Gjashtë punonjëse të firmës ‘Rossman&Lala’, e cila gjendet në autostradën Tiranë-Durrës, janë paraqitur ditën e djeshme në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur probleme shëndetësore me frymëmarrjen.
Pasi kanë marrë asistencë mjekësore për simptomat respiratore, 6 gratë janë larguar në banesat e tyre.
Policia e njoftuar për rastin nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe aktualisht çështja i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për verifikime të mëtejshme.
Nga hetimi paraprak rezulton se ngjarja ka ndodhur në ambientet e magazinës së kompanisë. Kur kanë shkuar të martën në mëngjes në punë dhe kanë hapur derën, ato dëshmuan se kanë ndjerë një aromë të rëndë dhe pak çaste më vonë gjatë vijimësisë së punës nuk janë ndjerë mirë.
Ata janë dërguar në një spital privat nga menaxheri për trajtim, por nuk kanë pasur probleme të rënda. Mbetet e paqartë deri tani çfarë e ka shkaktuar aromën e rëndë në magazinë, pasi aty nuk bëhet mbushje e produkteve, por vetëm paketim, i cili më pas shpërndahet nëpër pikat e tjera në vend si formë e furnizimit.
Nga marrja në pyetje që grupi hetimor ka bërë, është mësuar që aroma e rëndë është ripërsëritur edhe një herë tjetër para disa muajsh, por pa probleme. I vetmi objekt që ndodhet i ri në magazinë është ashensori, tek i cili janë dyshimet paraprake, megjithatë do e përcaktojnë hetimet në vijim./e.t