Jo vetëm në kohë lufte, emergjence natyrore apo gjendjeje të jashtëzakonshme, por edhe në kohë krize çmimesh do të aktivizohet rezerva shtetërore.
Projektligji i depozituar në Kuvend “Për Rezervat Materiale të Shtetit”, thuhet se rezervat krijohet për të mbrojtur popullsinë dhe ekonominë në situata të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme, fatkeqësisë natyrore e fatkeqësive të tjera, veprimeve terroriste apo në rast të çrregullimit të tregut. Ndërsa në ligjin aktual të rezervave ‘kriza e inflacioni’ nuk është e parashikuar si situatë ku mund të aktivizohet rezerva e shtetit.
Ky vendim i qeverisë vjen 3 vite pasi vendi u përball me inflacion të lartë dhe me vështirësi për të siguruar mallra nga jashtë siç ishte rasti i energjisë elektrike, grurit, vajit e produkteve të tjera, shkaktuar prej luftës në Ukrainë.
Fondet për krijimin e rezervave materiale të shtetit do të përballohen me fonde të buxhetit të shtetit, donacione dhe burime të tjera të ligjshme thuhet në nenin 5 të projektligjit. Sasia e rezervave ushqimore, veshjeve, karburantit etj do të përcaktohet përmes një ‘Plani Strategjik Afatmesëm të Rezervave Materiale të Shtetit’, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe rishikohet çdo 3 vjet.
Për të përcaktuar sasinë minimale apo maksimale të mallrave që do të jenë pjesë e rezervës në konsideratë do të merret edhe numri i popullsisë dhe lëvizjet demografike. Ky ndryshim bëhet për shkak të tkurrjes së numrit të popullsisë me 400 mijë banorë nga viti 2011 sipas rezultateve të censit, dhe rezerva duhet t’i përgjigjet numrit të ri të popullsisë prej 2.4 milionë banorësh.
Pas miratimit të këtij projektligji në Kuvend, pas 17 vitesh në fuqi do të shfuqizohet ligji aktual “Për Rezervat Materiale të Shtetit’./ S,M