Gjykata e Lartë rrëzon Donald Trump mbi USAID dhe vendos që duhet të rifillojnë pagesat prej dy miliardë dollarësh të detyruara ndaj kontraktorëve që tashmë kanë përfunduar punën e tyre.
Gjyqtarët, me pesë vota pro dhe katër kundër, hodhën poshtë kërkesën e presidentit amerikan për të rrëzuar urdhrin e gjykatës së shkallës së parë.
Vendimi i Gjykatës është i rëndësishëm për disa arsye. Së pari, sepse vjen nga organi më i lartë gjyqësor në SHBA. Së dyti, sepse kolegji përbëhet në shumicë nga gjyqtarë të emëruar nga vetë Trump.
Mbetet për t’u parë nëse ky vendim krijon një precedent që, në mënyrë “zinxhirë”, do të ndikojë vendimet e gjykatave të tjera ku janë paraqitur ankesa kundër shkurtimeve drastike të imponuara nga Shtëpia e Bardhë.
Kundër vendimit të Gjykatës janë shprehur gjyqtarët Samuel Alito, Clarence Thomas, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh.
Çështja nisi nga padia e dy kontraktorëve të rëndësishëm të USAID, AIDS Vaccine Advocacy Coalition dhe Global Health Council: të dy iu drejtuan një gjykate për të kundërshtuar shkurtimin e fondeve nga administrata. Këtu, një gjykatës i parë federal, Amir Ali, i emëruar nga Biden, lëshoi një urdhër të përkohshëm për të rikthyer pagesat prej dy miliardë dollarësh në pritje të shqyrtimit të çështjes në themel. Administrata Trump e kishte cilësuar urdhrin e Ali-t si “jashtëzakonisht ndërhyrës dhe thellësisht i gabuar”.
Veprimtaria e USAID ka qenë një nga objektivat e sulmeve të administratës Trump (dhe “krahu i tij i armatosur”, Doge i drejtuar nga Elon Musk) që nga ditët e para të qeverisjes. Agjencia ishte cilësuar si një strofkë e “radikalëve të çmendur”. Janë shkurtuar ose pezulluar programe ndihmash humanitare me vlerë miliarda dollarë, të cilat përbënin “fuqinë e butë” të SHBA-së në ato rajone.
Disa nga urdhrat e parë ekzekutivë të Trump-it kishin të bënin pikërisht me USAID: tabela me logon e agjencisë në selinë e saj në Uashington ishte hequr me urdhër të presidentit.
Shkurtimi i buxhetit të përgjithshëm që Shtëpia e Bardhë synon t’i imponojë USAID është madje 92%. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se “në përfundim të një procesi të udhëhequr nga drejtuesit e USAID… duke përfshirë edhe tranşet e shqyrtuara personalisht nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, janë identifikuar gati 5.800 fonde me një vlerë prej 54 miliardë dollarësh për t’u eliminuar si pjesë e agjendës US First”./k.k