Gazetari Osman Stafa ka analizuar vendimin e qeverisë për mbylljen e përkohshme të TikTok në Shqipëri, duke e konsideruar atë një masë që nuk adreson problemin e vërtetë.
Në një intervistë televizive, Stafa iu referua ngjarjes tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në Kamëz, një prej arsyeve që u përmend si shtysë për mbylljen e rrjetit social. Ai citoi babain e të miturit, i cili kishte konfirmuar se djali i tij nuk ishte përdorues i TikTok dhe as i aplikacionit Snapchat.
“Babai i Martin Canit më shkruan tani dhe më thotë se djali i tij nuk kishte TikTok. Edhe për Snapchat-in më thotë se nuk ka pasur informacion se ka qenë përdorues i këtij aplikacioni,” u shpreh gazetari.
Stafa ngriti pyetjen pse qeveria vendosi të mbyllë TikTok-un, ndërsa rrjete të tjera sociale mbeten të aksesueshme, duke theksuar se Shqipëria rreshtohet në një listë me vende si Irani dhe Afganistani, të cilat kanë marrë masa të ngjashme për kufizimin e platformave të komunikimit.
“Nëse ka problematika në rrjete sociale, zgjidhja nuk është mbyllja, por kontrolli dhe edukimi. Përndryshe, ky është një veprim që minon lirinë e shprehjes,” përfundoi gazetari./ SM