I prangosuri është një i mitur 17-vjeçar, që jo vetëm i ka ndihmuar dy miqtë e tij, por edhe ka dhënë deklaratë të rremë në Polici. Tre personat e përfshirë në konflikt janë Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, 24 vjeç, si autorë dhe Enedjo Kaci, 30 vjeç, shënjestra që i shpëtoi sulmit
Kamëz– Policia e Tiranës arreston personin që ndihmoi dy atentatorët e dyshuar të largoheshin para dhe pas sulmit te “Rrethi i Bathores” në Kamëz, për ngjarjen e ndodhur më datë 22 shkurt 2025 (e shtunë).
I prangosuri është një i mitur 17-vjeçar, që jo vetëm i ka ndihmuar dy miqtë e tij, por edhe ka dhënë deklaratë të rremë në Polici. Policia bëri me dije se ai dyshohet se drejtonte automjetin nga i cili u qëllua me armë zjarri në drejtim të makinës tjetër që ishte shënjestër.
Tre personat e përfshirë në konflikt janë Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, 24 vjeç, si autorë dhe Enedjo Kaci, 30 vjeç, shënjestra që i shpëtoi sulmit.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më në Kamëz, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz kanë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga një shtetas 17 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, bëri me dije policia.
Nga hetimet dyshohet se i mituri, i nxitur nga autorët e tjerë të përfshirë në këtë rast, për të pranuar autorinë, ka dhënë edhe deklaratë të rreme gjatë veprimeve hetimore.
“Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, sqaron policia e kryeqytetit.
Rreth orës 22:30 të së shtunës, pranë Rrethit të Bathores, në rrugën “New York” dy autorë lëviznin me një makinë tip ‘BMW’, ndërsa shënjestra dhe persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar, lëviznin me ‘Land Rover’. Burimet i thanë Report Tv se njëri prej tyre hyri në makinë dhe u largua me shpejtësi, por u ndoq nga pas nga djemtë e tjerë.
Për dy 24-vjecarët e shpallur në kërkim, Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, burimet bëjnë me dije se rezultojnë të skeduar dhe të shoqëruar më parë për shpërndarje të lëndëve narkotike, ndërsa objektivi i atentatit nuk rezulton me precedent penal./k.k