoferi dikurshëm i NB-së u bë drejtor, i dënuari për vjedhje badiguard ministri, dhe me rradhë duke u bërë hoxhallarë dhe priftërinj, kushdo që dinte greqisht apo turqisht.Gjërat nisën sikur të sistemohen përgjatë viteve të fundit, por mjerisht situata edhe sot është e trishtueshme. Kjo për faktin sepse, ka akoma djem dhe vajza që kanë mbaruar shkollat në universitetet e Europës dhe SHBA, dhe janë në kërkim të punës. Të jetë vallë tranzicion ky që po kalojmë ? Mendoj se jo, pasi negativiteti, vjen nga trashëgimia që la pas politika destruktive, politika që futi si koncept “diplomën e blerë”, shkollimin pa vajtur asnjë ditë në klasë, apo emërimin sepse “i kam dhënë shumë kësaj partie dhe demokracie”. Një ish-drejtor i kohës së Berishës dikur, ishte bërë tmerri administratës. Kishte punuar dikur punëtor ngarkim-shkarkimi, dhe pas 1992 pasi kishte blerë diplomën, ishte emëruar në postin e lakmuar. Kishte bërë listën gati me emrat e atyre që duheshin larguar sepse ishin “komunistë”, por duke mos marrë parasysh faktin sepse ata ishin me arsimin e lartë, me eksperiencë të gjatë pune, dhe kontribute të vyera. Me foton e Berishës në 4 cepat e zyrës, ai ç’nuk bëri sa PD kishte pushtetin, duke mbushur administratën me militantë  mediokër, dhe u pasurua shumë.Por si mund të falen skandalet, abuzimet, vjedhjet, shkatërrimet e elitave ?  Sot fakti është se, zyrat e ministrive dhe institucioneve vartëse, nuk kanë shansin të kenë  drejtues të pashkolluar, madje shumica e tyre me arsimim jashtë vendit. Detyrimi kryesor i tyre, ka qenë spastrimi i gjithë sistemit administrativ nga diplomëblerësit e dikurshëm, pasi akoma ka të tillë, si në drejtësi dhe vende të tjera pune. Nuk mund të themi më, “na e ka fajin tranzicioni e gjatë që po kalojmë”. Ka ardhur koha të shembim idiotësitë që  trashëguam nga qeverisja e ish-liderit historik, që kërkon të rikthehet në pushtet, me të njëjtët njerëz.

Lexo edhe :  Arsyet e sulmit të dytë të Berishës ndaj “New York Times”!

 

 

SPAK i ka tmerruar të gjithë, si majtas ashtu dhe djathtas!

 

Nga Spartak Ngjela

 

Korrupsioni i një qeverie që e kthen të gjithë administratën në strategjinë shtetërore është një aktivitet antikombëtar, sepse kjo lloj administrate urren dhe grabit popullin e vet… SPAK tani ka krijuar presion psikologjik në të dyja krahët e politikës. Edhe Rama u trondit për arrestimin e Erjon Veliajt. Ka diçka të brendshme në këtë situatë që po sundohet nga aktiviteti i SPAK kundër korrupsionit të lartë shtetëror. Gjithçka po ecën drejt pozitives në Shqipëri. Kur fillon një veprimtari procesesh penale në nivelet e larta për krimin e korrupsionit qeveritar, askush nga qeveritarët aktualë dhe nga ish qeveritarët, nuk është i sigurt. Shqipëria po hyn në këtë rrugë, por gjithkush duhet ta kujtojë se kjo është e vetmja rrugë kundër abuzimit të lartë shtetëror në Shqipëri që e ka dëmtuar shumë shoqërinë shqiptare në të gjitha drejtimet. Dy janë rastet e degradimit moral të një qeverie, raste këto që dëmtojnë rëndë të gjithë shoqërinë dhe fyejnë historinë e një populli. Diktatura e një diktatori mizor me autokracinë e pushtetit personal; Dhe; Korrupsioni i një qeverie që e kthen të gjithë administratën në strategjinë shtetërore është një aktivitet antikombëtar, sepse kjo lloj administrate urren dhe grabit popullin e vet. Kurse kryeministrat që vijnë e ikin, lavdërohen për zhvillimin dhe të mirat që ata vetë i kanë sjellë shoqërisë, pa i sjellë në fakt asgjë. Ja këtu jemi edhe ne shqiptarët sot. Por koha duket sikur e ka gjetur kurën e mjekimit shoqëror tek SPAK./K.K

Të fundit

Një baba që bënte jetë të thjeshtë – Si u kap bosi shqiptar i kokainës

Një shqiptar pritet të dalë përpara një gjykate në Lenzburg të Zvicrës pasi akuzohet se ka shitur sasi të...

AMP ekzekuton masat e sigurisë për 4 punonjës policie

Në vijim të hetimeve lidhur me procedimin penal të vitit 2024, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës...

Inteligjenca artificiale, në të gjitha fushat/ Nga arsimi, prokurimet e shëndetësia

Shqipëria do të përdorë gjerësisht inteligjencën artificiale. Në dokumentin e politikave prioritare për vitin 2026-2028 parashikohet integrimi i  inteligjencës artificiale (AI) në sektorë të...

Çfarë po ndodh me Flori Mumajesin? Miku i tij zbulon lajmin e mirë

Këngëtari i njohur dhe shumë i dashur për publikun, Flori Mumajesi, prej kohësh i ka munguar muzikës shqiptare dhe skenës, por emri i tij...

Hasani pret Berset: Kosova meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset. Hasani theksoi...

Lajme të tjera

Web TV