Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paraqitur një plan të detajuar për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe zhdukjen e varfërisë ekstreme në Shqipëri, duke paraqitur një paketë emergjente që synon ta arrijë përmirësim brenda tre muajve të parë të qeverisjes së PD. Ai theksoi se varfëria ekstreme është një problem serioz që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe që Shqipëria, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, nuk mund të vazhdojë të tolerojë një situatë të tillë.
Pjesë e planit të Berishës është një rritje e menjëhershme e pensioneve, duke vendosur një minimum jetik prej 200 euro për pensionistët, të cilët aktualisht përballen me vështirësi të mëdha për jetesën. Ai gjithashtu ka propozuar rimbursime të plota për ilaçet, që do të ndihmojnë pensionistët të përballojnë shpenzimet e larta për shëndetin. Berisha ka shtuar se të ardhurat buxhetore do të shpërndahen në mënyrë të drejtpërdrejtë për qytetarët, duke filluar nga një rritje e pagës minimale në 500 euro, e cila do të vijë gradualisht në rritje.
Një tjetër masë që Berisha ka propozuar është ulja e taksave për bizneset, duke synuar stimulimin e ekonomisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët. Berisha ka theksuar se qëllimi i këtij plani është të çlirojë shoqërinë shqiptare nga varfëria dhe të sigurojë një jetë më të mirë për qytetarët.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Pra është një shoqëri me një hendek të tmerrshëm.
Një shoqëri, e cila është në fakt në shpërbërje në këtë gjendje.
Ndaj dhe ne po përgatisim paketën e emergjencës, e cila tre muajt e parë do të zhdukë varfërinë e skajshme nga Shqipëria.
Varfërinë e skajshme, çdo vend i lirë, i grupit të vendeve me të ardhura si ne, e ka zhdukur.
Nuk e pranon, e përjashton nga shoqëria. Si e përjashton? Duke dhënë para, duke paguar, duke shpërndarë më mirë të ardhurat.
Shumë thjesht, do i japësh qytetarit atë mbështetje, atë pension, atë ndihmë ekonomike që e mbron nga varfëria ekstreme.
Ndaj dhe ne, 3 muajt e parë do vendosim minimumin jetik 200 euro.
Nuk është një shumë e madhe, por shoqëria në Shqipëri nuk ka më varfëri ekstreme me këtë.
Sot duhet ta dimë, 57 përqind e pensioneve janë të pjesshme. Tani nuk ka, tani ka minimum jetik 200 euro.
Ka rritje të pensionit mbi 200 euro me 20 përqind.
A është kjo tamam? Jo, nuk është tamam kjo. Se ai që është me 200 euro, nuk ka pse të blejë kafshatën me të njëjtin çmim si ai me 2 mijë euro.
Ai do ketë kartën e konsumatorit me të cilën do i kthehet mbrapsht e gjithë TVSH-ja që i paguhet për ushqimet, 20 përqind.
Pra, nuk do marrë bonuse që thotë ky, jo mo jo, kjo kartë është e barabartë me tre pensione në vite.
Pensionistët pra do kenë edhe kartën e konsumatorit.
Lista e rimbursimeve do pësojë ndryshime absolutisht bazuar totalisht në nevojat dhe kërkesat e tyre.
Sigurisht ata kanë më shumë nevojë për ilaçe. Ata kanë nevojë për shumëllojshmëri ilaçesh.
Ajo listë do rishqyrtohet dhe do plotësohet me urgjencë. Me rimbursim të plotë!
Sot, ka pensionistë që as ilaçet e dy javëve nuk i blejnë dot me pension. Çfarë bën ai? Nuk mjekohet. Ai rri në mëshirë të fatit. Të shkojë sa të shkojë. Kjo merr fund.
Askush të mos ketë as dyshimin dhe as shqetësimin më të vogël për fondet. Fondet janë që të gjitha.
Ne nuk do kemi buxhet 8 miliardë se ne do ia lëmë biznesit. Ne do ulim taksat. Por ne me 4 miliardë që e kishim buxhetin dyfishuam rroga dhe pensione dhe ndërtuam atë infrastrukturë që ndërtuam.
Natyrisht skema e pensioneve ka domosdoshmëri të reformohet, të konsolidohet. Kolona e dytë, kolona e tretë dhe me radhë.
Por ky është një proces disavjeçar, shumëvjeçar.
Ne nuk do presim frytet e asaj. Jo, ne do shpërndajmë të ardhurat buxhetore duke vendosur qytetarin të parin.
Rrogën minimale, si fillim 500 euro. Do shkojë drejt rritjes. Pasojat e rritjes së rrogës minimale, do kompensohet me uljen e taksave. Por qytetarët do marrin një rrogë për të përballuar jetën.
Çmimi i energjisë për pensionistët dhe në tërësi do jetë 7 lekë.
Qiratë e ndërtesave sociale. Një pensionist deklaronte një ditë, që unë marr 130 mijë lekë pensionin, 62 mijë lekë i lë qira në banesën sociale. Imagjinoni ju si e mbyll muajin ky pensionist? Kjo merr fund. do jenë simbolike. Nuk them që do jenë zero, por do jenë absolutisht simbolike.
Në këtë mënyrë ne çlirojmë shoqërinë nga dhimbjet e skamjes./e.t