Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të kundërshtuar sekuestrimin e llogarive të saj bankare.
Xoxa akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion në 9 raste, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ajo ka kryer blerje online në vlerën e rreth 86 milionë lekëve gjatë një periudhe 4-vjeçare, shpenzime që nuk janë deklaruar në asnjë nga deklaratat periodike të bashkëshortit të saj.
Fillimisht, ndaj Xoxës u caktua masa e arrestit shtëpiak, e cila më pas u zëvendësua me detyrim paraqitjeje dhe ndalim të daljes jashtë vendit. Gjithashtu, SPAK ka sekuestruar dy llogari bankare të saj me vlerë totale prej rreth 869,149 euro, si dhe një vilë 494 m² në Qerret, e ndërtuar nga kompania Agi Kons.
Xoxa ka apeluar në GJKKO vendimin për sekuestrimin e llogarive bankare, duke kërkuar lirimin e tyre. Seanca e sotme u zhvillua në kuadër të këtij ankimi, ku ajo kërkoi heqjen e sekuestros së vendosur nga SPAK.
Në vijim, pritet vendimi i gjykatës lidhur me kërkesën e saj për lirimin e llogarive bankare./ S,M