nga Bujar Luca
ME KUJTOHET = JETOJ
Libri « Më kujtohet » është një «pot pourri»* gjigand. Kujtimet si lulet e thara prej kohësh s’kanë më as freskine as ngjyrat e dikurshme por ruajne akoma falë vendit që Ylli Demneri u ka dhënë në shpirtin e tij , krejtësisht të pacënuara ; aromat e tyre.
« Popujt e lumtur nuk kanë histori », shkruan filozofi Hegel. Të paktën për periudhën që kujton libri Demnerit s’besoj që dikush mund të këmbëngulë se ishim të lumtur, por nëse mendojmë si Hegel, mund të pretendojmë të paktën të kemi pasur histori falë mungesës së lumturisë. Ngushëllim ky i trishtë, që me aq delikatesë dhe takt na është transmetuar në këtë libër që bën ç’mos të mos duket i tillë.
Kujtesa dhe shpresa bëjnë të egzistojë për ne, e para, të shkuarën, dhe e dyta të ardhmen. Librat e Ylli Demnerit nuk kane as fillim as fund, ti lexosh nga e majta në të djathtë apo nga e djathta në të majtë nuk ka as një rëndësi, mund të fillosh ku të hapet libri dhe të vazhdozh si të vijë për mbarë, komoditet ky për lexuesin e sotëm të mësuar prej vitesh tashmë me mesazhet telefonike e rrjetet sociale.
Koha është një nga elementet bazë të shkrimeve të tij, jo rrallë e shkuara është një pretekst për të dëshmuar të tashmen. E shkuara i kujtohet për ta dashur edhe një herë, për ta kuptuar, për të mos e harruar, për ta denoncuar nëpërmjet fjalëve që se lejonin ti thonte apo shkruante dikur.
I kujtohet po ashtu (dhe kjo ka shumë rëndësi), falë kontaktit me kulturën që ka fituar dhe fiton çdo ditë larg saj.
Kthimi në të shkuarën, në Shqipëri, (që është magneti i fuqishem stabilizues i « bredhjeve » të tij ), është njëkohësisht dhe « shtrati » ku kanë lindur kujtimet për të cilat shkruan, koha se kur ska më rëndeësi, nga një faqe tek tjetra kujtimet mund ti ndajnë vite të tëra.
Rishtrihet në po atë « shtrat » por jo për të qendruar, apo për tu çlodhur, dëshëron vetëm të ndjejë dhe sidomos ti pohoje vehtes që asgjë s’ka humbur, për gjithçka mund të kujtohet, nuk don patjetër ta gjykoje. Deshëron të bindë vehten që megjithë mungesën e gjatë ka dhe pas kaq kohësh akoma vendin e tij aty.
Kërkon stabilitetin në kohën që ka shkuar, që ka humbur, e kërkon në kohë pra, por koha nuk është e qëndrueshme, ndryshe nuk do të ishte kohë.
Çka ndodhur në të kaluarën s’është më, mos egzistenca e të shkuarës vendos perceptime të tjera nga e tashmja ku Ylli po i ripercepton. Ai nuk mund të rishohë çfarë nuk është më, kush tregon të shkuarën tregon të vërtetën por një të vërtetë të pasuruar nga imagjinata dhe eksperienca. Rikujtimi i një ngjarje është gjithmonë i modifikuar, vetë c’rregullsia e kujtimeve (kujtimet nuk ndjekin rrjedhjen e kohës) tregon nevojën që ndjen Ylli për ti shpëtuar monotonisë, e për të krijuar një ritëm tërheqës.
Vetë titulli « Më kujtohet » nuk është kaq i pafajshëm sa ç’duket, në këtë pohim të kujtimeve ndjehet dhe një lloj pretendimi.
« E tashmja e të kaluarës është kujtesa » thotë shenjt Agustini.
Njerëzit thonë: ah, O Zot ç’më solle ndërmënd, ose, këtë ngjarje s’do të kisha dashur t’ma kujtonin, shkurt bëjnë një zgjedhje. Ylli Demneri nuk zgjedh, i mirë, i keq, nostalgjik, romantik, mizor, i ëmbël, i trishtë apo qesharak, çdo kujtim i intereson dhe i vjen keq kur kujtesa e tradhëton dhe ndonjëri prej tyre nuk i vjen ndërmënd me të gjitha detajet që ai dëshëron të bëjë të dukshëm.
