Një ditë pasi Kryesia e Partisë së Lirisë miratoi kërkesën e tij për qenë në listë hapur, Ilir Meta nga qelia numër 5 e paraburgimit sqaroi përse zgjodhi të hiqte dorë nga siguria e mandatit që ofronte lista e mbyllur.
Në një postim në mediat sociale, Presidenti i Partisë së Lirisë, pohon se vendimi i tij është një sakrificë ekstreme, por sërish beson se fitorja do të jetë madhështore.
“Partia e Lirisë (LSI) dhe Ilir Meta kanë qenë të parët për listat e hapura. Ilir Meta bashkë me disa kolegë hynë në grevë urie në vitin 2008 kundër ndryshimeve kushtetuese, që sollën listat e mbyllura dhe vranë parlamentarizmin e vërtetë”, tha Meta.
Në sqarimin e tij, Meta shton se vetë ekzistenca e partisë së tij është nga gara. “Ilir Meta në vitin 2005, për të gjithë ata që kanë humbur kujtesën, edhe pse kishte mundësinë të dilte deputet nëpërmjet sistemit proporcional, bëri një akt të rëndësishëm politik duke e vendosur veten vetëm në mazhoritar sepse për mua më i rëndësishëm ishte zhbllokimi i procesit europian të vendit se sa thjesht garantimi i një mandati deputeti”.
Reagimin e tij e mbyll me frazën se nuk ka krijuar parti për të qenë deputet, por për të siguruar rotacion politik në vend./E.T