Në deklaratat e ditëve të fundit kreu i PD-së Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama po tentojnë të shfaqen jo vetëm si pro amerikanë, por edhe kush ka më shumë miq në këtë shtet, përfshi edhe presidentin Trump. Berisha mbahet me “anti-sorisizmin” ndërsa Rama premton se shumë shpejt do ta shohim marrëdhënien e tij me SHBA-në.
Në politikën shqiptare, kur Shtetet e Bashkuara mbetën shpresa më e mirë dhe më e sigurt Shqipërinë, Berisha dhe Rama mbeten dy personazhet politikë që “zihen” se kush e do më shumë Trump dhe se kë ky i fundit do më shumë. Sali Berisha me fitoren e Trump ka zënë rradhën për të hequr “non gratën” dhe së dyti, sipas tij, do të marrë suport nga Shtëpia e Bardhë për të fituar zgjedhjet e 11 Majit.
Këtë e lidh me një kauz të fortë duke pretenduar se është viktimë e Xhorxh Soros, një armik politik i hapur i Donald Trump. Kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha duket se po sfidojnë njëri-tjetrin edhe në këtë front. Me fitoren e Donald Trump, të dy liderët politikë në Shqipëri po përpiqen të paraqiten si miq të politikave të tij dhe të vijës konservatore në Uashington. Edi Rama, në rubrikën e tij “Sy m’sy” në Facebook, iu përgjigj ndjekësve që e pyetën për raportet me Amerikën dhe Sorosin.
Ai kujtoi një moment nga viti 2016, kur Trump fitoi zgjedhjet dhe opozita shqiptare pretendoi se administrata e re amerikane do ta detyronte të largohej nga pushteti. “Kur fitoi Trump mandatin e parë, ‘këneta’ u çua në Kuvend dhe më kërkoi të largohesha vetë, sepse ndryshe do të më merrte zvarrë Trump. Po si vazhdoi më pas puna?
Apo kismet…?”, ironizoi Rama, duke theksuar se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në kanë mbetur të forta pavarësisht spekulimeve politike. Ai nuk e fshehu ironinë ndaj atyre që e akuzojnë për lidhje të forta me Sorosin, duke thënë se këto janë sajesa të opozitës dhe se SHBA-ja e mbështet Shqipërinë si një partner strategjik, pavarësisht emrave që ndodhen në administratë.
“Do ta shihni Amerikën, edhe marrëdhënien me Amerikën, edhe mbështetjen e Amerikës. Të gjitha do t’i shini, siç i keni parë gjithmonë,” shtoi ai, duke e konsideruar të pakuptimtë idenë se një ndryshim administrate në SHBA do të ndryshonte pozicionin e tij. Nga ana tjetër, Sali Berisha ka zgjedhur një qasje tjetër, duke u pozicionuar hapur kundër George Soros dhe duke e lidhur veten me fushatën anti-Soros që po zhvillohet brenda Partisë Republikane në SHBA.
Një ditë pasi një komision në Kongresin Amerikan diskutoi për të, ai doli në Kuvend dhe kërkoi miratimin e një ligji për “desorifikimin e Shqipërisë”, duke e quajtur një “emergjencë kombëtare”. Sipas tij, një “tërmet politik” ka filluar në SHBA dhe ai do të ketë pasoja edhe në Shqipëri. “Ky tërmet është përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë në SHBA, por që pati reflektime të tmerrshme edhe në këtë vend.
Ju kërkoni ta kaloni këtë valë, ndërsa atje çdo ditë presidenti firmos dekrete për desorifikimin e Amerikës, ndërkohë që ju vazhdoni sikur asgjë nuk ka ndodhur,” tha Berisha, duke iu drejtuar mazhorancës socialiste. Ai paralajmëroi se një ligj për largimin e ndikimit të Sorosit do të miratohet gjithsesi, qoftë tani ose pas zgjedhjeve.
“Është më mirë të bëhet tani sesa ta bëjmë ne pas zgjedhjeve, sepse atëherë do të thoni se po ju persekutojmë. Ky ligj do të ketë të njëjtën peshë si dekomunistizimi,” theksoi ai, duke nënkuptuar se një ndryshim i pushtetit do të sillte një spastrim nga ajo që ai e konsideron si “ndikim i Sorosit”. Në këtë klimë politike, ku të dy liderët pretendojnë se kanë mbështetjen e ardhshme të administratës amerikane, pyetja mbetet: cili do të dalë më i favorizuar nga pushteti i Trump?
PS ftesë PD për Avokatin e Popullit
Në Seancën Plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, tha se mazhoranca ishte e gatshme për të vijuar me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Peleshi bëri të qartë se PS nuk ka asnjë kundërshtim për të ndjekur procedurat parlamentare mbi bazën e propozimeve të opozitës dhe se disa kandidatura sipas tij tashmë ka marrë firmat e opozitës.
”Për ne, procesi duhet të vijojë siç kemi rënë dakord më herët. Nuk kemi kundërshtim për asnjë emër, por është e rëndësishme të respektohet rruga institucionale,” u shpreh Kryetari i Grupit Parlamentar të PS.
Ai gjithashtu bëri me dije se ka kërkuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të ulen për diskutime mbi këtë çështje dhe se mazhoranca është në pritje të një përgjigjeje nga opozita. “Unë kam bërë hapin tim në emër të grupit, tashmë mbetet që edhe pala tjetër të tregojë vullnetin e saj,” përfundoi Peleshi.