Nga Spartak Ngjela
Po Zelenski do ta vijojë luftën?
A do të ketë paqe në Ukrainë?
Ukraina është një shtet dhe një vend evropian.
Kurse Bashkimi Evropian nuk është thirrur në takimin e dy superfuqive për Ukrainën. (!)
Cila do të jetë paqja?!
Sigurisht që, me këtë filozofi që ka Trump në afërsi me Moskën, Ukraina nuk do të përfillet.
Po Zelenski do ta vijojë luftën?
Me një mendim racional na duhet të themi se luftën Ukraina do ta vijojë, sepse ajo po lufton për atdheun që po kërkon t’ia pushtojnë Rusia me dekadencën e saj antiperëndimore.
Kurse Zelenski dihet që është perëndimor në bindjet e tij dhe Ukraina është një shtet i pavarur që është sulmuar nga një shtet autokratik dhe antidemokratik si Rusia.
Kurse presidenti amerikan Donald Trump, si përherë në veprimtarinë e tij politike, po kërkon të ndihmojë Rusinë. Por do t’ia pranojë këtë opinioni publik amerikan. Trump i ka pasur shumë të larta kuotat presidenciale në opinionin publik të Rusisë.
Po Bashkimi Evropian?
Bashkimi Evropian dhe Britania e kanë në parim si domosdoshmëri evropiane që të vijojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Dhe lufta do të vijojë me ndihmën e Bashkimit Evropian.
Por në këtë pikë Bashkimi Evropian ndahet politikisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prandaj po kuptohet se lufta për çlirimin e Ukrainës nga Rusia duhet të vijojë.
Por na duhet të theksojmë që, nëse lufta e Ukrainës kundër Rusisë do të vijojë me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Britanisë, takimi midis Trump dhe Putin do të jetë një komedi historike.
Kurse, nëse Bashkimi Evropian vijon ndihmën ushtarake edhe në formë monetare për Ukrainën, Bashkimi Evropian kthehet në rrugën e tij drejt një fuqie ushtarake.
Rasti i Ukrainës mund të na i sjellë në histori këtë risi politike.
Dhe këtë po na i provon Ukraina me luftën e saj, një rrugë kjo të cilën dihet tani se Ukraina e ka filluar qëkurse e kuptoi që presidenti amerikan Trump ka një politikë afrimi me Rusinë.
Por gjithsesi nuk duhet të harrojmë se Evropa Perëndimore me Britaninë, me këtë ndihmë ushtarake drejt Ukrainës, indirekt do të tregojnë se në historinë e sotme, në botë, po del edhe një superfuqi e tretë, që pritet të jetë Bashkimi Evropian.
Prandaj, politikisht, ky akt që mund të ndërmarrë Bashkimi Evropian, do të krijojë një bllokim të ndonjë marrëveshjeje antievropiane që mund të kryhet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./ S,M