Një qëndrim ofendues për Kosovën ka sjellë kritika të forta ndaj Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Kongresmeni, Ritchie Torres, dënon zëdhënësen e Pentagonit, Kingsley Wilson, për ato që kishte shkruar në rrjetin social X, ku bënte thirrje që Kosovën ta pushtonte sërish Serbia.
“Kingsley Wilson, Zëvendës Sekretarja e Shtypit për Departamentin e Mbrojtjes, po përpiqet me turp të delegjitimojë Kosovën, e cila ka qenë aleati i vetëm më i madh amerikan në Ballkanin Perëndimor. Asnjë sasi e revizionizmit historik nuk mund ta ndryshojë faktin themelor se Kosova është dhe do të jetë gjithmonë një demokraci e pavarur”, tha kongresmeni Torres.
Qëndrimi i tij dhe kritikat janë mbështetur edhe nga eurodeputeti Lukas Mandl.
“Shteti më i ri i Europës i bazuar në një popullsi të lashtë dhe një kushtetutë modern, që është shembull për bashkëjetesën paqësore të etnive dhe feve, nuk do të zhduket”, shtoi Mandl.
Kingsley Wilson, është një tjetër zyrtare e administratës amerikane të Donald Trump që ka një qëndrim për Ballkanin Perëndimor. Richard Grenell vazhdimisht ka komentuar zhvillimet në rajonin tonë, me një fokus të veçantë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe politikën e brendshme në Prishtinë./E.T