Kur edhe pak orë nga ndajnë nga përfundimi i afatit për regjistrimin e votuesve nga jashtë Shqipërisë, kreu i Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj, përsërit thirrjen për bashkatdhetarët ende të paregjistruar që të përfitojnë nga mundësia për të votuar për herë të parë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në bazë të të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 19:00, më shumë se 350 mijë aplikime kanë kaluar përmes sistemit elektronik të votimit, PER.
Janë rreth 230 mijë zgjedhës unikë që kanë marrë miratimin për t’u bërë pjesë e procesit të 11 majit, ndërsa mbi 42 mijë të tjerëve iu është refuzuar kjo kërkesë.
“Diaspora është Shqipëria. Vota juaj është zëri juaj. Përdorni zërin tuaj për Shqipërinë tonë!
Mos u ankoni, por votoni!” tha z. Gjonaj në mesazhin e tij në rrjetet sociale.
Këshilli Koordinues i Diasporës është një organ i ngritur në vitin 2018 për të përfaqësuar dhe për të koordinuar marrëdhëniet me diasporën shqiptare.
Aktivisti shqiptaro-amerikan, z. Gjonaj, është një nga 15 anëtarët e Këshillit në rolin e kryetarit, po ashtu edhe këshilltar në bashkinë e Nju-Jorkut, ku përfaqëson distriktin e Bronksit./kb