Deputeti Enkelejd Alibeaj, një prej themeluesve të “Djathtas 1912”, ka folur për përgatitjet e kësaj force politike për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se koalicioni është regjistruar në KQZ dhe ka një ftesë të hapur për bashkëpunim, përfshirë edhe për Lulzim Bashën.
Alibeaj ka shprehur besimin e tij te SPAK, duke theksuar se me strategjinë e tij kundër krimit zgjedhor dhe masat që do të merren për të monitoruar zgjedhjet, ai është i qetë. Deputeti beson se çdo votë do të jetë e rinumërueshme dhe se zgjedhjet do të zhvillohen në një proces të qytetëruar, ku nuk do të përfshihen ‘gangsterët’. Ai gjithashtu ka vlerësuar masat e marra për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Alibeaj ka kundërshtuar pretendimet e Sali Berishës për shpërbërjen e SPAK, duke theksuar se është e pamundur të shkrihet një sistem drejtësie që ka mbështetje të fortë nga Bashkimi Europian dhe SHBA, dhe se SPAK është i paanshëm dhe luftohet nga grupimet e vjetra.
Ai ka komentuar edhe pretendimet e opozitës se ardhja e Donald Trump mund të sjellë një ndryshim në pushtet, duke e cilësuar këtë si një “psikozë ballkanike” dhe duke theksuar se raportet e shqiptarëve janë të lidhura ngushtë me SHBA.
‘Nga momenti që SPAK nxori strategjinë e vetë kundër krimit zgjedhor. Do shpërndahen në gjithë territorin me grupe pune dhe bashkë me grupin e BKH, do jenë në qendrat e numërimit, unë jam i qetë. Nuk ka mundësi as teorike, çdo votë është e rinumërueshme. Do jenë prezent aty dhe hetues të BKH. Do vijë një moment që zgjedhjet të konsiderohen proces i qytetëruar. Kur nuk futen më gangsterë me armë në palestrat e numërimit. Jam i qetë me këto masa që janë marrë.
Si mund të thuash do shkrij një sistem drejtësie? Që nuk ka asnjë mundësi teorike për të zhbërë kushtetutën, veçse nëse bëhen bashkë votat e Edi Ramës dhe Sali Berishës. Edhe nëse BE dhe SHBA të heqin dorë nga zhvillimet institucionale në Shqipëri. BE këtu është promotori më i madhe që ky vend të shkojë në BE. Ka një nxitim nga BE për të hapur kapitujt. Zero mundësi ka të shkrihet. SPAK po luftohet nga dy grupimet e vjetra. Tregon se është shenjë e mirë, se është i paanshëm.
Psikozë ballkanike, primitive, se po u bënë ndryshime diku tjetër do fitojë pala këtu. Raportet e shqiptarëve janë me SHBA. E gjithë fushata në SHBA, pati në fund një pyetje bërë dy kandidatëve, cili do ishte qëndrimi i tyre ndaj Ballkanit. Përgjigjet ishin si pika uji. Drejtësia dhe shteti i së drejtës dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme’, tha Alibeaj./ S,M