Nuk i pëlqen ta mjekoje apo ta fashojë një plagë, përkundrazi, i pëlqen ta ngacmojë për të parë deri ku shkon dhimbja pas kaq kohësh kaluar.
E tashmja është pafundësisht e vogël si kohë. Kjo kohë e tashme që ne jetojmë, mes të shkuarës dhe të ardhmes, ne mund ta pjesëtojmë në marramenth, dhe të kuptojmë në këtë mënyrë që e tashmja pothuaj nuk ekziston.
Edhe po të supozojmë të ndalojmë në të tashmen prej një sekonde, sapo të mbarojë kjo sekondë, e tashmja bëhet e shkuar dhe ne gjëndemi duke jetuar sekondën që para një sekonde ishte e ardhmja jonë. Pra duke kuptuar që kur jetojmë kohën e tashme, e tashmja është pothuaj mos egzistuese dhe e ardhmja akoma nuk ka ardhur, e vetmja kohë që na mbetet është e shkuara.
Pra të kujtosh të shkuarën do të thotë të flasësh vërtet për jeteën që bën.
Prandaj Më Kujtohet = jetoj.
Demneri na kujton të shkuarën me doza te vogla, me fragmente të shkurta, kjo na lejon të mos e ndjejmë shumë PESHEN e zymtë të kujtimeve që ai na sjell, ndryshe pesha e tyre do t’na groposte. Pesha e kujtesës nuk është e njejtë nga një popull tek tjetri, as nga një individ tek tjetri, as nga një periudhë e jetës në raport me një tjetër.
« Më kujtohet » është libri kujtimeve që për ne që e kemi jetuar dhe ndjerë si Ylli, kohën e diktaturës komuniste, kur e lexojmë, na helmon me pikatore.
Demneri insiston shpesh në shkrimet e tij për qartësinë e shprehjes së mendimit nëpërmjet fjalëve sa më të thjeshta, disave kjo tendence e tij mund tju duket si varfëri në të shprehur, por në të vërtetë Demnerit i është dashur një punë kolosale për ta xhveshur frazën e për ta shprehur atë të purifikuar e pa poza. Kjo gjuhë e pastër dhe e thjeshtë është formuar falë leximeve të panumërta e të zgjedhura, falë përqëndrimit dhe ndjeshmërisë, kjo i lejon të shprehë në mënyrë të nuancuar idetë. Është kjo gjuhë e thjeshtë që pasuron me kthjelltësinë e saj çdo detaj.
Mjafton të lexosh disa prej intervistave të tij për të vënë re përpjekjet dhe zgjedhjet që ka bërë në jetë.
Pa kujtesën eksperienca nuk na shërben.
Duke shkruar kujtimet e veta, Ylli ka shkruar njëkohësisht kujtimet tona, duke i lexuar ato ndjejmë thellë uniformitetin dhe absurditetin që diktatura i kish dhënë jetës së seicilit prej nesh e mbi të gjitha urrejtjen e vazhdueshme që ajo kish mbjellë në shpirtin e autorit. Kjo urrejtje na transmetohet akoma më e fuqishme nga emocioni që provokon fraza e tij e shkruar, ajo na vjen e fokusuar në mënyrën më natyrale me një precizion të habitshëm dhe kjo bën që nga çdo pohim sado i thjeshtë i tij të burojë në fakt pothuaj një klithmë kundër shtypjes dhe ndalimeve të panumërta të rregjimit diktatorial.
Nëse don të orientosh dikë drejt një kujtimi tek libri « Më kujtohet » është shumë e lehtë, sidomos në vëllimin e dytë, çdo kujtim i shkruar ka numurin e vet në libër psh. Kujtimi 239, ndodhet faqe 138, tek Vellimi II të, etc. Kjo na kujton librat e shenjtë, libri më kujtohet është i tillë në raport me diktaturën që dëshmon.
Duhet përmëndur që në jetën e përditëshme, në bisedat mes miqsh Ylli është një tregimtar i rrallë, ndjejmë kur e dëgjojmë kënaqësinë qe i jep të treguarit.
Kjo kënaqësi na transmetohet edhe kur e lexojmë.
Bujar Luca
26 shkurt 2025
* pot-pourri : përzierje e parfumuar e përbërë nga lule të thara, barëra dhe erëza./k.k