Tek TikTok Sali Berisha mendon se ka gjetur një tjetër kalë beteje për fushatën e 11 majit, dhuruar falas nga Edi Rama. Pasi Rama e mbylli në burg, Doktori e do Tik-Tokun të hapur, si Donald Trump.
Por doktori mund të ketë hyrë në një fushë-betejë të humbur, sidomos kur vjen puna te shifrat.
Nga një vëzhgim i thjeshtë në TikTok, në profilin e tij zyrtar, Sali Berisha ka 74 mijë ndjekës dhe 1 milion e 400 mijë pëlqime. Kryeministri Rama ka dyfishin. 138 mijë ndjekës, dhe 2 milionë pëlqime.
I bashkon vetëm një shifër, të dy nuk preferojnë të ndjekin asnjë person në Tik-Tok.
Berisha ka qenë shumë aktiv në muajt e fundit se Edi Rama që nuk e përdor më prej 5 muajsh. Postimi i fundit i kryeministrit, daton më 24 nëntor kurse, doktori postoi video, edhe pak minuta para vendimit për mbajtjen e protestës.
Edhe tek videot, Berisha humbet thellë. Një postim i kryedemokratit, nuk i kalon 1 mijë shikime, me raste të veçanta, kurse një video rutinë e kryeministrit, shkon e pakta 100 mijë shikime.
I vetmi ngushellim i doktorit mund të jetë koalicionin portokalli, me personazhe të denjë për ndjekësit në Tik-Tok. Si Kujtim GJuzi, videot për të cilin qarkullojnë në këtë aplikacion, konkurrojnë denjësisht Edi Ramën. Por në numra. Në përmbajtje rezultati është sërish negativ për super starin e koalicionit madhështor portokalli.
Por Sali Berisha dhe dashuria e tij për Tik Tok, i rrezikon atij një tjetër autogol. Ndoshta në mediat tradicionale, rivali i tij ne letër është Edi Rama. Por ne tik tok, një tjetër tablo paraqitet për doktorin. Lapaj, Qori dhe Shabani, rrjetet sociale i kanë dritaret primare për komunikimin me ndjekësit. Nga mbyllja e TikTok, janë ata qe do të humbin qindra mijëra ndjekës.
Arlind Qori dallohet nga të rinjtë për më shumë ndjekës dhe pëlqime, kurse Adriatik Lapaj, ndonëse ka vetëm disa mijëra ndjekës, videot e tij kapërcejnë në raste edhe 1 milionë shikues. Dhe këtu ai parakalon gjithë politikanët.
Por i humburi kryesor nëse protesta e tij do ta mbante hapur TikTok, do të ishte sërish ai, Sali Berisha. Dhe nuk do të meritonte as nofkën që ia vuri Edi Rama në 2013, por që atij i pëlqente aq shumë: gjyshi dixhital i politikës./ S,M