Gjunjëzimi para Greqisë dhe premtimet për biznese, vijë detare, nuk ishin mesazhe për emigrantët shqiptarë në Greqi, por lëmoshë për mbështetje ndaj Athinës zyrtare.
Shumë e vunë re përuljen ekstreme të Sali Berishës në takimin e tij me simpatizantë të Partisë Demokratike në Athinë. Por ishte e qartë se ajo përulje nuk ishte ndaj emigrantëve shqiptarë, por ndaj autoriteteve greke të Athinës. Nga fillimi deri në fund, i gjithë diskursi i tij politik ishte një premtim për ta kthyer “Greqinë të shkëlqejë përsëri në Tiranë”. Duke nisur që me përshëndetjen në greqisht para shqiptarëve, tek përlulja përpara popullit grek, të premtimi i rivendosjes së marrëveshjes me Detin, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, deri të rikthimi i shumë bizneseve greke që më parë ishin në fusha të rëndësishme në Tiranë e që sot nuk janë më. Berisha nuk ndaloi së premtuari për grekët në Shqipëri, duke vendosur Fredi Belerin si të ftuarin e preferuar në rresht të parë dhe në krahun e djathtë të tij.
Duhet thënë e qartë: Miqësia mes Shqipërisë dhe Greqisë është e lashtë dhe e konkretizuar më përpara se nga politikanët nga vetë dy popujt, që në vite kanë marrë dhe dhënë me njëri-tjetrin, por që Sali Berisha ta ndjejë të nevojshme të premtojë çdo gjë e t’i jetë mirënjohës jo vetëm kryeministrit aktual, babait të kryeministrit aktual, e gjithë politikanëve grekë për sa kanë bërë për Shqipërinë, pa përmendur asnjë ngërç që kanë krijuar, sidomos sa i takon integrimit të Shqipërisë në BE, kjo është e paparë.
As nuk bëhet fjalë që Berisha të kujtonte Ligjin e Luftës, apo Çështjen çame, apo sakrificat e emigrantëve shqiptarë që iu rezistuan fshesave politike apo ndryshimit të detyruar të emrave apo lëninen e kombësisë shqiptare në këmbim të dokumentave, por premtimi i dhënies së kufijve dhe të pasurive kombëtare për bizneset greke, u duk si një Pazar i hapur politik në këmbim të mbështetjes elektorale.
Që do të vinte dita e të shihnim një politikan shqiptar të bëhej kaq grek dhe një klerik grek, si Janullatos, të bëhej shqiptar e të rimëkëmbte kishën ortodokse autoqefale të Shqipërisë, është vërtetë e pabesueshme! Por mesa duket, dëshira për pushtet, kapërcen çdo logjikë e çdo moral, edhe kombëtar.
Çfarë skrupujsh mund të priten nga kush dha urdhër ne 2011 për t’u qëlluar ndaj bashkëatdhetarëve në mes të bulevardit në Tiranë, apo të bombardohej jugu me avionë në 1997, vetëm për të mbajtur pushtetin e shumëdëshiruar?!