Shtete të ndryshme të Europës kanë reaguar pas takimit me tone të ashpra të kësaj pasdite midis Volodymyr Zelenskyy dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas mediave të huaja, kryeministri polak Donald Tusk ishte i thjeshtë me mesazhin e tij, duke i thënë Zelenskyt dhe “miqve të tij të dashur ukrainas” se “nuk janë vetëm” gjatë kësaj kohe.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Rusia është agresori dhe është populli ukrainas ai që sulmohet.
Udhëheqësi francez tha se ishte e rëndësishme të “respektohen” ata që kanë luftuar që nga fillimi për sigurinë e Evropës.
Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch ndau gjithashtu mendimet e saj për rrjetin social ‘X’, duke thënë se “diplomacia e respektuar është thelbësore për paqen”.
“Një Perëndim i ndarë i sjell dobi vetëm Rusisë”, shkroi ajo.
“Tani është koha për më shumë bashkëpunim, jo më pak. Çdo marrëveshje paqeje duhet të negociohet me Ukrainën në tryezë dhe do të ketë nevojë për garanci sigurie”, vijoi ajo më tej.
“Ne nuk mund të harrojmë faktin se sonte sirenat e sulmit ajror po bien në Ukrainë”, përfundoi ajo./e.t