Pedagogu Lush Susaj ka komentuar skandalin e fundit në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku Prokuroria e Posaçme (SPAK) lëshoi 24 masa sigurie për zyrtarët e universitetit për abuzim me tendera.
I ftuar në studion e News24, Susaj tha se tenderat janë dhënë me urdhra nga lart dhe se përgjegjësit duhet të dalin në dritë. “Tenderat janë marrë me telefon nga lart, jepja filanit, etj. Duhet të shkohet në rrënjë. Ata që u ndaluan duhet të flasin,” u shpreh ai, ndërsa shprehu shqetësimin se personat e ndaluar nga SPAK mund të jenë shfrytëzuar për të firmosur.
Susaj theksoi se problemi nuk qëndron vetëm tek UBT dhe se situata ka ardhur si pasojë e një sistemi të deformuar. “UBT nuk është as më i ziu, as delja e zezë. Është më mirë se të tjerët, por diku do plaste kjo flluskë,” shtoi pedagogu.
Ai gjithashtu kritikoi vendimin e rektorit për të folur para grupit parlamentar të PS-së pas ngjarjes. “Nuk ishte e udhës në asnjë mënyrë që të shkonte për të folur atje,” përfundoi Susaj.
“Nuk është UBT as më i ziu, as delja e zezë. Është më mirë se të tjerët, por ama diku do plaste kjo flluskë. Nuk janë ata 24 kolegë që kanë mbjellë këtë. Tenderat janë marrë me telefon nga lart. Jepja filanit, etj. Duhet të shkohet në rrënjë. Edhe ata duhet të flasin.
Unë kam frikë se këta njerëz janë shfrytëzuar. Unë nuk i njoh për hajdutë. Jam prej dekadash aty në universitet. Në universitetet e Shqipërisë, UBT është më i akredituari.
Unë e njoh rektorin prej 15 vitesh. Po të më thoshte dje që do shkoj të flas para grupit parlamentar të PS do i thosha mos shko. Mua nuk më ka pëlqyer, jam ndjerë keq. Nuk ishte e udhës në asnjë mënyrë që të shkonte për të folur atje”, u shpreh ai./E.T